Para

Qeveria kërkon shtyrjen e pagesave për koncesionin e skanimit

Qeveria kërkon që të shtyjë për në vitin 2022 shlyerjen e detyrimeve të prapambetura ndaj kompanisë “Rapiscan”, e cila ofron që prej vitit 2013 shërbimin e skanimit në dogana, të fituar përmes një koncesioni të kontestuar.

Propozimi është dorëzuar për miratim në Kuvend. Në të thuhet se kompanitë “S2” dhe “Rapiscan” kanë rënë dakord me Ministrinë e Financave që të amendojnë marrëveshjen ekzistuese, duke shtuar një pikë në nenin 10, që ka të bëjë me pagesat që shteti shqiptar derdh në arkat e kompanisë si tarifë për shërbimin e ofruar nga kjo e fundit.

Sipas këtij propozimi, Ministria e Financave kërkon të shtyjë për t’u paguar me këste mujore përgjatë të gjithë vitit 2022 detyrimet për muajt shtator, tetor dhe nëntor të 2020-ës, bashkë me rreth 200 mijë euro detyrime të papaguara për një pikë operimi për muajin gusht të të njëjtit viti.

Në total, shuma që shtyhet për t’u paguar në vitin 2022 është rreth 3,35 milionë euro, që ndahet në 12 këste mujore me nga 280 mijë euro për muaj. Në këmbim të kësaj, kompania “Rapiscan” zotohet që të mos ndërmarrë penalitete, apo kamatëvonesa ndaj Qeverisë shqiptare.

Koncesioni i skanimit të kontenierëve nëpër doganat shqiptare u dha nga Qeveria Berisha në vitin 2013, në javët e fundit të saj në pushtet. Partia Socialiste e konsideroi këtë një aferë të mirëfilltë korruptive dhe premtoi anulimin e koncesioni/

Në shtator të 2013-ës, pak pasi socialistët kishin marrë pushtetin, kompania S2 Albania shiti 49 për qind të aksioneve te kompania shqiptare ICMS, ndërsa qeveria e re njoftoi tërheqjen nga zotimi për anulimin e koncesionit duke thënë se kontrata ishte rinegociuar duke siguruar kushte më të favorshme për shtetin shqiptar.

Rapiscan ka disa pika kontrolli në doganat shqiptare dhe sipas kontratës, në rastet e fitimit të munguar përfiton pagesa të drejtpërdrejta nga buxheti i shtetit. Këta pagesa shkojnë 10 deri në 15 milionë euro në vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë