Nga Bolonja nis aventura e Italisë në Ligën e Kombeve. Janë shitur thuajse të gjitha biletat në stadiumin “Dall'Ara” për ndeshjen e parë zyrtare të trajnerit Roberto Mançini, i cili ka marrë përsipër misionin e vështirë të rikthimit të Italisë në vendin që i takon. “Axurrët” ndeshen me Italinë për herë të 15-të në histori dhe herën e fundit kanë fituar 2-0 në 2011-ën, me gola të Mario Balotelit dhe Xhanpaolo Pacinit. Dhe pikërisht nga SuperMario trajneri Mançini synon ringritjen e Italisë.
Mançini do të bazohet te lojtarët që njeh më mirë për ta filluar me këmbë të mbarë Ligën e Kombeve, ku Italia bën pjesë në grupin 3 të Ligës A. Përballet me Poloninë, që gjithashtu ka bërë ndryshime në stol, pas eliminimit që në fazën e grupeve të Botërorit të Rusisë. Vendin e Adam Navalkës e ka zënë Jerzi Brzezek, i cili është një trajner i ri dhe që ka përvojën e parë me një ekip kombëtar. Në 14 ndeshje në total mes Italisë dhe Polonisë, “axurrët” kanë 5 fitore dhe 6 barazime.
Për t’u veçuar është fakti se është ndeshja e parë, ku nuk do të jetë në fushë asnjë nga “heronjtë” e “Gjermani 2006”, kur Italia u shpall kampione bote. Në vend të Bufonit dhe De Rosit, dy të fundit që kishin mbetur nga Italia e asaj kohe, luajnë Donaruma dhe Zhorzhinjo. Kapiteni Kielini është lideri i një grupi të rinjsh, që "nuk duhet të ketë frikë nga gabimet”, siç ka pohuar trajneri Mançini. Italia është gati për të nisur ngjitjen në renditjen e FIFA-s, për të arritur kualifikimin për në Europian nëpërmjet Ligës së Kombeve, ku e ka të ndaluar të gabojë për të mos zbritur në Ligën B.
Bernardeski, fantazisti i Juventusit, është dilema më e madhe e Mançinit: ta aktivizojë në mesfushë në krah të Zhorzhinjos dhe Pelegrinit, apo në sulm me Balotelin dhe Insinjen? Trajneri e ka provuar në të dy rolet dhe i sakrifikuari mund të jetë njëri mes Benasit ose Galiardinit në mesfushë dhe Kiezës në sulm. Italia do të luajë me skemën 4-3-3, që kompletohet me Zapakostën në të djathë të mbrojtjes, dyshen Bonuçi-Kielini në qendër dhe Krishiton në të majtë.
Polonia do të bazohet te sulmuesi Levandovski, por edhe tek “italianët” Shezni, Berezinski, Lineti, Milik dhe Zielinksi. Ndër ndeshjet e tjera në Ligën e Kombeve spikat sfida Turqi-Rusi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.