Ne rrjet

Putin u prit si hero në Serbi!

Serbia i dha Vladimir Putinit një mikpritje prej heroi enjten. Dhjetëra mijëra njerëz nga e gjithë Serbia mbërritën në Beograd për të përshëndetur Putinin para Kishës së Shën Savës në mbrëmje. Ata tundnin flamuj rusë dhe serbë dhe mbanin banderola që lexonin "Faleminderit Presidentin Putin" në gjuhën serbe dhe në rusisht. Këngë ruse dëgjoheshin kudo nga altoparlantët.

"Jam i lumtur që po vizitoj Serbinë miqësore dhe vëllazërore", i tha Putin udhëheqësit serb Aleksandër Vuçiç në aeroport. Pas uljes së avionit të tij, ushtarët gjuajtën me dhjetëra topa. Për Putin, i cili i dha Vuçiçit një çmim të lartë shtetëror gjatë vizitës, ky ishte një shans për t’u mbështetur tek një nga marrëdhëniet e forta bilaterale që Rusia ka në Europë dhe për të përforcuar pretendimet e Moskës për ruajtjen e ndikimit në Ballkan. Ndërsa për presidentin serb vizita erdhi në kohën e duhur për të shmangur vëmendjen nga protestat anti-qeveritare që kanë pushtuar prej kohësh Beogradin.

Putin nuk e humbi shancin e për të sulmuar perëndimin, duke deklaruar se BE-ja po detyronte Serbinë të bënte një "zgjedhje artificiale" midis Moskës dhe Perëndimit dhe dënoi zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s në Ballkan. Vuçiç ka deklaruar prej kohësh se përparësia e Serbisë është integrimi i mëtejshëm me BE, por ka theksuar gjithashtu se do të mbajë marrëdhënie të ngrohta me Putinin.

"Ne jemi ushtarakisht neutral, nuk kemi aspirata për t'u bashkuar as me NATO-n, as me aleancën ruse", tha ai. "Ne kemi një marrëdhënie të mirë me Rusinë, por jemi gjithashtu në rrugën tonë drejt BE-së" deklaroi ai një vit më parë. Por vizita e Putinit në Beogradit të enjten tregoi edhe njëherë se perëndimi nuk do jetë kurrë aq popullor në Serbi sa Rusia.

Vuçiç foli gjatë gjithë vizitës në rusisht dhe i tregonte herë pas herë presidentit rus se në fshatin ku kishte lindur "Rusia ishte po aq e dashur sa Serbia". Kreu serb i dhuroi po ashtu kreut te Kremlinit një qen stani 3-mujor, i cili ka gjasa të bëhet qenushi i pestë i Vladimir Putinit.

Çështja e madhe për Vuçiçin dhe Putinin ishte diskutimi rreth arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili mund të përfshijë edhe një shkëmbim territoresh. Marrëveshja ka të ngjarë të përfshijë edhe SHBA-në edhe Rusinë. Ekspertët perëndimorë thonë se Serbia ka gjasa të pranojë pavarësinë e Kosovës pa e njohur zyrtarisht dhe do t’i hapë rrugën kështu Kosovës që të bashkohet me OKB, por edhe hyrjes bashkimit të saj me BE-në. Megjithatë, mbështetja e Rusisë është e rëndësishme për Beogradin, duke pasur parasysh veton e saj në këshillin e sigurimit të OKB-së dhe faktin se Putini nuk mund të mbështesë një marrëveshje që e shtyn Serbinë më tej në rrugën drejt integrimit në BE.

Vizita e Putinit vjen në mes të një sërë protestash në shkallë të gjerë kundër Vuçiçit në Beograd. Disa zyrtarë në Serbi e konsideruan vizitën e Putinit si një marifet të presidentit serb për të rifituar popullaritetin e humbur . Në Vojvodinë, në veri të Beogradit, u vendosen qindra postera me foton e kreut të Kremlinit, të cilat lexon "Putin ik" në gjuhën angleze.

Disa organizata të shoqërisë civile gjithashtu nënshkruan një letër që proteston kundër glorifikimit të udhëheqësit rus. "I shoqëruar nga mbulimi i gjerë i medias, vizita e Putinit dëmton më tej institucionet demokratike tashmë të korruptuara dhe të drejtat dhe liritë e qytetarëve të Serbisë", tha letra.

Por për pjesën më të madhe të qytetarëve vizita e tij ishte një ngjarje e shënuar. Presidenti rus Vladimir Putin tashmë ka një fshat, një raki kumbulle dhe disa kafene në Serbi që kanë emrin e tij. Por tani, edhe një kishë do të mbajë emrin “Vladimir Putin”. E mbuluar me kupolë në ngjyrë ari, kisha e një fshati të vogël në Serbinë veriperëndimore është ende në ndërtim e sipër, por është quajtur tashmë “kisha e Putinit”.

Banorët thonë se ajo është ndërtuar në shenjë admirimi për Putinin dhe lidhjet vëllazërore shekullore midis dy kombeve që ndajnë rrënjët e përbashkëta sllave dhe religjionin ortodoks. Tanimë, banorët e Banstolot janë duke pritur me padurim presidentit për të parë kishën nga afër.
“Kjo kishë ka marrë emrin e presidentit, sepse Putini është simboli i një Rusie të re, të drejtë, një Rusi tek e cila serbët kanë filluar të besojnë edhe një herë”, tha iniciatori i projektit Branko Simonoviç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë