Taksa

Shkëlqimi i rremë i Korçës

Junik Dushku është qytetar korçar, me profesion ekonomist, i cili mendon se bashkia për të përfituar nga tenderët, i drejton investimet aty ku nuk ka nevojë dhe harron fushat e kategoritë vunerabël.

 

Sipas tij, Bashkia e Korçës është e fokusuar vetëm në urbanistikë. “Ajo po përfundon ndërtimin e godinës së re të bibliotekës së qytetit, ndërkohë që ndërtesën e vjetër pas rikonstruksionit do ta përdorë për zyra qëndrore të bashkisë. Ndërtesa ekzistuese e bibliotekës, që është ndërtuar në vitet 80’ dhe është e pozicionuar në Pedonale mes kullës së famshme dhe Katedrales, me syrin e qytetarit që frekuenton Bibliotekën, e gjykon ndërtesën e vjetër si vendin më të përshtatshëm për bibliotekë, pasi ishte ndërtuar enkas për të funksionuar si e tillë dhe kishte shumë hapësirë. Unë ngre pyetjen pse ndërtohet një ndërtesë e re për bibliotekën kur ekziston një e tillë ? Godina ekzistuese është një ndërtesë betoni, shumë e mirëmbajtur dhe e rikonstruktuar herë pas here. Godinën e re e bënë në krahë të prefekturës në të njëjtin vend me bibliotekën e vjetër dhe është një ndërtim dykatësh me hapësirë shumë të vogël krahasuar me ndërtimin ekzistues”- thotë 52 vjeçari korçar. Por, kështu si biblioteka, nga korçarët shikohet me skepticizëm edhe rikonstruksioni i pazarit të vjetër. “Ka nisur 4 vite më parë dhe janë shpenzuar 5 mln euro. Me 5 mln euro mund të ndërtoheshin banesa sociale për të pastrehët dhe pleqtë që nuk kanë asnjë lloj mundësie mbijetese. Nga 111 biznese që ishin në Pazarin e vjetër, aktualisht janë vetëm 5-6 bare” – përfundon Juniku, duke ngritur pikëpyetje mbi performancën e bashkive pas Reformës Administrative Territoriale.

 

Studimi
Dr. Sorina Koti anëtare në Këshillin e Bashkisë Korçë, njëkohësisht pedagoge dhe eksperte në fushën e ekonomisë, ka ndërmarrë një studim në lidhje me efektet e Reformës Administrative Territoriale në aspektin e financave, tre vite pas aplikimit të kësaj reforme, pikërisht në bashkitë e qarkut Korçë. Studimi evidenton që derisa bashkitë, nga të ardhurat e veta nuk mund të sigurojnë më shumë se 30% të totalit të të ardhurave të arkën, mund të thuhet se procesi i decentralizimit nuk ka ndodhur plotësisht.

 

 

Por, problemi sipas studiueses Koti, qëndron se të ardhurat vendore nuk i mbulojnë shpenzimet dhe pjesa më e madhe e të ardhurave vendore shkojnë për shpenzime personeli. “Shpenzimet kapitale mbulohen me fonde nga Fondi i Zhvillimit Rajonal dhe Transferta e pakushtëzuar. Të dhënat tregojnë se shpenzimet për personel kanë pësuar rritje nga viti 2016 në 2017 dhe janë më të larta se shpenzimet kapitale.” – argumenton për Portën Vendore, Dr. Koti.

 

 

Studimi nënvizon se një nga argumentet pro të Reformës Administrativ-Territoriale ishte reduktimi i shpenzimeve administrative dhe rritja e fondit të transfertës së pakushtëzuar, gjë që nuk ka ndodhur në realitet. Në buxhetet e bashkive janë alokuar më shumë fonde, por në raport me totalin e të ardhurave pritej që bashkitë të merrnin më shumë për shkak të rritjes së shpenzimeve korrente. Kjo rritje e shpenzimeve tregohet më poshtë nga tabela, e cila reflekton edhe ngarkesën për të administruar territoret më të mëdha të bashkive të reja.

 

 

Në të njëjtën kohë, të dhënat zyrtare tregojnë se shpenzimet për personel janë rritur ndjeshëm, kjo për shkak të zgjerimit të territorit dhe nevojës së bashkive për personel shtesë, ndryshe nga ç’u propagandua se me Reformën e re Administrative do të reduktoheshin burimet njerëzore.

 

 

 

 

Çfarë thonë ekspertët?
Ekspertët e fushës së ekonomisë dhe financave gjykojnë se Reforma Administrative territoriale, e cila ka nisur të aplikohet tre vite më parë ka patur hapa pozitivë, por nuk ka funksionuar në tërësinë e saj siç ishte menduar.
Sipas tyre ka shumë problematika që duhen adresuar. Ekspertët thonë se ndonëse është reduktuar me disa herë numri i njësive të qeverisjes vendore, gjatë tre viteve të fundit, vihen re diferenca të ndjeshme ndërmjet bashkive të ndryshme përsa i përket kapacitetit të tyre fiskal dhe konkretisht mbledhjes së të ardhurave vendore. Ekspertët argumentojnë se bashkitë e reja kanë ndërmarrë një rritje të normave të taksave dhe tarifave lokale edhe pse shpesh, cilësia e shërbimeve publike nuk ka pasur ndonjë përmirësim.

 

Adrian Civici, eksperti në fushën e ekonomisë, njëkohësisht edhe pedagog vlerëson se “Në kuadrin e reformës së ndarjes së re administrative dhe nevojës për rritjen e efiçencës së funksionimit të pushtetit vendor, një nga elementet më të rëndësishëm është mekanizmi dhe instrumentet e financimit të tyre. Hapi më i rëndësishëm në këtë drejtim është miratimi vitin e kaluar i Ligjit për financimin e pushtetit vendor, elementi më pozitiv i të cilit është kriteri që granti i pakushtëzuar që ju kalon bashkive, nuk mund të jetë më i vogël se 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit.” Sipas tij, ky grant shpërndahet më pas në bazë të koefiçientëve specifikë që kanë të bëjnë me numrin e popullsisë së bashkisë, nivelin e zhvillimit dhe shkallën e varfërisë, etj.

 

Për ekspertin e financave publike Arben Malajn, performanca e bashkive në vend është e dobët. “Rritja e të ardhurave të bashkive ka përmirësime modeste, larg objektivave dhe efiçenca e investimeve dhe shpenzimeve lë për të dëshiruar, ndërsa rritja e detyrimeve të papaguara përbën një kërcënim real për financat e pushtetit vendor. Kjo për shkak se vonesat disa vjeçare të likujdimit të tyre kanë rritur koston e penaliteteve, të cilat keqpërdorin burime të rëndësishme të taksave të paguara nga banorët e bashkive.”- shprehet Malaj.
Malaj beson se akoma janë të pamjaftueshme investimet dhe kjo është e arsyeshme sipas tij, duke patur parasysh gjendjen aktuale të infrastrukturës fizike, arsimore dhe shërbimeve sociale. Po kështu, sipas Malaj, akoma nuk ka një burim solid të të ardhurave të dretpërdrejta të bashkive siç është tatimi i pasurisë së patundshme.

 

Cila mund të jetë zgjidhja?
Arben Malaj mendon se bashkitë kanë nevojë për financim të investimeve dhe shërbimeve të tyre publike. “Është shumë e vështirë që investimet të mbulohen kryesisht nga bashkitë. Asnjëherë bashkitë nuk do të kenë burimet e domosdoshme vetëm nga taksat dhe tarifat e tyre. Ka vite që raporti i financimit të buxheteve të bashkive ka qenë gati 50 me 50 % dhe synohet të përmirësohet nga njëri vit te tjeri. Vendosja e disa objektivave të ndërmjetme mund të jetë një politikë më produktive.”- sqaron Malaj.

 

Ndërsa profesor Civici në lidhje me financimin e pushtetit vendor evidenton e adreson disa problematika që kërkojnë zgjidhje më të mira e më efektive. “Së pari, përmirësimi i raportit ndërmjet të ardhurave të përgjithshme dhe të ardhurave të pushtetit vendor që aktualisht është nën 30% ndërkohë që në vendet e Bashkimit Europian ky raport shkon deri në 80%. Së dyti, në kushtet kur granti i pakushtëzuar shkon në bashki, pjesa dërrmuese e tij, mbi 80%, përdoret në “qendër” duke lenë pas dore “periferinë” e bashkisë dhe ndikuar negativisht në sasinë dhe cilësinë e shërbimeve atje. Së treti, Fondi i Zhvillimit të Rajoneve ka nevojë për më shumë transparencë e studime fizibiliteti në akordimin e tij nga pushteti qëndror në mënyrë që të shmangen praktikat klienteliste e preferencat partiake. Së katërti, duhet përmirësuar praktika e mbledhjes së taksës së pasurisë sepse bashkitë kanë pak akses dhe informacion për funksionimin dhe rezultatet e saj”-thotë ai.

 

Për Sorina Kotin, zgjidhja qëndron tek politikat lokale të vetëdisiplinimit të menaxhimit financiar, duke u fokusuar si prioritet tek rritja e efiçencës dhe në përmirësimin e parametrave financiare dhe ekonomike. “Në çdo rast, përmirësimi i Njësive Vendore mund të kontribuonte në zhvillimin e përgjithshëm makro-ekonomik. E ardhmja e Shqipërisë mund të shikohet edhe si një detyrë e bashkive. Gjithashtu, bashkitë mund të jenë pjesëmarrëse në reformat e ndërrmara për përmirësimin e kontekstit të përgjithshëm dhe veçanërisht në pasurimin me ide për rishikim dhe përmirësim të Ligjit për Prokurimet Publike, ndihmën sociale, financimin ose bashkëfinancimin e shërbimeve etj.”-thotë Koti.

 

 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë