Para

Qeveria, pagesa suplementare mbi pensionet e profesioneve të vështira

PunonjësVE që e kanë ushtruar aktivitetin e tyre në miniera, në nëntokë, në industrinë e naftës e të gazit dhe në metalurgji e aktualisht janë në pension, qeveria ka vendosur t'u japë edhe një trajtim tjetër financiar përveç pensionit.

Sipas vendimit të qeverisë së pak ditëve më parë, përfitues janë pensionistët, të cilët kanë përfituar pension sipas bazës ligjore në fuqi, kurse periudhat e sigurimit të pambuluara me kontribute, të paguara në fondin e sigurimeve shoqërore, nuk njihen të vlefshme.

Vendimi parashikon që personat përfitues përpos pensionit që marrin aktualisht, do të gëzojnë të drejtën për pension për shkak të profesionit (llojit të punës), shtesë mbi pensionin e pleqërisë dhe shtesë mbi pensionin e invaliditetit.

Mosha për të përfituar, për ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit punë të kategorisë së parë: për burrat 55 vjeç; për gratë 50 vjeç.

Periudha përgjithshme e sigurimit: për burrat 30 vjet; për gratë 25 vjet;

Vjetërsia në punë të kategorisë së parë: për burrat 15 vjet; për gratë 12.5 vjet.

Kurse për punët e kategorisë së dytë në këtë sektor; mosha: për burrat 60 vjeç; për gratë 55 vjeç; periudha e sigurimit: për burrat 30 vjet; për gratë 25 vjet kurse vjetërsia në punë të kategorisë së dytë: për burrat 20 vjet; për gratë 15 vjet.

Për ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në metalurgji mosha: për burrat 60 vjeç; për gratë 55 vjeç. Periudha e sigurimit: për burrat 30 vjet; për gratë 25 vjet. Vjetërsia në punë të kategorisë së parë: për burrat 20 vjet; për gratë 15 vjet.

Masa e përfitimit mujor e shtesës mbi pension:

Punonjësit e nëntokës, 1% të masës së pensionit të pleqërisë;
Punonjësit e industrinë së naftës e të gazit dhe punonjësit e metalurgjisë, 0,6 % të masës së pensionit të pleqërisë.

Shtesën mbi pension e përfitojnë të gjithë personat që kanë jo më pak se 6 vite në profesionet dhe punët e përcaktuara në këtë ligj.

Masa e përfitimit për invalidët është në masën 1% për çdo vit vjetërsie pune në miniera, në nëntokë, industrinë e naftës dhe në metalurgji.

E drejta për të përfituar pensionin dhe shtesën mbi pension nuk parashkruhet. Por personi, i cili kërkon të përfitojë pension sipas përcaktimeve të këtij ligji, e përfiton atë: nga data e lindjes së të drejtës për përfitim, kur kërkesa paraqitet brenda një viti nga data e lindjes së kësaj të drejte;

Nga data e paraqitjes së kërkesës, kur ajo paraqitet pas një viti pas lindjes së të drejtës për përfitimin e pensionit.

Personi, i cili ka përfituar pension sipas përcaktimeve të këtij ligji, nuk ka të drejtë përfitimi të kësteve mujore të pensionit të pleqërisë për periudhën/at gjatë të cilave ushtron veprimtari ekonomike si i punësuar, i vetëpunësuar apo punëdhënës. Pagesat e përfitimeve ndalohen për çdo kohë që përfituesi është punësuar ose ka qenë ekonomikisht aktiv, me përjashtim kur vetëpunësohet në bujqësi.

Përfitimet e caktuara, por të pa tërhequra, paguhen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet. Përfitimet e caktuara, por të paguara më pak, jepen në çdo kohë, por jo më shumë se për 3 vjet.

Personi, i cili ka përfituar pension e kompensime në mënyrë dhe me mjete në kundërshtim me ligjin dhe që nuk njofton ndryshimin ose heqjen e masës së tyre, detyrohet ta kthejë të gjithë shumën e marrë tepër. Masa e ndalesës për çdo muaj është 50 për qind e këstit mujor të pensionit. Gjithashtu, personi dënohet me gjobë, në masën e katërfishit të dëmit të shkaktuar, pavarësisht nga dënimi i parashikuar në dispozitën përkatëse të Kodit Penal.

Kontributet që duhen paguar

Personat e punësuar në industrinë minerare, në industrinë e naftës e të gazit dhe në metalurgji, dhe punëdhënësit e tyre, janë të detyruar të paguajnë kontribut pension për shkak të profesionit; përfitimet shtesë mbi pensionin e pleqërisë.

Shuma e kontributit varet nga paga totale (bruto) e punëmarrësit. Kontributi nuk mund të caktohet nën një pagë minimale dhe mbi një pagë maksimale mujore.

Kontributi, që paguhet për mbulimin e përfitimeve të pensioneve për shkak të profesionit, përcaktohet në masën 5% të pagës bruto dhe ndahet në 3 % nga punëdhënësi dhe 2 % nga punëmarrësi.

Kontributi që paguhet për mbulimin e përfitimeve shtesë mbi pensionin e pleqërisë përcaktohet në masën 5 % të pagës bruto dhe ndahet në 2.5 % nga punëdhënësi dhe 2.5 % nga punëmarrësi.

Kontributet për të punësuarit mbi moshën 48 vjeç, mblidhen dhe derdhen në fondin e sigurimeve shoqërore sipas procedurave për mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore të detyrueshme. Diferenca ndërmjet efektit financiar të dy llojeve të përfitimeve, sipas këtij ligji, me kontributet shtesë, do të përballohet nga fondet e buxhetit të shtetit. Shuma vjetore e transfertës nga buxheti i shtetit dhe procedurat e financimit të fondit të sigurimeve shoqërore miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë