Të gjesh një mënyrë të mirë për të ushqyer fëmijët është e vështirë për të gjithë prindërit. Ky është një problem për të gjithë prindërit, shumë prej të cilëve e mendojnë si zgjidhje të shpejtë ushqyerjen me zor ose ushqimin duke i tërhequr vëmendjen me anë të qëndrimit në telefon.
Disa nga mënyrat e tjera që prindërit përdorin më shpesh për të ushtruar presion mbi fëmijët që të hanë, janë edhe shprehjet frikësuese. Të gjitha këto metoda janë të njohura nga të gjithë ne sepse në mos i kemi përdorur, i kemi provuar.
Por psikologia e fëmijëve, Lorela Garuli tregon se të ushqesh fëmijën me zor është dhunë. Ekspertja shpjegon se pavarëisht faktit që prindërit gjithmonë nisen nga e mira, ajo çfarë duhet kuptuar prej tyre është se të ushqesh fëmijën është më shumë se sa të përmbushësh nevojat biologjike, është të krijosh një marrëdhënie me të.
“Përgjithësisht ka dy gabime që bëjnë të rriturit: Të ushqyerit me zor dhe të ushqyerit e fëmijëve përpara ekraneve. Kundër të shqyerit të fëmijëve kundër dëshirës së tyre nuk duhet të shprehen vetëm psikologët, por edhe pediatrit, pra mjekët që kujdesen për shëndetin biologjik të fëmijëve. Nuk është e shëndetshme që t’i jepet për të ngrënë më shumë se sa kërkon. Në terma psikologjikë, kjo mënyrë krijon presion dhe nuk është një qasje që e kemi parë kohët e fundit, por gjithmonë. Gjithsesi, po të bësh një krahasim ndër breza, kohët e fundit ka më shumë vetëdijësim, prindërit janë gjithnjë e më të kujdesshëm,” shpjegon ekspertja.
Të dhëna studimore tregojnë se refuzimi i ushqimit apo edhe i gjumit është një “revoltë” që fëmijët bëjnë ndaj prindërve për shkak të sjelljes që ata bëjnë. Studime të ndryshme të realizuara nga OBSH shpjegojnë se, njësoj si për të rriturit, ushqimi edhe për fëmijët është kënaqësi. Argumentohet se të ushqesh fëmijët me zor është t’i privosh ata nga kënaqësia e ushqimit. Të dhënat tregojnë se kjo gjendje fillon kur fëmijët janë tepër të vegjël për të kuptuar se çfarë po konsumojnë, rreth moshës 2-3 vjeçare.
Ekspertja Garuli shpjegon se prindërit duhet të kuptojnë se kjo është një dhunë në shkelje të kufijve fizikë të fëmijës sepse njësoj si të rriturit, ata nuk do të konsumojnë kurrë me qejf një pjatë që nuk u pëlqen, apo ta konsumojnë nëse nuk ndjejnë se kanë uri.
“Është e vërtetë që ka edhe fëmijë që nuk pëlqejnë ushqimin që nuk hanë aq sa duhet, por duhet aplikuar mënyra që të ndërtohet një marrëdhënie e shëndetshme me ushqimin,” shton psikologia.
Më tej ajo shpjegon se në një moshë të caktuar prindërit duhet të njohin fëmijët me ingredientët e caktuar të një ushqimi që fëmija konsumon, të realizojnë receta të thjeshta bashkë dhe - sipas ekspertes - më e rëndësishmja është që fëmija të dijë se çfarë po ha.
“Diçka tjetër e rëndësishme është që fëmija ta dijë atë që po ha dhe të hajë sa më herët vetë. Nëse duam që fëmijët të jenë të pavarur dhe të konsumojnë vetë ushqimin, ata duhet të fillojnë të hanë vetë që në moshë të vogël, që më pas të mos fillojnë edhe të rriturit t’i ushqejnë me zor,” shton Garuli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.