Para

Qeveria rrit me 400 mln lek fondin e shpronësimeve në “Astir”

Qeveria ka rritur me rreth 420 milionë lek të tjera fondin për shpronësimet e pronarëve që preken nga zgjerimi i aksit Pallati me Shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja, pjesë e projektit të Unazës së Madhe.

Ndërhyrja në rishikimin me rritje të fondit është bërë në mbledhjen e së enjtes të Këshillit të Ministrave, ku është ndryshuar një vendim i marrë në prill të 2019, që e përcaktonte këtë fond në rreth 1.22 miliard lek.

Me ndryshimin e bërë, fondi rritet në rreth 1.64 mld lek, ndërsa janë shtuar edhe burimet se nga do të sigurohen këto para. Në VKM-në fillestare parashikohej që të gjitha këto para të siguroheshin nga “Fondi i Shpronësimeve” në Bankën e Shqipërisë.

Por, në VKM-në e re parashikohet që 1.22 mld lekë të sigurohen nga buxheti i vitit 2019 i Ministrisë së Infrastrukturës, 162 mln nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar, 200 mln të tjera nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe rreth 55 mln nga buxheti i vitit 2021 i Ministrisë së Infrastrukturës.

Zgjerimi i aksit “Pallati me Shigjeta-Rrethrrotullimi Shqiponja” është kundërshtuar nga banorët që preken prej tij dhe nga ana e opozitës, që e ka vlerësuar projektin si korruptiv dhe me kosto të fryrë.

Tenderi fillestar për rindërtimin e kësaj rruge rreth 2.2 kilometra të gjatë parashikonte një kosto rreth 40 mln euro. Aksi u nda në tre lote. Në lotin e parë fituese u shpall kompania DH-Albania dhe Biba X. Por, pas bërjes publike të falsifikimit të dokumentacionit nga kompania DH Albania, ky tender u anulua dhe pas rihapjes së tij fituese u shpall kompania Salillari me një ofertë prej 14.5 mln eurosh. Po kjo kompani kishte fituar më parë edhe tenderin për lotin e dytë për 12.8 mln euro, ndërsa loti 3 u fitua nga kompania Victoria Invest me kosto rreth 10 mln euro.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë