Politike

Rama kundër raportit për lirinë e medias: Tallje e gënjeshtra! Nuk ka media të intimiduara në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me raportin e “Reporterëve pa Kufij”, sipas të cilit liria e medias në Shqipëri është përkeqësuar me 20 vende përgjatë vitit të kaluar.

Rama e nis reagimin me vetëdijen se deklarata do të shkaktojë kundërreagime si ‘sulm, presion dhe agresion ndaj mediave’.

“Por e kam të pamundur të hesht kur shoh se si tallen disa me lirinë e fjalës dhe se si liria e shtypit bëhet liri e shtypjes, duke shkelur mbi faktet, njerëzit dhe vendin, në emër të saj!”, shkruan ai.

Mes gjetjeve, raporti flet për dhunë policore ndaj gazetarëve. Rama e quan gënjeshtër.

“Çfarë gënjeshtre! Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme politike? Çfarë fantazie! Vetërregullim etik në median shqiptare? Çfarë talljeje! Vetëm titulli mungon: Ankesa për mungesën e lirisë ngaqë s'dimë ç'të bëjmë me lirinë!”, thotë ai.

Rama mohon edhe gjetjen tjetër të raporti, që flet për media e gazetarë të intimiduar.

“Në Shqipëri s'ka as media të intimiduar, as gazetarë të penguar në lirinë e tyre. Madje në Shqipëri ka gjithnjë e më shumë viktima të shpifjeve, gënjeshtrave e lajmeve të rreme! Flitet për gjyqe me gazetarë, kur në fakt s'ka! Flitet për ligjin antishpifje kur në fakt s'ekziston!”, mbyll ai reagimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë