Taksa

Qeveria pranon të ulë taksën e infrastrukturës për bujqësinë dhe blegtorinë. Shifrat e Instat ‘mollë sherri’ në komisionin e Ekonomisë

Nga Gazeta ‘SI’ - Në komisionin e Ekonomisë, u dakordësua sot ndryshimi i taksës së ndikimit në infrastrukturë për subjektet bujqësore dhe blegtorale si një lehtësim për këtë sektor. Në propozimin e bërë nga i gjithë komisioni i Ekonomisë, kërkohet që për ndërtimet bujqësore apo blegtorale, taksa e ndikimit në infrastrukturë të jetë 1-2% të vlerës së investimit dhe për në zonën e Tiranës. 2-4%.

Përfaqësuesit e ministrisë së Bujqësisë dhe Financave, pranuan parimisht propozimin, duke shtuar se në fakt norma e tatimit mund të ulet edhe në 0.5%. Ata propozuan dhe unifikimin e kësaj takse në nivel kombëtar.

Sipas të gjithë anëtarëve të komisionit dhe përfaqësuesëve të ministrisë, kjo do të jetë pozitive për zhvillimin e sektorit dhe ndihmë për fermerët, individë apo sipërmarrës. Sipas projektligjit, ulja do të bëhet edhe në ndërtesa për turizmin, qëllime vetjake dhe publike. Aty përmendet se do të ketë efekte financiare negative në buxhetet e Njësive të Vetëqeverisjes Vendore, për shkak të reduktimit të nivelit të taksës në përqindjen e përcaktuar nga vendimet e Këshillave Bashkiake të secilës Bashki, por efekti është i pamundur të përllogaritet për shkak të mos njohjes të numrit të subjekteve që do të kryejnë investimet e reja për ndërtimin e strukturave që destinohen për përdorim në sektorin bujqësor dhe blegtoral.

Lidhur me bujqësinë, deputeti socialist Erion Braçe përmendi shifrat e fundit të Instat, ku bujqësia ishte në stanjacion.

“Me statistika zyrtare, kemi humbur 40 mijë lopë! Ju merrni shqetësimet dhe prap i vini në dyshim. Më pas hidheni në sulm e thoni ky është populizëm e janë interesa personale dhe nuk reagoni. Kjo rënie më shton dyshimin për pjesën tjetër, për shifrat e qumështit që nxjerr Instat. Ai që hamë është bulmet me suplemente”, tha Braçe.   

Ai përmendi dhe situatën fatkeqe të fermerëve që kultivojnë grurin duke i kërkuar ministrisë t’i suportojë ato me lekë për kilogram grurë dhe jo lekë për hektar grurë.

“Është bukë! Dëgjojeni këtë shqetësim. Gruri shitet 26-28 lekë, ureja 60 lekë dhe mielli 70 lekë. Mos dilni të na thoni i cakton tregu çmimet se ky nuk është treg, ky është pazar! Por ju nuk na dëgjoni”, përfundoi deputeti socialist.

Në mbyllje të mbledhjes së komisionit, kreu Eduart Shalsi përmendi një tjetër problematikë që mban pezull vendimmarrjen eficiente, mospërputhja e të dhënave midis institucioneve.

“Ne na vinin të dhëna që nuk përputheshin me databazat e ministrive. Duhet të përmirësojmë databazën e informacionit dhe të saktësojmë të dhënat, që mos debatojmë për shifrat e mospërputhjet midis institucioneve”, tha Shalsi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë