Libra

Që nga shkrepja e parë e Marubit, për herë të parë një botim mbi historinë e fotografisë shqiptare

fotografi nga Kel Marubi

Nga Gazeta Si - Historia e fotografisë shqiptare që nga shkrepja e parë në vitin 1865 nga Pjetër Marubi dhe deri në vitet 2000 vjen e përmbledhur në një studim nga kritiku i artit, Ermir Hoxha.

Ky studim mbi artin dhe mjeshtërinë e fotografisë në Shqipëri bën bashkë historinë, etnografinë, të bukurën, propagandën dhe estetikën duke dhënë një panoramë më të plotë të zhvillimit të fotografisë në vendin tonë.

Kritiku i artit, Ermir Hoxha, thotë për Gazetën “Si” se ky botim është një studim i plotë mbi fenomenin i shtrirë nga gjeneza e vet deri në fund të shek. XX.

“Botimi ‘Historia e Fotografisë Shqiptare 1865-2000’, erdhi si kërkesë e domosdoshme e plotësimit të kurrikulës së Programit të Studimit të Fotografisë, program i sapohapur në Fakultetin e Arteve të Bukura, (Universiteti i Arteve). Ai është një studim i plotë mbi fenomenin i shtrirë nga gjeneza e vet në mesin e shek. XIX, deri në dekadën e fundit të shek. XX. Ky botim i propozuar në këtë formë e kohëzgjatje ende i mungonte publikut vendës dhe atij të huaj”, shprehet Hoxha për Gazetën “Si”.

Botimi "Historia e Fotografisë Shqiptare"

Që nga shkrepja e parë e Marubit, pasqyrohen mbi njëqind autorë të rëndësishëm me rreth 600 imazhe ilustruese me cilësi maksimale. Sipas Hoxhës, ky studim përqaset ndaj fenomenit sa në formë historike horizontale, aq dhe vertikale fenomenologjike.

“Botimi përfshin mbi 100 autorë të rëndësishëm. Në fund ai shoqërohet nga një përmbledhje prej 10 faqesh në gjuhën angleze si një mundësi aksesi dhe nga publiku i huaj dhe përmbyllet nga një aparat biografik dhe bibliografia me mbi 300 zëra mes botimesh e artikujsh nga periodik vendas dhe të huaj. Në të pasqyrohen kërkimet më të fundit studimore të kolegëve, pa të cilën ky botim s’do ishte kurrë i plotë. Studimi ka si recensues shkencor Prof. Asc. Albes Fusha, Prof. Gazmend Leka dhe studiuesin dhe kuratorin Z. Genti Gjikola. Përveç këtyre ka pasur dhe konsulent fotografët Besim Fusha dhe Alqi Golloshi”, vijon më tej Hoxha për Gazetën “Si”.

Historia e fotografisë në këtë botim vjen e pasqyruar në 3 pjesë; pjesa e parë 1865-1900, pjesa e dytë 1900-1945 dhe pjesa e tretë 1945-2000 që sjell më afër realitetin e pasluftës ku fotografia vinte edhe si mjet propagande. 

“Pjesa e parë konsiston në trajtimin e tematikave prezantuese mbi fenomenin, si p.sh: Lindjen e Fotografisë, Dritëshkronjat e para në Shkodër nga Pietro Marubbi e Kolë Idromeno, fotografët e huaj në Shqipërinë e shek. XIX, ambiciet artistike të fotografisë dhe dialogu me pikturën. Pjesa e dytë trajton formatin artistik të fotografëve të shquar shqiptar si Kel Marubi e Kristaq Sotiri, shpërndarja e studiove fotografike stimuluar prej zhvillimeve teknologjike dhe botimeve, si dhe ata fotografë që e zhvilluan karrierën e tyre në Amerikë, si Gjon Mili e Dhimitër Mborja. Ndërsa pjesa e tretë nis me realitetin e Pasluftës dhe shtetëzimin e studiove, për t’u përqendruar në fotografinë si mjet propagande, imazhi modern i fotografisë me ngjyra dhe retushimi si mjet modifikimi historiografik”, shprehet Hoxha për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “e gjitha mbyllet me fotoreporterët e huaj si dëshmitarë të realitetit komunist, imazhi dramatik në vitet e fundit të sistemit, deri te Konkursi Marubi dhe fotografia artistike në fund-vitet ’90”.

Në këtë hark kohor që rrok libri, vitet ‘20-‘30 njihen si periudha e artë e fotografisë shqiptare, por përtej kësaj me mjaft interes në këtë botim është edhe fotografia pas Luftës së Dytë Botërore thekson Hoxha.

“Për pjesën më të madhe të studiuesve, periudha e artë e fotografisë konsiderohet gjysma e parë e shekullit XX, ajo që në libër konsiston në pjesën e dytë të tij”.

Hoxha thekson më tej se periudha pasuese, ajo e zhvilluar në kohën e komunizmit, rezervon surpriza tejet befasuese, si në tematika, këndvështrime, dinamika estetike dhe zhvillime teknologjike.

“Në këtë periudhë morën formë krijimtaritë e fotografëve të shquar si Kumi, Ristani, Xhufka, Fusha, Golloshi, Tërpini, Veseli, Naçe, Nenshati, etj., autorë që i dhanë identitet një periudhe të dominuar sa nga imponimi ideologjik, aq dhe nevoja për një imazh lirik ndryshe”.

Por nuk duhet lënë pas as periudha e tretë, që sipas tij është një periudhë me zhvillime interesante në fotografi, ku për shkak të shkëputjes nga sistemi komunist edhe fotografia fitoi njëfarë lirie.

“Nuk duhet harruar këtu dhe periudha përmbyllëse, ajo e viteve ‘90, kur fotografët e çliruar nga imponimet shtetërore manifestojnë me forcë estetikën e tyre, në nivele të reja, brenda dhe jashtë institucioneve. Së fundi, për të gjithë lexuesit e interesuar desha të shtoj që Historia e Fotografisë Shqiptare është një aventurë vizive e jashtëzakonshme, e cila është rezervon surpriza të pafundme, rezultat i një pasurie artistike që pak njihet”, përfundon Hoxha.

Ky libër pason “Historia e Artit Shqiptar 1858-2000”, por këtë herë vjen si një studim më specifik mbi artin dhe mjeshtërinë e fotografisë në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë