Futboll

PSG duhet të shesë, Real gjurmon Neymar dhe Mbappe

Edhe shumë pak ditë kanë mbetur nga mbyllja e sesionit të transferimeve, por shtypi spanjoll dhe ai francez mëngjesin e së enjtes këmbëngulin se Real Madrid po punon për të bërë një goditje të madhe në merkato. Bëhet fjalë për një blerje të minutës së fundit të një sulmuesi që diskutohet njëri mes Kylian Mbappe ose Neymar.

Sipas gazetës spanjolle, “Marca”, PSG është detyruar nga rregullat e Uefa që të shesë lojtarë, pasi nuk është në rregull me bilancet financiar. Sipas medias tjetër spanjolle, “AS” do të jetë shumë e vështirë për klubin parisien që t’i mbajë të dy yjet në një skuadër.

Rikthimi i Neymar në La Liga një ëndërr e vjetër për Real Madrid

Neymar që me shfaqjen e tij në arenën ndërkombëtare të futbollit ka qenë një objektiv i Real Madrid. Braziliani që nga koha kur luante për Santos është synuar nga “los blancos”, por asokohe futbollisti zgjodhi të luante për rivalët e përjetshëm të tyre, Barcelonën. Më pas një lëvizje e beftë në kryeqytetin francez, por sërish që nuk e ka bërë të lumtur sulmuesin brazilian që është i dëshpëruar për të kapur lavdinë, që mund ta arrijë vetëm në një klub të madh, por me kushtin që mos të jetë në hijen e askujt tjetër. Për këtë arsye, por edhe për shkak se në sulmin e “merengues” nuk ka mjaftueshëm yje që mund të garantojnë shumë gola, drejtuesit e Real Madrid janë hedhur në sulm në drejtim të “ëndrrës” së vjetër, Neymar për ta rikthyer atë në La Liga.

Në Madrid duan “fenomenin e ri”

Ai rëndom ka filluan të quhet si fenomeni i ri i futbollit botëror. Vetëm 19 vjeç, por Kylian Mbappe ka me çfarë të krenohet në karrierën e tij. Sulmuesi ka fituar të gjithë titujt për klube në Francë, ka një kupë botë dhe një gjysmë finale Championsi në palmaresin e tij. Të gjitha këto, duke i shtuar cilësitë e jashtëzakonshme individuale, kanë bërë që Mbappe të marrë nofkën si “fenomeni i ri i futbollit botëror” dhe fenomenët e futbollit gjithmonë luajnë për Real Madrid. Duket si batutë, por francezi për momentin është pikësynimi numër një për drejtuesit e klubit “los blancos”. Mbappe i ka të gjitha të dhënat në favor, duke filluar që nga cilësitë në fushë, karakteri, por edhe mosha shumë e re, çka e bën atë një investim të sigurt për çdo klub. Por ka një problem të vogël, pasi çmimi për blerjen e tij nga PSG mund të shkojë deri në 300 milionë euro.

Shanset për të bërë një goditje të madhe në merkato që do të çonte njërin mes Neymar dhe Mbappe në Madrid në këto 8 ditë të mbetura janë shumë të vogla, por tregu i transferimeve në futboll, sidomos në këto 5 vitet e fundit na ka mësuar që kurrë mos të themi kurrë.

 

Më Shumë