Ne rrjet

Putin po ndërton një ushtri në Bosnje!

Kushdo që dyshon se Rusia nuk po përpiqet të mbushë vakumin politik brenda Europës, duhet të vizitojë Ballkanin. Kohët e fundit, objektivi kryesor i Moskës nuk është Kroacia, e cila është anëtare e Bashkimit Europian dhe e NATO-s dhe as Serbia, e cila ka një histori të gjatë lidhjesh me rusët. Kremlini është përqendruar tanimë në Bosnje Herzegovinë, një vend shumë i cënueshëm ndaj ndërhyrjes së faktorëve të huaj, sidomos me zgjedhjet që po afrohen në tetor. Bosnja është më e përçarë se kurrë mes federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila ka një popullsi kryesisht boshnjake dhe kroate dhe Republikës Srpska, me shumicë serbe. Tanimë Rusia po bën të pamundurën për inkurajimin e instinkteve separatiste të këtyre të fundit.

Politikat e saj përfshijnë përpjekje në dukje të padëmshme si përhapja e fesë ortodokse në mesin e popullsisë serbe. Muajin e ardhshëm, në kryeqytetin rajonal të Banja Lukës, do të ndërtohet kishë r re ortodokse, e financuar nga Rusia për nder të Carit Nikolla II, i cili doli në mbrojtje të Serbisë në Luftën e Parë Botërore. Megjithatë, bashkëpunimi më intensiv midis serbëve boshnjakë dhe Rusisë , duket se kalon përmes forcave të sigurisë të Republikës Srpska. Rajoni nuk lejohet të ketë ushtrinë e vet, sipas kushteve të marrëveshjes së Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnjë në vitin 1995. Por serbët mbajnë forcën e tyre policore, e cila po ndërton një marrëdhënie gjithnjë e më të ngushtë me Moskën.

Në vitin 2016, gjatë një vizite zyrtare në Banja Luka, një delegacion rus këmbënguli për krijimin e një partneriteti strategjik midis Republikës Serbe dhe policisë ruse për çështjet e inteligjencës, luftës kundër terrorizmit dhe luftës kundër krimit kibernetik. Republika Srpska ra gjithashtu dakord që të strehonte disa oficerë rusë që do stërvitnin policinë e saj dhe të dërgonte anëtarë të njësive speciale serbe në Moskë për t'u trajnuar. Që atëherë, oficerët e inteligjencës ruse (ish-anëtarë të Shërbimit Federal të Sigurisë) japin shpesh leksione në Fakultetin e Studimeve të Sigurisë në Universitetin e Banja Lukës, i cili shërben si departament për planifikimin e politikave të policisë rajonale. Anëtarët e fakultetit nuk i fshehin pikëpamjet pro-ruse. Predrag Ceraniç, dekan i fakultetit, i referohet serbëve si "rusë të vegjël". Në një intervistë me “Foreing Policy”, Ceranic deklaroi se: "Zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe konkurrenca midis Rusisë dhe Perëndimit reflektohet më së miri në Ballkan. Si Lindja e Mesme ashtu dhe Ballkani janë pika të rëndësishme strategjike për fuqitë e mëdha dhe lufta në Lindjen e Mesme ndikon në rivalitetin ndërmjet tyre në Ballkan ".

Policia e Republikës Srpska

Ish-oficerët ushtarakë të Republikës Srpska udhëtojnë dhe punojnë në Rusi. Për shembull, ish kapiteni Tihomir Ivanoviç jep mësim në një nga akademitë ushtarake shtetërore të Moskës. Djali i tij studion gjithashtu në Moskë dhe është i përfshirë në aktivitetet e Kishës Ortodokse në Republikën Serbe, Serbi dhe Rusi. Ndërkohë, nën pretekstin e antiterrorizmit, Republika Srpska ka forcuar kohët e fundit forcën e saj policore, me ndihmën e Rusisë. Për shembull, Ministria e Punëve të Brendshme të RS-së bleu këtë vit 2500 armë nga Rusia. Autoritetet e Republikës Srpska po hapin gjithashtu një qendër të re trajnimi jashtë Banja Lukës, prej 4 milionë dollarësh. Rusia është angazhuar tashmë për trajnimin e forcave serbe kundër terrorizmit. Qendra do të shërbejë si seli për anti-terrorizmin, njësi logjistike dhe si departament për të luftuar krimin e organizuar.

Po ashtu në Republikën Srpska, po zhvillohet një diskutim i vazhdueshëm për krijimin e një qendre "humanitare" ruse të ngjashme me atë që është vendosur tashmë në qytetin serb të Nishit. Zyrtarisht, qëllimi i tij është të ndihmojë qeverinë lokale në rast fatkeqësie natyrore, siç janë përmbytjet apo zjarret. Por qendra në Nish dyshohet se shërben si një qendër spiunazhi dhe si një bazë ushtarake jozyrtare. Rusia dhe Republika Srpska kanë kultivuar gjithashtu lidhje të ngushta mes organizatave të veteranëve të luftës. Këto organizata janë përfshirë në rekrutimin e vendasve për të udhëtuar në Ukrainën lindore dhe Siri, si luftëtarë të huaj. Zyra e veteranëve të luftës në Banja Luka është gjithashtu e lidhur me një organizatë paraushtarake serbe, udhëheqësit e të cilëve janë trajnuar në Rusi.

Milorad Dodik dhe Presidenti Vladimir Putin

“Rusia nuk ka ende një ndikim të fuqishëm në Bosnje, pavarësisht përpjekjeve për të shtënë në dorë Republikën Serbe. Institucioni kryesor kulturor i Rusisë në Banja Luka, Fondacioni ‘Russkiy Mir’, nuk ka burime të mjaftueshme financiare për të punuar siç duhet- thotë Ljilja Petroviq Zecic, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Republikës Srpska- Aktivitetet e tyre janë shumë të kufizuara, dhe njerëzit tregojnë pak interes për kulturën ruse, me përjashtim të filmave rusë të transmetuar në televizionin RS. Instituti Goethe dhe qendrat tjera kulturore perëndimore kanë më shumë para dhe janë shumë më popullore".

Megjithatë, Milorad Dodik, presidenti i Republika Srpska, ka nisur që tani të luajë kartat pro-ruse për zgjedhjet e tetorit. Serbët e Bosnjës ndjehen ende të stigmatizuar për shkak të mungesës së njohjes së viktimave të komunitetit të tyre në luftërat e viteve 1990. Me rritjen e pakënaqësisë ndaj qeverisë, mundësia më e mirë e Dodik për të qëndruar në detyrë do të ishte garantimi i autonomisë së vazhdueshme të rajonit kundër ambicieve të dyshuara të qeverisë qendrore në Sarajevë dhe mbështetësve të tyre në Perëndim. Duke i sulmuar kundërshtarët e tij në Republikën Srpska si agjentë të Perëndimit, ndërkohë që vet shfaqet publikisht pranë Putinit, Dodik do të mund të arrijë qëllimet e tij politike. Ai i ka lavdëruar vazhdimisht rusët si miqtë më të afërt të serbëve të Bosnjës dhe i ftoi ata të luajnë një rol më të madh në rajon.

Tani për tani lidhjet politike dhe ekonomike midis Moskës dhe Banja Lukës janë ende simbolike, por do të vazhdojnë të forcohen nëse Dodik, fiton zgjedhjet presidenciale të tetorit. Kjo mund ta tundojë Sarajevën ose mbështetësit e saj perëndimorë që të ndërhyjnë për të parandaluar një shkëputje vendimtare midis Banja Lukës dhe pjesës tjetër të Bosnjës. Por Perëndimi mund të zbulojë se është bërë tepër vonë për të ndërhyrë. /Foreing Policy/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë