Politike

Rama me sipërmarrësit e bizneseve: Nxënësit të bëjnë shkollën në ambientin e punës, jo të trajtohen si shërbëtorë

“Nxënësit duhet të bëjnë shkollën në ambientet e punës dhe jo të trajtohen si shërbëtorë”.

Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama nga takimi që zhvilloi ditën e sotme me partneret ndërkombëtarë dhe me drejtuesit e shkollave profesionale në vend.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se baza për të hedhur hapin drejt turizmit të mirë, është dualizimi i arsimit profesional.

“Arsimi profesional ka bërë hapa të rëndësishme para, por sot është në nevojën për të hedhur një hap shumë të madh para, dualizimi i arsimit profesional duke spostuar në fushën ku zhvillohet ekonomia, në mjedisin sipërmarrës, ditët e shkollës. Nuk bëhet fjalë të sjellim pranë sipërmarrës vajza e djem në moshë shumë të re që t’i trajtojnë si shërbëtorë në mjediset e punës, por për t’i sjellë nxënës që të bëjnë shkollën në këto ambiente dhe të trajtohen me maksimumin e kujdesit e duke ndaluar rreptësisht abuzimin me ta”, tha ai.

Kryeministri Edi Rama tha se sipërmarrja duhet që të investojë tek kapitali njerëzor. Rama theksoi se qeveria do të krijojë Fondin Kombëtar të Aftësimit.

“Do të krijojmë Fondin Kombëtar të Aftësimit. Ky fond do të shkojë për kapitalin njerëzor. Të rroftë Mercedezi nëse trupin e ke si karrocën e Dylit. Të rroftë hoteli me 5 yje, nëse organizmin e gjallë, të atyre që mbajnë hotelin e ke me tre ylla, ku tre cepat janë të thyer. Sipërmarrja të investojë tek kapitali njerëzor. Në sipërmarrje duhet të krijohet ambient shkolle. Turizmi shqiptar sot është në Champions League-n e turizmit mesdhetar dhe duhet të qëndrojë aty. Të gjithë së bashku duhet t’i japim shtysë të re proceseve”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë