Nga Gazeta ‘SI’- Qeveria shqiptare ka hedhur për konsultim publik një projektligj të ri me fokus mjedisin.
Sipas draftit “Për mbrojtjen e mjedisit”, do të krijohet Fondi Kombëtar i Mjedisit. Kjo nismë synon të adresojë mungesën e një mekanizmi të qëndrueshëm financiar dhe të centralizojë fondet që aktualisht janë të shpërndara, duke rritur efektivitetin e politikave mjedisore në vend.
Fondi i ri do të administrohet nga Ministria e Mjedisit dhe do të shërbejë si instrumenti kryesor për mbështetjen e projekteve afatgjata. Përzgjedhja e projekteve do të bëhet përmes një kolegjiumi të posaçëm të përbërë nga nëpunës të administratës publike, ndërsa vendimmarrja finale do të jetë në dorë të ministrit. Përfitues të këtyre financimeve mund të jenë individë, organizata të shoqërisë civile, si dhe subjekte private apo publike.
“Nevoja për ndërmarrjen e kësaj nisme ligjore buron nga mungesa e një mekanizmi të qëndrueshëm financiar publik i dedikuar ekskluzivisht mbrojtjes së mjedisit. Aktualisht, financimi i projekteve mjedisore është i shpërndarë dhe jo i sistemuar, gjë që kufizon efektivitetin dhe vijimësinë e politikave kombëtare mjedisore’, argumenton ministria në projektligj.
Një nga pikat më specifike të këtij drafti është se Fondi Kombëtar i Mjedisit nuk do t’i nënshtrohet legjislacionit të prokurimit publik. Sipas relacionit shpjegues, kjo lëvizje bëhet për të shmangur pasiguritë ligjore dhe për të garantuar një reagim më të shpejtë në financimin e projekteve prioritare. Fondi parashikon mbulimin deri në 100% të kostove për iniciativa të caktuara, si dhe mundësinë që projekte të rëndësisë së veçantë të përthithin mbi gjysmën e buxhetit vjetor.
Burimet financiare do të sigurohen kryesisht nga Buxheti i Shtetit, por struktura e fondit lejon edhe kontribute nga donatorë të huaj dhe partnerë ndërkombëtarë. Investimet do të orientohen drejt pyllëzimeve, rehabilitimit ekologjik, mbrojtjes së biodiversitetit dhe përmbushjes së detyrimeve për Kapitullin 27 të acquis-it mjedisor, në funksion të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje