Taksa

Qeveria, taksë qarkullimi 14% për prodhimet bujqësore vendase

Sabina Veizaj - Qeveria ka vendosur të mos tolerojë më fermerët në lidhje me TVSH-në. Përmes paketës fiskale 2019-të qeveria aplikon një TVSH në masën 6% për fermerët kur shesin prodhimet e tyre.

“Do bëjmë ulje drastike të TVSH-së për inputet bujqësore, sepse siguria lidhet me cilësinë e inputeve”, është shprehur në mesnëntor 2018 kryeministri Edi Rama duke theksuar se skema e rimbursimit të TVSH-së për fermerët ka pasur një defekt, pasi kanë përfituar më shumë pronarët e pikave të grumbullimit. “Për këtë arsye TVSH-në e inputeve do ta bëjmë nga 20 në 6% e do të ulim po ashtu edhe TVSH e rimbursueshme që kryesisht e kanë përfituar grumbulluesit. Kanë mungesë respekti për skemën pasi nuk e kanë ndarë me fermerët”, do të thoshte në atë kohë kryeministri Rama.

Por deri në 2018-n, a janë rimbursuar realisht fermerët? Sepse të rimbursohesh duhet të jesh regjistruar në regjistrin tregtar përmes një NIPT-i dhe të jesh person a subjekt i tatueshëm referuar bazës ligjore në fuqi.

Sipas UDHËZIM Nr. 19, datë 3.11.2014 "Për zbatimin e regjimit të veçantë të skemës së kompensimit prodhuesve bujqësorë për qëllime të tatimit mbi vlerën e shtuar" citohet se “Fermerët që i nënshtrohen kësaj skeme (rimbursimi), konsiderohen ajo kategori e prodhuesve bujqësorë të cilët nuk i nënshtrohen regjimit normal të TVSH-së për arsye se aplikimi i regjimit normal të TVSH-së krijon vështirësi administrative.”

Po në bazë të këtij udhëzimi, fermerët që janë objekt i skemës së kompensimit, duhet të pajisen me një çertifrikatë identifikimi (NIPT), lëshuar nga drejtoria rajonale tatimore ku ushtron aktivitetin fermeri për të përfituar nga kjo skemë, pa iu nënshtruar detyrimit për deklarim. (28 mijë fermerë janë të pajisur me certifikatë deri më tani sipas Ministrisë së Financave).

Fermerët deri në 31 dhjetor 2018 i njihej TVSH-ja, por nuk ishin të detyruar ta paguanin. Pra fermerët përmes çertifikatës janë toleruar nga TVSH-ja 20%, (jo rimbursuar) pasi ata nuk kanë qenë të regjistruar nën regjimin normal të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe nuk kanë pasur si të paguajnë 20% për çdo njësi prodhimi bujqësor të shitur sepse nuk ishin subjekt tatimor.

Si ka funksionuar shlyerja e TVSH-së deri në 31 dhjetor 2018?

Por kjo skemë qeverisë i rezultoi abuzuese nga ana e tregtarëve, grumbulluesve dhe eksportuesëve, të cilët mendohet të kenë përfituar në vend të fermerëve përmes letrave fiktive, rimbursim TVSH-je mbi 100 mln euro.

“Janë hapur një shumësi biznesesh të reja fiktive, magazina pa punëtorë. Thjesht për të blerë sasi të mëdha produktesh për t'i eksportuar që të përfitonin nga rimbursimi i TVSH-së”, thotë për Gazetën “Si” një sipërmarrës në fushën e produkteve bujqësore.
Sipas sipërmarrësve të fushës agro, kjo ka ardhur si pasojë e mungesës së monitorimit nga ana e qeverisë.

Çfarë ndodh me skemën e re të TVSH-së?

Për të gjitha produktet bujqësore në blerje do të njihet 6% e TVSH-së dhe në shitje 20%.

Sipas Uran Derri, përfaqësues i shoqatës Albanian Food Industry, sipërmarrës dhe financier njëkohësisht, skema e re e TVSH-së shkel nenin 2 të ligjit për TVSH-në i cili detyron tatim mbi çdo vlere që i shton produktit.

“Skema me 6% në blerje dhe 20% në shitje të të njëjtit produkt deformon rëndë parimin e pagesës së tatimit mbi vlerën e shtuar, pasi operatori ndërmjetës përveç 20% tatim mbi vlerën që ai i shton produktit duhet të paguajë edhe 14% të vlerës së krijuar nga një operator tjetër (fermeri informal) para tij.Kjo është një goditje për një sektor që i jep ekonomisë së vendit 26% dhe projektligji është kaluar në errësirë të plotë nga vëmendja e grupeve të interesit”, thotë Uran Derri.


“Skema me 6% në blerje dhe 20% në shitje të të njëjtit produkt deformon rëndë parimin e pagesës së tatimit mbi vlerën e shtuar, pasi operatori ndërmjetës përveç 20% tatim mbi vlerën që ai i shton produktit duhet të paguajë edhe 14% të vlerës së krijuar nga një operator tjetër (fermeri informal) para tij"- Uran Derri

Sipas përllogaritjeve, produktet vendase bujqësore do të kushtojnë 14% më shtrenjtë se ato të importit për blerësit e ndërmjetëm në zinxhirin e vlerës (për qëndrat e grumbullimit, rrjetet e supermarketeve, tregëtarët e shumicës dhe industritë), dhe kjo kosto tejkalon vlerën e 100 milionë euro në vit. Që ka nisur të reflektohet në xhepat e konsumatorëve të cilët si kurrë më parë kanë blerë qepën e preshin me 130 lekë/kg e gjithashtu edhe produktet e tjera me rritje të mëdha çmimi.

TVSH në nivelin në 6% apo 20% (pak rëndësi ka niveli) e pashoqëruar me masa rimbursimi ndaj fermerit për shitjet e tij dhe TVSH e akumuluar (si element nxitës), në fakt për agrobiznesin, nuk ka asnjë efekt mbi fermerin (siç nuk ka patur as kur ishte 20%)

“Efektivisht ky ndryshim impakton rëndë vetëm blerësin e parë të produkteve të fermerëve (cilido qoftë ai qëndër grumbullimi, rrjet supermarket apo industri etj.) duke e taksuar me një taksë të re të padeklaruar si të tillë, që i bie të jetë ´Taksa e Qarkullimit të Produkteve Bujqësore Vendase’ në nivelin 14% të vlerës së mallit. Del qartë se kjo taksë është e paligjshme për sa kohë nuk është deklaruar e lançuar si e tillë.”- thotë Uran Derri.

Sipas sipërmarrësve të këtij sektori, kjo barrë e re fiskale do të shoqërohet me:
• uljen të fuqisë blerëse veçanërisht nga shtresat në nevojë të cilat janë edhe konsumatorët kryesorë të prodhimit vendas,
• rritje të importeve për shkak të uljes së konkurrueshmërisë së prodhimit vendas, i cili nga kjo barrë e re fiskale do të humbasë 10%, ndërkohë që produktet e importit për shkak të rënies së EUR mund të jenë aktualisht 15% më të lira, cka do të thotë se prodhimi bujqësor e ushqimor vendas është afër 25% më pak konkurrues në krahasim me dy vite më parë.
• Rënie e prodhimit bujqësor primar vendas e rrjedhimisht ulje e interest te fermereve për angazhim në bujqësi e blegtori e reduktim i numrit të krerëve dhe potencialit prodhues
• Ulje e prodhimit industrial që do të shoqërohet me rritje të kostove të përgjithëshme e rrjedhimisht ulje e fitimit dhe aftësisë ri-investuese. Kjo do të shoqërohet me rënien e vendeve të reja të punës që krijohen nga ky sektor.
E gjithë kjo barrë e re fiskale do të jetë një shtytës i fuqishëm për informalizimin dhe rikthimin prapa të gjithë proceseve formalizuese të ndoshura në 3-4 vitet e fundit. Ky informalitet do të shoqërohet me:
• Cenim të rëndë të sigurisë ushqimore
• Ulje e aftësisë së bizneseve për kredimarrje pranë institucioneve financiare për zhvillim të mëtejshëm, për shkak të bilanceve të reduktuara si nga rënia e prodhimit real ashtu edhe nga informaliteti. Madje mund të figurohet edhe rritje e kredive të këqija për shkak të paaftësisë paguese të biznesit të gjendur në këtë “kurth” fiscal të paparalajmëruar.
• Rënie e të ardhurave të qendrueshme në buxhetin e shtetit për shkak të informalitetit galopant që do të ndodhë

Në mënyrë të vazhdueshme përfaqësuesit e agrobiznesit nën shoqatën Albanian Food Industry kanë patur korrespondencë me Ministrinë e Financave duke i kërkuar diskutime për rishikim të skemës së re të TVSH-së, e cila sipas tyre do t'i shpjerë drejt falimentimit.
Në takimin me zv/Ministrin e Financave Elton Haxhi, 100 bizneset nga sektori agro nuk morën asnjë sinjal për rishikim të skemës pasi Ministria e Financave thotë se skema e mëparshme ka shpënë në abuzime kolosale për arkën e shtetit.

AFI është duke bërë përpjekjen e fundit duke përgatitur një peticion dhe një letër drejtuar institucioneve kompetente. Nëse qeveria nuk e rishikon sërish skemën, mendohet që bizneset do të ndërmarrin masa drastike që do ti bëjnë me dije në ditët që do të vijnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë