Menaxhim

Qeveria ‘ndërhyn’ në paratë e inceneratorëve

Inceneratorët do të ‘koordinohen’ nga një agjenci shtetërore.

Nga Gazeta Si - Qeveria ka vendosur të krijojë Agjencinë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve, që duket më së pari si një përpjekje për të rikompozuar administrimin e parave që vijnë për inceneratorët. Në vendimin e bërë publik thuhet se kjo agjenci “do të bëjë koordinimin, monitorimin dhe bashkëpunimin me njësitë e qeverisjes vendore, institucionet e administratës publike dhe partnerët ndërkombëtarë në menaxhimin e integruar të mbetjeve, me qëllim kalimin e këtij sektori në ekonomi qarkulluese”.

Lavdosh Ferruni, ekspert mjedisi, thotë për Gazetasi.al se kjo agjenci do të zbehë në parim rolin e inceneratorëve, por duke qenë se nuk ka një afat për zbatimin e funksioneve të agjencisë, inceneratorët mbeten prezent.

Edhe me krijimin e kësaj agjencie, privati nuk përjashtohet por do jetë shteti ai që do të koordinojë edhe privatët.

Ferruni thotë se agjencia nuk do të jetë ‘pikë kalimi’ i fondeve por do bëjë koordinimin edhe mes privatëve.

“Madje mundet që nëpërmjet kësaj agjencie, mund të gjenerohen financime nga "donatorë" të huaj për inceneratorët.

Zgjedhja e inceneratorëve hyri në krye të listës së qeverisë për ‘shpëtuar” Shqipërinë nga plehrat edhe pse nga Bashkimi Europian por edhe sipas strategjisë kombtearë, degia ishte propozimi i fundit.

Në vendimin e qeverisë shpjegohet se Agjencia e re e krijuar do të bëjë promovimin dhe nxitjen e zbatimit të hierarkisë së mbetjeve për zhvillimin gradual të grumbullimit përmes ndarjes në burim e riciklimit në shkallë të gjerë dhe monitorimin e implementimit të standardeve dhe edukimin mjedisor, në përputhje me kompetencat e përcaktuara në këtë vendim dhe dispozitat në ligjin përkatës për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Agjencia do të jetë në varësi të Ministrisë së Mjedisit dhe do të financohet nga buxheti i shtetit.

Historia e djegies së mbetjeve me qëllim prodhimin e energjisë nisi në dhjetor të vitit 2014.

Në 2015 filluan që të konkretizohen lëvizjet dhe të përkthen në veprime ligjore për kontratat koncesionare të inceneratorëve.

Qeveria ka firmosur tre kontrata koncesionare për ndërtim inceneratorësh në Elbasan, Fier dhe në Tiranë me një vlerë investimi prej 178 milionë eurosh në total.

Koncesioni i trajtimit të mbetjeve Elbasan (Albtek Energy) ka kosto totale prej 5.3 miliardë lekësh, Inceneratori i trajtimit të mbetjeve Fier ka një kosto totale prej 3.97 miliardë lekë dhe Inceneratori i Tiranës  me kosto totale 31.17 miliardë lekë.

Ish- ministri i Mjedisit Lefter Koka është vendosur në pranga dhe janë shpallur në kërkim biznesmenët Klodian Zoto dhe Stela Gugallja për aferën e ndërtimit të inceneratorëve. Ndërkohë për inceneratorin e Tiranës deri më tani janë arrestuar 4 persona nga 15 urdhër-arreste të lëshuara.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar më herët ketë vit se, projekti i inceneratorit të Tiranës ka rezultuar që në fillim i papërballueshëm për buxhetin e shtetit, ndërsa Bashkisë së Tiranës nga viti 2018 i janë dyfishuar kostot e pastrimit të qytetit, pikërisht për shkak të pagesave që ajo duhet t’u bënte inceneratorëve.

Me propozimin e opozitës u krijua edhe një komision hetimor ku në një nga komisionet u thirr edhe Kryeministri Rama. Opozita ka paraqitur në Komision hetimor dëshmi se në dhënien e koncesioneve ka pasur shkelje ligjore në dhënien e tre kontratave koncesionare dhe se përfituesit e tyre kishin krijuar skema korruptive dhe pastrimi parash.

Gjykata ka dënuar ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka me 8 vjet e 6 muaj burg, i cili do të kryejë 5 vjet e 8 muaj duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar.

Klodian Zoto dënohet me 10 vjet burg, nga gjykimi i shkurtuar do të kryejë 6 vjet e 8 muaj. Po kaq është dënuar edhe i akuzuari tjetër për aferën e inceneratorit të Elbasanit, Mirel Mërtiri.

Stela Gugallja është dënuar me 7 vjet burg dhe do të kryejë 4 vjet e 8 muaj.

Shumë zyrtarë janë marrë në pyetje nga SPAK inceneratorët, ndërkohë që edhe ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është i përfshirë zyrtarisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë