Ekonomi

Qeveria mbron PPP-të. Ekspertët: Janë borxh i fshehur

Nga PPP-të tek Eurobondi, pavarësisht demagogjisë për një projektbuxhet të bollshëm për 2019-ën, rritja ekonomike vazhdon të ketë kërcënim borxhin publik.

Si ekspertët vendas, ashtu edhe ata të huaj, gjykojnë se koncesionet përmes Partneritetit Publik Privat me ofertë të pakërkuar rrisin në mënyrë të fshehtë borxhin.

Shifrat e publikuara prej Ministrisë së Financave për tetë vitet paraardhëse tregojnë një trend rritës të borxhit publik. Në 2009 ky borxh ka rezultuar 59.67%,  kurse në 2018 ai shënon 68,9 %. Por në të nuk janë përfshirë kontratat koncensionare.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj në seancën plenare të së enjtes, nuk ka thënë asgjë të re në përpjekje për të sqaruar situatën e koncesioneve përmes Partneritetit Publik Privat, një mënyrë e ndërtimit të veprave publike e kontestuar vazhdimisht nga organizmat ndërkombëtare dhe opozita gjithashtu.

Ahmetaj përsëriti edhe një herë se PPP-të janë në shërbim të qytetarit dhe se çdo procedurë është bërë transparente nga qeveria.

Ministri tha se rrugët, përfshirë Rrugën e Arbrit, po ndërtohen me koncesion sepse njerëzit sipas tij nuk duhet të presin edhe 20 vjet të tjera që ato të ndërtohen nga buxheti i shtetit.

“Do prek një çështje që opozita e ka për qejf, çështja e PPP-ve, partneriteti publik privat. Janë të gjitha transparente në procedurë projektet. Kjo do të bëhet gjithnjë në sytë e publikut.

Dje opozita iu referua një çështjeje për koncesionet, që tha rëndojnë mbi qytetarët.
Rruga e Arbrit, me koncesion që kushton 240 mln euro. Pse duhej të bëhej tani kjo rrugë, dhe jo pas 20 viteve. Ajo rrugë duhej të bëhej tani edhe pse buxheti nuk kishte mundësi ta bënte dhe prandaj hyn në PPP, procedurë totalisht transparente. Kjo bën të mundur që dibranët të mos presin 20 vite për rrugën. Pyes opozitën, çfarë keni me dibranët që s’doni t’ju bëhet rruga? Se s’ju dhanë votën? S’jua dhanë se nuk e meritoni. Pse doni t’i bëni të vuajnë?

Ju s’doni as të marrin shërbim ashtu siç e marrin falas sot. Se dikur ishte me 80 mijë lekë. Pse nuk doni që të sterilizohen pajisjet mjekësore, por të infektohen pacientët? Pse nuk doni që të bëhet check-up falas? Pse s’doni që të pastrohet Tirana? Çfarë keni me popullin e Vlorës që s’doni të bashkohet me Himarën?

Ju doni koncesionet e pullave fiskale, ato të skanimit? E dini që jemi i vetmi vend në Europë që e bën? Rrugë me koncesione bën e gjithë bota. Vendi pararojë me skanim, biznesit i kushton 22 mln euro, buxhetit i kushton 19 mln dollarë. Këta flasin për PPP. Ne kemi bërë gjithë ato rrugë, dializë, check-up, inceneratorët për plehrat. Apo doni që qytetarët të mbyten? Janë shërbime publike. Rruga e Arbrit është me PPP. Do bëhet patjetër për qytetarët,” tha Ahmetaj.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetes demokrate Dhurata Çupi e cila përmes llogarisë së saj në Facebook është shprehur se “Rruga e Arbërit duhet bërë sa më parë, por jo duke u dhënë oligarkëve falas 160 milionë euro.”
Deputetja Çupi e ka konsideruar koncesionin për rrugën e Arbrit një mega-vjedhje të radhës të kësaj qeverie.

“Rruga e Arbërit ka qenë projekt prioritar i qeverisë Berisha, por jo si një projekt për hajdutët por për qytetarët. Dëgjova ministrin e financave të akuzojë opozitën që nuk e do ndërtimin e rrugës.

PO PO dhe PO e duam rrugën por jo për të vjedhur ju, sepse ky projekt parashikohej të kryhej për 140 milionē euro dhe jo për të dërguar në xhepat tuaj të paktën edhe 160 milion euro taksa të Dibranëve duke i adresuar kësaj rruge një shumë prej 300 milion euro. Ne duam që kjo diferencë mos të shkojë te xhepat tuaj dhe të blinit vota, por duam që kjo diferencë të përdoret për investime në turizëm si Lurë apo Kastriot apo Ura e Vashës , në të paktën 10 shkolla me kushte moderne, në rreth 10 qendra shëndetësore, për politika që u shërbejnë qytetarëve dhe jo oligarkëve.”- ka shkruar deputetja Çupi në llogarinë e saj në Facebook.
PPP-të shihen nga ekspertët si një shqetësim akut pasi ato rëndojnë borxhin publik si një borxh i fshehur.

Por sipas raportimit të borxhit nga Ministria e Financave, vlera e kontratës nuk shtohet në borxh, por vetëm pagesat që parashikohen të kryhen sipas viteve.

2017-a është mbyllur me një borxh faktik që nga Ministria e Financave është raportuar gati 70% e PBB-së, kurse sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, nëse llogariten dhe detyrimet e prapambetura, stoku real i borxhit publik arrin në 72% të PBB-së ose ndryshe 2.1% më i lartë sesa deklarimi zyrtar prej 69.9% i qeverisë.

Të dhënat e raportit më të fundit të Komisionit Europian për vendet e Ballaknit Perendimor të cilat synojnë integrimin në BE, kanë treguar se Shqipëria është e para në rajon me borxhin më të lartë publik dhe në lidhje me vjeljen e të ardhurave e parafundit pas Kosovës.

Sipas raportit të KE-së niveli i borxhit publik të Shqipërisë në 2018 në raport me PBB-në është 68, 7 % e ndjekur nga Maqedonia 66, 5% dhe Serbia 62, 8 %. Me borxhin publik më të ulët në rajon rezulton Kosova 17,6 % e PBB-së. Raporti parashikon se deri në 2020 borxhi i Shqipërisë do të bjerë me 5 pikë përqindjeje, por përsëri do të mbetet më i larti në rajon.
Kurse raporti i tranzicionit 2018-2019 të Bankës Europiane Për Rindërtim dhe Zhvillim i publikuar vetëm dy ditë më parë ka theksuar shqetësimin ndaj PPP-ve.

Përveçse janë të zhvilluara me procedura jo shumë transparente, po krijojnë shqetësime në lidhje me potencialin që ato kanë për të rritjen e detyrimeve të fshehura është cituar në raport për koncesionet me Partneritet Publik Privat, ku përmendet kontratën e shkurtit 2018 prej 240 milion euro me kompaninë lokale “Gjoka Construction” për ndërtimin, funksionimin dhe mirëmbajtjen e një pjese të rrugëssë Arbërit.

Edhe Banka Botërore në fillim të tetorit, ashtu si FMN më herët dhe vazhdimisht është shprehur kundër PPP-ve me ofertë të pakërkuar dhe rrezikun që i kanoset borxhit.

“Përdorimi i PPP-ve është i lartë e veçanërisht me ofertën e pakërkuar. Ky ka qenë dialogu me Ministrinë e Financave; të monitorohen PPP-të me kujdes dhe të ketë transparencë e jo favorizime”- do të shprehej BB më shumë se një muaj më parë.

Zef Preçi i shikon këto propozime si një borxh i maskuar për interesa klienteliste.

Kurse Konfindustria mendon se rasti i fundit i përplasjes ndërmjet Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për nivelin e borxhit publik, është shprehja më e qartë e dyshimeve serioze për saktësinë e tabelave ekonomike dhe financiare zyrtare shqiptare.

Konfindustria thotë, se prej një kohe të gjatë dhe në vazhdimësi ka patur dyshime për shkallën e vërtetësisë të tabelave fiskale, financiare dhe ekonomike të prodhuara nga agjencitë shtetërore shqiptare.

Sipas KLSH janë mbi 240 milionë detyrime financiare të padeklaruara dhe të pashlyera, që shteti shqiptar ka ndaj të tretëve, biznese dhe individë.

Shtoji kësaj shifre dhe 211 mld lekë të 15 kontratave koncensionare, pagesat e të cilave një pjesë kanë nisur të kryen dhe pjesa tjetër do të nisë gjatë 2019-ës.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë