Shendet

“Kësula e vdekjes”, ish-ministri tregon si mund t’i dallojmë kërpudhat helmuese

Disa ditë pas ngjarjes tragjike, ku tre anëtarë të një familjeje nga Kosova, dyshohet se humbën jetën të helmuar nga kërpudhat, ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti bën apel për kujdes.

Ai shpjegon se në Shqipëri në disa zona pyjore rritet kërpudha helmuese “Kësula e vdekjes”, e cila përmban lëndën toksike amatoksinë. Kjo e fundit, sipas tij, i reziston të nxehtit dhe nuk shkatërrohet nga gatimi, zierja, pjekja apo skuqja.

“Trishtim për humbjen e jetës nga helmimi i dyshuar nga konsumi i kërpudhave i familjes kosovare nga Gjilani, - shkruan Panariti. - Toksikologjia analitike ligjore duhet të thotë fjalën e fundit. Megjithatë, është thuajse e pamundur të dallosh me sy të lirë llojet normale nga ato helmuese të kërpudhave. Dy kërpudhat e para në foto janë shumë helmuese, ndërsa e treta aspak. Por dallimi me sy të lirë është shumë i vështirë”.

Ai thotë se këto kërpudha shkaktojnë vdekje të menjëhershme sapo të konsumohen. “Kur them shumë helmuese, do të thotë se mjafton gjysmë kërpudhe për të shkaktuar vdekjen pas ngrënies. Te ne, kudo në pyje dhe terrene me hije dhe me lagështi, rritet kërpudha helmuese "Kësula e Vdekjes", - vijon Panariti. - Kjo kërpudhë përmban lëndën toksike amatoksinë, e cila i reziston dhe nuk shkatërrohet nga gatimi, zierja, pjekja, skuqja. Prandaj pas konsumit helmimi me të është i sigurt”.

Ish-ministri i Bujqësisë, tregon se cila është e vetmja mënyrë për të zbuluar lëndën helmuese në kërpudha. “Është me anë të provës ‘Wieland’, pra pikimi i një sasie acidi klorhidrik të përqendruar në tulin e kërpudhës, e cila nëse përmban helm, merr ngjyrë blu në të gjelbër. Për fat të keq, nuk njihet ndonjë antihelm (antidot) specifik ndaj këtij helmi”

Sa i përket mënyrës më e mirë të trajtimit pas helmimit, Panariti shton se është “ajo me karbon aktiv nga goja, provokimi i të vjellave dhe pastrim sa më i shpejtë i zorrëve me klizëm, në mënyrë që të reduktohet sa më parë dhe sa më shumë sasia e helmit”.

Tre anëtarë të një familjeje nga Kosova, Elfete, Afrim e Ferzinaze Haliti nga Gjilani, ndërruan jetë pak ditë më parë në QSUT, pasi dyshohet se u helmuan nga konsumimi i kërpudhave.

Ata ndodheshin prej ditësh në banesën e tyre të pushimit në Gjirin e Lalzit dhe kanë shfaqur simptoma të rënda.

Edhe pse iu është dhënë ndihma e parë në Durrës, familjarët janë dërguar me urgjencë në Tiranë, ku kanë humbur jetë 24 në distancë nga njëri-tjetri.   

Familjarët akuzojnë mjekët për neglizhencë, ndërsa QSUT ka reaguar se viktimat kishin ardhur në gjendje të rëndë me diagnozën “intoksikacion nga kërpudhat”. Megjithatë, pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të sqaruar çfarë ka ndodhur realisht me tre pushuesit nga Gjilani i Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë