Futboll

PSG raciste? Klubi nën hetim, skedonte lojtarët në bazë të etnisë

Pa u mbyllur një hetim, hapet një tjetër hetim për klubin e njohur francez të futbollit të Paris Sant Zhermen. Këtë herë hetimi ka të bëjë me një çështje më të ndjeshme në Francë, jo me ndonjë shkelje rregullit të “Fair-Play”-it financiar. Prokuroria e Parisit ka ngritur akuzën e diskriminimit etnik për PSG-në, pas publikimit pak ditë më parë të lajmit se lojtarët e rinj të akademisë së këtij klubi skedoheshin edhe në bazë të origjinës së tyre etnike.

“Diskriminim në bazë të origjinës, racës dhe kombësisë". Kjo është akuza e plotë ndaj klubit të madh francez. “Mediapart” dhe “Football Leaks” kanë publikuar dokumente, ku tregohet se nga viti 2013 e deri në vitin 2018, drejtuesit e PSG-së kishin futur edhe kriterin etnik në skedat e vlerësimit të lojtarëve të rinj. Këta të fundit klasifikoheshin në "francezë”, “magrebinë”, “nga Antilet” dhe“afrikanë”. Pas publikimit të këtij lajmi, reagimet kanë qenë të shumta, duke filluar nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për të vazhduar me personalitete të ndryshme të futbollit francez, me në krye Lilam Thuram.

Presidenti i PSG-së, Naser Al Khelaifi

Klubi francez ka tentuar të mbrohet, duke kundërshtuar akuzat për diskriminim. Drejtuesit e PSG-së kanë bërë të ditur se do të bëhet një hetim i brendshëm, sepse kjo procedurë mund të jetë ndjekur nga ndonjë përgjegjës i sektorit të të rinjve me iniciativën e tij personale. Ligji në Francë e ndalon mbledhjen e të dhënave personale në bazë të origjinës dhe racës. Ndëshkimi për ata që e shkelin këtë ligj është gjobë deri në 300 mijë euro, por edhe burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë