Para

Qendra e vaksinimit te “Air Albania”, FSHF kërkon ndarjen e kostove

“Air Albania Stadium” është vendi i përzgjedhur për të bërë vaksinat kundër COVID-19. Vaksinimi nisi para disa ditësh, teksa mes personave që u vaksinuan te parët ishte edhe kryeministri Edi Rama. Sipas planit të Qeverisë, kjo do të jetë edhe qendra më e madhe e vaksinimit në vend, me një kapacitet vaksinues deri në 60 qytetarë në orë.

Vendimi për ta kthyer stadiumin në qendër vaksinimi është marrë në bazë të një akti normativ që detyron spitalet private, strukturat ambulatore dhe ato hoteliere, përfshirë autoambulancat dhe personelin përkatës, të vendosen në dispozicion të shërbimit publik shëndetësor. Ky akt ka fuqinë e ligjit deri në përfundimin e asaj që kryeministri Rama e quan luftë me virusin.

FSHF, nga sa mëson Gazeta Si, nuk është kontaktuar dhe ka dërguar shkresat e para ku kërkohet që të ndahen kosotot e mirëmbajtjes së  stadiumit “Air Albania”, për periudhën që do të vazhdojë vaksinimi (pagesa e përbashkët e energjisë elektrike, security apo edhe ndonjë dëm që mund të shkaktohet gjatë kësaj periudhe). Mbetet të shihet se cila do të jetë përgjigja nga ky institucion, me të cilin FSHF më parë pati replika në lidhje me rinisjen e kampionatit sezonin e shkuar.

Vendimi për të kthyer stadiumin në një qendër vaksinimi ka ndikuar edhe në ecurinë e Kategorisë Superiore. Derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës, me datë 21 janar, në orën 18:00, do të luhet në “Elbasan Arena”. Ndryshe nga derbi i parë që u luajt në kryeqytet në “Air Albania”, sfida e dytë derbi do të luhet në Elbasan. Përpos derbit, pritet të vendoset edhe për fatin e ndeshjeve të tjera të planifikuara fillimisht në ‘’Air Albania’’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë