Vende dhe Udhetime

“Pushtohet Kruja! Italianët mbajnë flamurin”

Sabina Veizaj-Arten Ibrahimllarin e gjej në malin e Krujës, në Sari Salltik, një vend i shenjtë për besimtarët bektashinjë, por edhe një atraksion turistik për vizitorë të huaj e shqiptarë gjithashtu.

Është një ditë e ngrohtë gushti, por të qenit mëngjes dhe 1176 m lartësi mbi nivelin e detit është jo vetëm ngushëlluese, por edhe frymëzuese për të shijuar peizazhin.
Gushti cilësohet si muaji Muharrem për bektashinjtë dhe ata mund të bëjnë kurban një kafshë çdo ditë të këtij muaji me përjashtim të 10 ditëshit të ashures që sipas besimtarëve që ndesha në Varrin e Sari Salltikut, nis më 31 gusht.

Arteni ka gjetur një kontratë pune jashtë kufijëve dhe do të udhëtojë shumë shpejt në një vend europian për të nisur jetën nga fillimi, prandaj siç e do zakoni i religjonit, ai ka vendosur të bëjë kurban në këtë vend të shenjtë sëbashku me familjen.

Keci qëndron përballë varrit të shenjtë me fytyrë nga qyteti, teksa familja e Artenit pret zotërinë që shërben në këtë vend për të kryer ritin.
Zakoni e do që përpara kurbanit, ai për të cilin bëhet ky kurban të shprehë dëshirën.

Krutanët veçanërisht besojnë shumë në bektashizëm. Sipas Dragush Gegës, i cili beson në mrekullitë që ka mundësuar ky vend i shenjtë dhe njerëzit me status të lartë të këtij sekti të myslimanizmit, më tregon më pas historinë se si është ndërtuar busti i Sari Salltikut prej atij vetë.

Dragush Gega

Mjedisi i vendit të shenjtë mirëmbahet dhe është shumë i pastër. Vendi ku kryhen ritualet; ndezja e qirinjve, (përsëritja përpara tyre dhe me vete,)në privatësi të plotë të dëshirës që kërkon të plotësohet, është shtruar me qilima të kohës me motive shqiptare dhe në të gjitha anët e mureve nderen fotografi të njerëzve më të rëndësishëm që kanë përfaqësuar ndër epoka bektashizmin.

Aty pari ka një atmosferë mistike.

Tek kundroj mjedisin, mbërrijnë turistët e parë.

Janë një grup prej 20 izraelitësh të shoqëruar nga një guidë private krutane. Ata nuk kanë ardhur me makinë në majë të malit, por duke bërë hiking. Janë përsona të të gjithë moshave.

Ata janë nisur për të parë Europën dhe Ballkanin dhe vendosën për të vizituar edhe Shqipërinë për shkak të historisë, rrëfenjave për peizazhin, klimën, kulinarinë dhe çmimet e lira.

Me Dragushin u takova tek lokali i tij i sapoçelur “Horizont” i cili vërehet menjëherë sapo zbret nga Sari Salltiku.

Dragush Gega

Dragushi është familje besimtarësh bektashij. Dragushi njihet në zonë për bamirësi. Mandej më tregon se prindërit e tij kishin humbur tre fëmijët e parë në moshë fare të vogël dhe përmes lutjeve të Dede Ahmet Myftarit dhe Dervish Reshatit, prindërit arritën të kenë fëmijë të tjerë, mes tyre edhe vetë Dragushin. Këtë histori Dragushi ma tregon kur e pyes nëse ka ndonjë fakt a dëshmi të ndonjë mrekullie që njerëzit pretendojnë se ka ndodhur falë shenjtëve bektashij.

Atë ditë, siç vëreva më tej gjatë vizitës në Krujë, kishte mbërritur edhe një tjetër grup izraelitë prej 40 vetësh, të cilët ishin të interesuar të vizitonin Muzeun Etnografik dhe atë të Skëndërbeut.

Kruja në fakt gumëzhinte nga turistët e huaj, ndryshe nga c’ishte dyshuar në fillim të sezonit se me krizën politike, turistët do të stepeshin dhe do të anullonin udhëtimet e tyre drejt Shqipërisë.

Nën një hije, mes muzeut historik dhe atij etnografik ndesh Hajdar Kamberin, zotërin 74 vjeçare, i cili i bie çiftelisë dhe këndon për turistët e huaj.

“Kalojnë turistët dhe më pyesin kështu siç më pyet ti dhe përkthyesi përkthen. Më kanë regjistruar me video dhe më kanë nxjerrë në Facebook. Disa turistë spanjollë dhe amerikanë, me ata kam folur”- më shpjegon Z. Kamberi.

Hajdar Kamberi

Ai më rrëfen se ka 50 vjetë që i bie çiftelisë, e ka të trashëguar nga i ati si dhunti, por për ta mësuar ia kanë mësuar vëllezërit më të rritur. Fatkeqësisht, më tregon Z. Kamberi, fëmijët e tij nuk e kanë trashëguar, “vajza që është 29 vjeç, i bie veç pak”- më thotë.

Ai qëndron aty 6-8 orë në ditë dhe e ndryshon vendin sipas pozicionit të diellit. Në mur ka të varur një qese me ushqim, të cilin e konsumon në orarin e pushimit.

“Të parët e mi edhe kanë ndërtuar vetë çifteli, përveçse kanë luajtur dhe kanë kënduar. Unë kam provuar, kam bërë një çifteli të vogël, por nuk jam marrë shumë me të.”- më rrëfen Z. Kamber duke më shpjeguar se del edhe për qejf, por edhe për të fituar para.

Kruja ka një pozitë gjeografike të favorshme; gati 45 minuta nga aeroporti ndërkombëtar "Nënë Tereza" dhe pak më shumë se një orë nga Porti i Durrësit, prandaj si turistët e huaj, po ashtu edhe emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë kufijëve, frymën e mbajnë në Krujë pasi mbërrijnë në Shqipëri për të vizituar çfarë u ka shpëtuar pa parë gjatë fëmijërisë apo rinisë së hershme.

Një familje dibrane, emigruar në Itali prej vitesh, sapo ka mbërritur në Shqipëri dhe ka ardhur menjëherë për të vizituar Krujën.

Tek e pyes pse me kaq nxitim? Zotëria më përgjigjet se “meqënëse është afër nga aeroporti dhe nuk kam patur rastin ta vizitoj muzeun e Krujës, erdha menjëherë me gjithë familjen këtu, sepse nëse do të shkoja në Dibër, zor se bëhesha mbarë të rikthehesha”.

Përveç emigrantëve shqiptarë që vizitojnë Krujën teksa kthehen për pushime në Atdhe, polakët dhe italianët mbajnë rekordin e kombësisë që tërhiqen nga Kruja.
Në kala takoj dy miq, të cilët kishin vendosur të vinin nga Napoli për të vizituar Shqipërinë.

“Miqtë tanë na kanë treguar për Shqipërinë. Ata janë kënaqur shumë dhe menduam të vinim tani sa Shqipëria nuk është transformuar krejtësisht”- më tregojnë ata duke u përpjekur që të kthejnë edhe qenin e tyre Labrador me fytyrë nga unë që të mund t’ju shkrep një foto. Ata kanë vizituar jugun dhe disa qytete të tjera, teksa vizitojnë me kërshëri kalanë e Krujës.

Mandej më kap veshi disa syresh që flasin gjermanisht, të tjerë spanjisht, sllavisht, etj.

Klodi Loka, guida zyrtare dhe përgjegjës në Muzeun Historik dhe Etnografik të Krujës më tregon se prej pesë vitesh Kruja ka një trend rritës në prurjen e turistëve.
Në vitin 2018 në të dy muzedtë e Krjës sipas të dhënave zyrtare që më citon Loka, janë regjistruar mbi 100 mijë turistë. Kurse në këtë sezon, më tregon ai, deri në fund të korrikut kanë vizituar të dy muzetë gati 60 mijë turistë.

Sipas tij kombësitë që mbizotërojnë ndër turistë janë polakët dhe italianët.

Loka më tregon se turizmi në Krujë ka marrë një hov të konsiderueshëm, janë shtuar strukturat bujtëse, njerëzit po i kthejnë shtëpitë e tyre në bujtina, ka edhe nga ata që po marrin me qira shtëpi në kala për t'i kthyer në struktura pritëse për turistët. Edhe pazari i vjetër sipas Lokës është tejet i frekuentar dhe këtë e dëshmon sipas tij shtimi i numrit të tyre me 30% në pesë vitet e fundit.

Shërbimi është shumë i mirë dhe çmimet janë të përballueshme.
Një dhomë në hotelin më të mirë të Krujës, “Panorama” mund ta rezervosh me 30 euro përfshirë mëngjesin e bollshëm.

Edhe çmimet e restorantit janë shumë të pranueshme. Në Krujë gjen edhe krepa e akullore natyrale tek Tamli, i cili të gjitha produktet i ka nga ferma e tij.


Në Krujë nuk ka jetë nate, turistët si vendas dhe të huaj e frekuentojnë për turizëm kulturor dhe të religjonit, megjithatë nëse turizmi vazhdon të zhvillohet me këtë ritëm, me siguri do të ndikojë përveçse në ekonominë e vendit, po ashtu edhe në zhvillimin e shkëmbimin kulturor, por edhe në mendjehapjen e vendasve duke korrigjuar mentalitetin patriarkal….


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë