Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 16-vjeçar, ka shpallur në kërkim një tjetër si dhe ka proceduar 4 të tjerë, pasi kanë qëlluar me armë zjarri në fshatin Hot i Ri.
Siç njofton policia, pasi kanë marrë informacionin, Forcat “Shqiponjat” dhe disa Patrulla të Përgjitshshme, nën drejtimin e grupit të drejtimit, shkuan në fshatin Hot i Ri, lokalizuan vendin dhe me profesionalizëm neutralizuan adoleshentët, njëri prej të cilëve mundi të largohej.
Në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri automatik, e cila rezultoi se i përkiste shtetasit E. Z.
Policia thotë se është vënë në pranga shtetasi E. Z., 16 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe ”Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Është shpallur në kërkim shtetasi K. F., 15 vjeç, banues në fshatin Grude e Re, të Bashkisë Shkodër, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Gjithashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë edhe katër adoleshentë të tjerë, të moshës 15 e 16 vjeç, për veprën penale “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Materialet i kaluan Prokurorise së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.