Ngjarje

Pushimet fatale në Shqipëri, tre familjarët nga Gjilani shuhen njëri pas tjetrit brenda 24 orëve

Tre familjarët nga Gjilani i Kosovës, të cilët dyshohet se kanë humbur jetën për shkak të helmimit nga kërpudhat e mbledhura në Gjirin e Lalzit, kanë humbur jetën në distancë 24 orë nga njëri-tjetri. Ngjarja zë fill që të mërkurën e kësaj jave, kur ata ndodheshin në banesën e tyre të pushimit.

Mësohet se çifti, Afrim dhe Ferdinaze Haliti (respektivisht 57 dhe 56 vjeç), si dhe nëna e Afrimit, Elfetja (78 vjeçe), kishin shfaqur dhimbje të forta barku.

Ata kanë marrë mjekim fillimisht nga mjekët e zonës dhe janë kthyer në banesë. Por gjendja e tyre është përkeqësuar dhe kanë njoftuar urgjencën në Tiranë, e cila I ka transportuar në spital.

Kur ka shkuar urgjenca në kompleksin turistik të Gjirit Lalzit, ka konstatuar se ata ishin në gjendje të rëndë. Në situatë më kritike ishte e moshuara Elfete Halili, e cila kishte probleme me frymëmarrjen. Ajo është marrë me barrelë së bashku me të birin, Afrimin dhe janë vendosur në autoambulancë.

Ndërsa bashkëshortja e këtij të fundit, e cila ishte në gjendje pak më të mirë, për mungesë vendesh, është vendosur në një nga karriget e personelit të ambulancës.

E moshuara mësohet se është vendosur në oksigjen që në ambulance, pasi paraqiste simptoma më të rënda.

Mjekët në Tiranë kanë ndjekur protokollin mjekësor, ku i kanë bërë lavazh, u kanë dhënë serume dhe vitamina, por familjarët nuk ia kanë dalë të mbijetojnë.

Gjendja e tyre është përkeqësuar me kalimin e orëve dhe tre anëtarët e familjes nga Gjilani, ndërruan jetë në spital njëri pas tjetrit në harkun kohor të tre ditëve, në 6-7-8 maj.

Fillimisht ka ndërruar jetë Elfete Haliti, një ditë pas helmimit më 6 maj. Një ditë pas saj, më 7 maj, ndërroi jetë edhe i biri, Afrim Haliti, ndërsa një ditë pas tij, më 8 maj, ka ndërruar jetë edhe bashkëshortja e këtij të fundit, Ferzinaze Haliti.

Edhe pse pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të sqaruar çfarë ka ndodhur realisht me tre pushuesit, shkak për vdekjen e tyre dyshohet se është bërë helmimi nga kërpudhat, të cilat ata i kanë mbledhur në pyll dhe i kanë konsumuar në shtëpi.

Ndërkohë policia ka proceduar penalisht për veprën penale "Mjekim i pakujdesshëm", mjekun Shyqyr Beqajn 54 vjeç  dhe Jonuz Karajn, 60 vjeçar. Gjithashtu familjes i ka ngordhur edhe qeni, i cili mendohet se mund të ketë konsumuar kërpudha.

Ndërkohë këtë të diel, familjarët do t’i përcjellin për në banesën e fundit në vendlindjen e tyre të tre viktimat.

Djali i Afrimit, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan se këto ishin tre ditë tmerri ku ato humbën tre anëtarët e familjes.

“Miq e dashamirë, këto 3 ditë përjetuam ditët më të këqija të jetës, betejën e humbën që të tre. Ju njoftojmë se me datë 09.05, bëhet varrimi me ikindi në varrezat e qytetit. Të lutemi për shpirtin e tyre në këto netë të mëdha“, - ka shkruar ai në rrjetet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë