Para

Qeveria siguron një tjetër kredi për të ndërtuar hekurudhën Vorë-Hani i Hotit. Balluku: E rëndësishme për të gjithë rajonin

Nga Gazeta 'SI' - Pas BERZH edhe Banka Europiane e Investimeve ka dakordësuar huanë me qeverinë shqiptare, për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit.

Me një njoftim nga BEI Globale, pjesë e BEI, thuhet se ajo do t’i japë Shqipërisë 100 mln euro për këtë projekt, në kuadër të paketës “Team Europe”, me qëllim modernizimin dhe elektrifikimin e një linje hekurudhore nga Vora në Shqipërinë e mesme deri në Hanin e Hotit në kufi me Malin e Zi.

Hekurudha do të jetë 120 km e gjatë dhe sipas ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, që firmosi huanë, do të jetë me rëndësi për të gjithë rajonin e jo vetëm Shqipërinë. Kredia që ka përfituar në total qeveria për këtë projekt arrin 200 mln euro.

“Si pjesë e Planit Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së, projekti përfiton nga një paketë e konsiderueshme grantesh, kredish dhe asistence teknike. Projekti do të nxisë zhvendosjen e modalitetit të transportit në atë hekurudhor, duke kontribuar në një sistem transporti më të qëndrueshëm për mjedisin, në përputhje me agjendën e gjelbër të BE-së.Infrastruktura e përmirësuar hekurudhore kontribuon në rritjen e lidhjes rajonale dhe në efikasitetin e transportit hekurudhor të mallrave dhe pasagjerëve”, thuhet në njoftimin e BEI.

Projekti do të jetë një bashkëfinancim i Bankës Europiane për Rindërtim Dhe Zhvillim, BEI dhe WBIF me kosto totale 370 mln euro.

Edhe kjo hekurudhë është pjesë e projektit gjigand të TEN T dhe do ta lidhë Shqipërinë me hekurudhat europiane  e rajonale. 

Momentalisht po zhvillohet hekurudha Durrës-Tiranë e cila pritet të mbyllet vitin e ardhshëm me një kosto totale prej 92.1 mln eurosh. Po ashtu linjë tepër me rëndësi është ajo e Durrës-Prishtinë, që është në proces studimi dhe do të kushtojë 700 mln euro.

Në një studim të fundit nga Instituti Ndërkombëtar për Zhvillim të Qëndrueshëm, përfitimet kumulative monetare të hekurudhës në qendër të Shqipërisë, për një periudhë 30- vjeçare përllogariten në 270.34 mln euro, duke zbritur kostot e investimit. I njëjti raport thekson se përfitimet shëndetësore dhe mjedisore janë të mëdha, si pasojë e reduktimit të emetimeve të gazeve me efekt serrë për shkak të reduktimit të automjeteve që do të qarkullojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë