Mendim

“Qeveria të tërhiqet nga ndryshimi i Kodit Penal”

Nga Koço Kokëdhima - Komisioni i Ligjeve vendosi sot që të zbusë disa masa të propozuara për t’u ndryshuar në Kodin Penal për ata që thyejnë rregullat e karantinës gjatë sëmundjeve infektive. Kjo nuk mjafton.
Partia ‘Zgjidhja’ është kundër ndryshimeve në Kodin Penal. Gjendja e fatkeqësisë natyrore është e përkohshme dhe në mbarë globin po përballohet me urdhra provizorë.
Përqendrimi te ashpërsimi i neneve të Kodit Penal, apo i Kodit Rrugor shërben më shumë për të tërhequr vëmendjen nga paaftësia tragjike e qeverisë dhe institucioneve të shtetit për të asistuar sistemin shëndetësor dhe ekonominë e mjeruar të vendit. Përballë situatës së paralajmëruar të pandemisë, ajo që bie në sy më shumë është mungesa katastrofike e ndihmës financiare për shtetasit dhe bizneset e prekur nga izolimi 5 javor. Paketat financiare të qeverisë janë qesharake. Të vetmet gjëra serioze e me peshë deri tani janë mbyllja, distancimi social, gjobat, ndëshkimet dhe projektdënimet penale të propozuara që nuk respektojnë liritë dhe të drejtat themelore të shtetasve.
Ripunimi i Kodeve duhet bërë nga profesionistët e fushës në kohë paqeje, pas një debati të gjerë publik, me të gjitha grupet e interesit dhe jo me emocionet dhe synimet e pushteteve autokratike për të konsoliduar e zgjeruar sundimin e tyre. Fokusi kryesor i këtyre ditëve duhet të jetë përtëritja dhe ringritja e sistemit shëndetësor, dalja me sa më pak jetë të humbura nga pandemia dhe propozimi i masave reale e serioze social-ekonomike për të nxjerrë ekonominë e vendit nga katastrofa. Nuk na ndihmon ashpërsia e panevojshme. Shqiptarët kanë respektuar kufizimet si asnjë popull tjetër. Qeveria duhet të vazhdojë të bashkëpunojë me qytetarët, jo të mendojë si t’i panikojë e depersonalizojë deri në fund ata.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë