Menaxhim

Qeveria miraton rregulla të reja për bastet online

Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria ka miratuar një vendim të ri që përcakton procedurat dhe afatet për pezullimin ose revokimin e licencave të operatorëve që ushtrojnë aktivitetin e basteve sportive online në Shqipëri.

Sipas vendimit, licenca mund të pezullohet ose të hiqet për operatorët që nuk plotësojnë kushtet bazë të licencimit, nuk garantojnë fondin e kërkuar të garancisë, përsërisin shkeljet e parashikuara në ligj, nuk shlyejnë detyrimet ndaj Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF) apo nuk paguajnë fituesit e lojërave.

Procedurat për marrjen e masave do të nisin nga AMLF ose Komisioni i Licencave, në varësi të natyrës së shkeljes. Pas verifikimeve dhe shqyrtimit të dokumentacionit, Komisioni mund t’i propozojë ministrit përgjegjës për Financat pezullimin ose revokimin e licencës, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret me urdhër të arsyetuar nga ministri.

Vendimi garanton gjithashtu të drejtën e operatorëve për t’u njoftuar paraprakisht, për të marrë pjesë në seanca dëgjimore dhe për të paraqitur argumentet e tyre përpara se të merret një vendim.

Sipas rregullave të reja, licenca mund të pezullohet për një periudhë nga 30 ditë deri në plotësimin e kushteve të kërkuara, por jo më shumë se dy vjet. Gjatë kësaj periudhe operatori nuk do të lejohet të ushtrojë aktivitetin dhe do të duhet të zbatojë të gjitha detyrimet e përcaktuara në urdhrin e ministrit.

Vendimi parashikon edhe ngritjen e një komisioni AD-HOC pranë Ministrisë së Financave, i cili do të shqyrtojë rastet e propozuara për pezullim ose revokim licence. Ndërkohë, AMLF do të monitorojë zbatimin e urdhrave dhe respektimin e kushteve nga operatorët.

Operatorët e prekur nga këto masa do të kenë të drejtën ta ankimojnë vendimin në gjykatën kompetente, sipas legjislacionit në fuqi.

Vendimi do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë