Mendim

Qeveria Conte nuk “është as e gjallë as e vdekur”

Italia ndodhet sërish në kaos politik. Në një konferencë të shumë pritur të mërkurën (më 13 janar), ish-kryeministri Matteo Renzi njoftoi se dy ministrat e partisë së tij të vogël, Italia Viva, nuk do të jenë më pjesë e qeverisë së majtë të udhëhequr nga Giuseppe Conte .

Sipas Renzit, Conte nuk i respekton rregullat e demokracisë. Vendimi shkaktoi zemërim midis partive të tjera në qeverinë e Conte: Partisë Demokratike, Lëvizjes populiste Pesë Yje dhe LEU-së.

Për Zingaretti, kreun e Partisë Demokratike, "lëvizja e Renzit ishte një veprim shumë i dëmshëm".

Menjëherë pas konferencës për shtyp, partia Lega e Matteo Salvinit dhe Vëllezërit e Italisë bënë thirrje për dorëheqjen e Contes dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Sidoqoftë nuk ka gjasa që Italia të shkojë në zgjedhje. Goditja e Renzit sigurisht që e dobëson Conten, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ky është fundi i qeverisë së tij.

Italia ka pasur 10 kryeministra në 20 vitet e fundit, duke qëndruar kështu në një konstrast të fortë me Gjermaninë, për shembull, ku kancelarja Angela Merkel ka mbajtur detyrën që nga viti 2005.

Por kaosi italian duket se ka ligjet e veta të fizikës kuantike.

"Qeveria e Conte është si një lloj mace Schrodinger", shkruan sot gazeta “EU Observer”, duke iu referuar një paradoksi të famshëm në fizikën teorike, në të cilin një mace në një kuti është e gjallë dhe e vdekur në të njëjtën kohë, për shkak të matematikës së grimcave nën-atomike. Sipas gazetës, qeveria Conte nuk është as e gjallë, as e vdekur dhe për të gjithë partitë politike në Itali, përvec Legës së Salvinit, kjo është zgjidhja më e mirë e mundhshme.

Nëse qeveria Conte nuk ka “vdekur” nuk mund të ketë zgjedhje të reja, kështu që Renzi nuk rrezikon të humbasë 48 vendet e tij në parlament (sipas sondazheve, partia e tij ka më pak se 3 përqind mbështetje).

Në të njëjtën kohë, nëse qeveria nuk është gjallë, Conte nuk mund t’i bëjë hije Renzit.

Conte nuk mund të kthehet në Andreottin e ri të vendit fqinj, ashtu siç kishin filluar ta cilëson gazetat italiane kur mori detyrën, duke iu referuar Giulio Andreotti, ish-kryeministrit që riktheu stabilitetin politik në vitet 1970.

Interesi i Renzi është që kjo status quo të zgjasë deri në korrik, kur presidenti i republikës, Sergio Mattarella, do ta ketë të pamundur të thërrasë më zgjedhje të reja.

Në këtë pikë, Renzi mund të inkurajojë krijimin e një qeverie të re, duke marrë postin e ministrit të jashtëm. /Eu Observer/Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë