Politike

Rama lë të hapur ndryshimet në qeveri: Nuk ka zgjedhje të parakohshme

Në konferencën për mediat kryeministri Edi Rama ka lënë enigmën sa u përket ndryshimeve në qeveri. Duke mos dhënë përgjigje konkrete Rama deklaroi se duhet të pritet Asambleja e Partisë Socialiste për të mësuar nëse do të ketë ndryshime në qeveri.

“Së shpejti do të mbledhim dhe Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste për të marrë disa vendime për ecurinë e mëtejshme të qeverisë. Prisni edhe pak ditë Asamblenë”, tha Rama. Ndërsa ka hedhur poshtë idenë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Shqipëri. “Mos humbisni kohë me këto thashetheme që janë për nën çadrën e plazhit dhe jo për të humbur kohën ne këtu në godinën e qeverisë”, tha Rama.

Rama mbrojti reformën në drejtësi duke deklaruar se për herë të parë, pas 100 vitesh të shtetit shqiptar po ndëshkohen ata që janë në pushtet.

“Kjo është historike dhe më e rëndë që i ka ndodhur Shqipërisë pasi pesha e kësaj reforme i kalon peshat e reformave të tjera dhe është e rëndë se lidhet drejtpërdrejt me lirinë e atyre që kanë pushtet, që mund ta humbasin lirinë nëse e shfrytëzojnë pushtetin për të cenuar të drejtat e publikut, ndaj unë mrekullohem kur dëgjoj se në vend se kjo të jetë një arsye e përbashkët për tu ndjerë mirë që drejtësia pas 100 vitesh po vepron si e tillë kthehet në një arsye për të bërë mjau mjau, jo po si ndjeheni jo po s’është mirë.

Nuk ndjehem mirë kur bëhet fjalë për njerëz që unë i kam pasur pranë por ndihem krenar kur bëhet fjalë për misionin, ka qenë e paimagjinueshme se mund të ndodhte e thënë të gjitha këto nuk ka shanse sa të jem unë këtu se nëse vijnë të tjerët nuk garantoj asgjë. Sa të jem unë këtu presioni mbi drejtësinë e re të ushtrohet dhe të funksionojë duke kaluar përmes kërcënimeve”, ka thënë Rama.

Ndërsa sa i përket përgjegjësisë të zyrtarëve socialistë të arrestuar, kryeministri tha se kjo është ccështje personale dhe jo e "trajnerit" të skuadrës dhe se të gjithë duhet të përgjigjen përpara drejtësisë. “Kur ne zgjedhim ne nuk vëmë dhe nuk i kalojmë njerëzit në sallën e torturave se ç’mund të bëjnë ato në të ardhmen, pushteti është një kafshë shumë e egër dhe është e vështirë ta mbash të zbutur, ka shumë që e mbajnë por ka disa që nuk e mbajnë, ka disa që u rezistojnë tundimeve dhe disa që nuk mund tu rezistojnë. Zgjedhjet ne i bëjmë në bazë të asaj që shikojmë dhe jo në bazë të karakterit që ato kanë”, është shprehur kreu i qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë