Ngjarje

‘Shkrirja’ e Albanologjisë, reagojnë dy akademitë

Pas vendimit të shkrirjes së Akademisë së Albanologjisë dhe dërgimin e saj pranë Akademisë së Shkencave, kanë reaguar të dyja akademitë, njëra duke përshëndetur vendimin e tjetra duke e kundërshtuar.

Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike i mbledhur pas deklaratës publike të ministres, ka deklaruar se janë plotësisht kundër vendimit të Këshillit të Ministrave.

“Është një vendim politik që godet shkencën e albanologjisë në Shqipëri dhe është hartuar pa konsultime dhe pa transparencë”, shkruhet në deklaratën e Akademisë së Studimeve Albanologjike duke shtuar se Akademia do të vazhdojë misionin e saj për “mbrojtjen e lirisë akademike duke përdorur të gjithë instrumentet ligjore të një shteti demokratik”.

Nga ana tjetër, Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka përshëndetur vendimin e Qeverisë.

“Akademia e Shkencave përshëndet vendimin e Qeverisë për bashkimin e saj me Akademinë e Studimeve Albanologjike, duke e konsideruar atë si një vendim që u jep të dy institucioneve mundësinë dhe përgjegjësinë për zhvillimin në një nivel të ri të shkencave albanologjike”, shkruan Akademia e Shkencave.

Në deklaratën e Akademisë së Shkencave thuhet se statusi i ri që u jepet instituteve shkencore të albanologjisë si pjesë elitare e sistemit të kërkimit shkencor, do të forcojë dukshëm edhe vetë statusin e punonjësve shkencorë.

“Ky vendim shpreh rritjen e interesit e të angazhimit të qeverisjes për të rritur dhe evidencuar financimin dhe investimet për kërkimin shkencor, ashtu siç po vepron me mbështetjen për tri projektet madhore në albanologji e për ngritjen e njësive të reja kërkimore-shkencore me impakt kombëtar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë