Politike

Rama: Do të çojmë dy satelitë në hapësirë vitin tjetër

Kryeministri Edi Rama tha për herë të parë këtë të enjte në seancë plenare të Kuvendit se Shqipëria synon që të çojë dy satelitë në hapësirë brenda vitit tjetër.

Deklarata e Ramës shkaktoi të qeshura në radhët e deputetëve të Partisë Demokratike, të cilave kreu i Qeverisë iu përgjigj duke thënë se plani për dërgimin e satelitëve ishte serioz.

"The do blejmë drona. Jo, do të blejmë drona, po do të çojmë edhe satelitë në orbitë. Do të çojmë dhe satelitë në orbitë, qeshni po kur të shikoni satelitët 'Shqipëria në Orbitë' dhe jo mandatin tjetër, por vitin tjetër. Atje, satelitët 'Albania 1' dhe 'Albania 2'! Qeshni, por do i shikoni atje në orbitë, sepse për ne ky vend nuk është ‘tokë e xanun’, që siç tha ai i foltores, bëtë të mundur ndërtimin e një qyteti të tërë pa leje, që ka qenë pretendim për t‘u futur si mrekulli e tetë e botës. Ne shohim shumë larg. Po ju them prapë, jo drona. Drona po e po, por edhe satelitë, që kontrolli mbi territorin, kufijtë, të kalojë në nivelin e teknologjisë dhe të hiqet nga duart e atyre që kontrollojnë me sy. Ju qeshni, është në të drejtën tuaj se të qeshurën e keni program partie. Edhe pse sot jeni në kushtet kur qeshni se nuk qani dot prapë ju kuptoj", tha Rama.

Kjo është hera e parë që përmendet nga kreu i Qeverisë. Në lidhje me këtë projekt nuk ka asnjë informacion nëse satelitët do të ngrihen në bashkëpunim me ndonjë kompani a shtet perëndimor, apo me Turqinë, që vitet e fundit ka zhvilluar mjaft teknologjinë hapësinore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë