Nga Gazeta ‘Si’- Në strategjinë e re të transportit, qeveria shqiptare synon ta kthejë atë në një mjet të zhvillimit ekonomik dhe jo vetëm infrastrukturor.
Në dokumentin e hedhur për konsultim parashikohet transformimi rrënjësor i infrastrukturës në Shqipëri, me një faturë financiare që arrin në afërsisht 8 miliardë euro për 4 vitet e ardhshme.
Një nga shtyllat kryesore të strategjisë është integrimi i Shqipërisë në rrjetin europian të transportit, i njohur si TEN-T. Ky rrjet konsiderohet thelbësor për lidhjen e vendit me tregjet e Bashkimit Europian. Sipas planit, rrjeti kryesor synohet të përfundojë deri në vitin 2030, ndërsa i gjithë rrjeti deri në vitin 2050. Në këtë kuadër, rëndësi e veçantë i jepet korridoreve strategjike, si Korridori VIII dhe ai Adriatiko-Jonian, të cilët pritet të forcojnë rolin e Shqipërisë si një pikë kyçe tranziti në rajon.
Strategjia synon edhe modernizimin e sektorit. Ajo parashikon uljen e ndotjes, përdorimin e energjive të pastra dhe zhvillimin e infrastrukturës për makinat elektrike. Po ashtu, parashikohet futja e sistemeve inteligjente, si menaxhimi digjital i trafikut dhe biletimi elektronik, për ta bërë transportin më efikas.
Një tjetër fokus është transporti multimodal, që lidh transportin rrugor, hekurudhor, detar dhe ajror në një sistem të vetëm. Kjo pritet të ulë kostot dhe të përmirësojë shërbimet.
Vetë strategjia pranon se sektori përballet me probleme si digjitalizimi i ulët dhe mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Financimi do të vijë nga buxheti i shtetit, donatorët dhe institucionet ndërkombëtare, me fokus kryesor te rrugët dhe hekurudhat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje