Bota

Putin: Rusia gati të përdorë armë bërthamore. Do vendosim trupa e armë në kufi me Finlandën

Nga Gazeta 'Si'- Presidenti rus, Vladimir Putin paralajmëroi sot Perëndimin se Rusia ishte teknikisht gati për luftë bërthamore dhe nëse SHBA dërgonte trupa në Ukrainë, kjo do të konsiderohej si një përshkallëzim i luftës.

Sipas Reuters, teksa foli vetëm disa ditë para zgjedhjeve të 15-17 marsit, Putin tha se skenari i luftës bërthamore nuk po përshpejtohet dhe se ai nuk e sheh nevojën për përdorimin e armëve të tilla në Ukrainë.

"Nga pikëpamja ushtarako-teknike, ne sigurisht jemi gati," tha Putin, për televizionin Rossiya-1 dhe agjencinë e lajmeve RIA në përgjigje të një pyetjeje nëse vendi ishte vërtet gati për një luftë bërthamore.

Putin tha se SHBA-të e kuptojnë se nëse vendosin trupa amerikane në territorin rus, ose në Ukrainë, Rusia do ta trajtonte këtë veprim si një ndërhyrje.

"Në Shtetet e Bashkuara ka mjaft specialistë në fushën e marrëdhënieve ruso-amerikane dhe në fushën e kufizimit strategjik. Prandaj, nuk mendoj se këtu gjithçka po nxiton drejt saj (konfrontimi bërthamor), por ne jemi gati për këtë," tha Putin.

Putin po ashtu synon të vendosë trupat ushtarake ruse përgjatë kufirit me Finlandën. Vetë presidenti e tha këtë në një intervistë për TV shtetëror dhe agjencinë e lajmeve "Ria Novosti".

Udhëheqësi rus kritikoi anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO, duke thënë se "ky ishte një hap absolutisht i pakuptimtë për Finlandën dhe Suedinë nga pikëpamja e mbrojtjes së interesave të tyre kombëtare".

Ai reagoi ndaj mbështetjes amerikane me armatime për ushtrinë ukrainase. Sipas tij prania e kontigjenteve ushtarake të NATO-s në Ukrainë "nuk do ta ndryshojë situatën në fushën e betejës, ashtu siç nuk e ndryshon furnizimi me armë për Kievin”.

Kreu i Kremlinit theksoi gjithashtu gjatë intervistës, se nuk do të ketë vija të kuqe ndaj atyre që nuk kanë ndaj Rusisë.

“Shtetet që thonë se nuk kanë vija të kuqe ndaj Rusisë duhet të kuptojnë se Rusia nuk do të ketë vija të kuqe ndaj tyre.”

Lufta në Ukrainë ka shkaktuar krizën më të thellë në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin që nga kriza e raketave Kubane e vitit 1962 dhe Putini ka paralajmëruar disa herë se Perëndimi rrezikon të provokojë një luftë bërthamore nëse dërgon trupa për të luftuar në Ukrainë.

Nga ana tjetër, udhëheqësit perëndimorë kanë premtuar të mposhtin Rusinë në Ukrainë, por pas dy vitesh lufte, forcat ruse kontrollojnë pak më pak se një të pestën e territorit ukrainas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë