Futboll

PSG-Crvena Zvezda e trukuar? 5 mln euro bast nga drejtuesi serb

Trukimi i ndeshjeve mund të arrijë deri në nivelin më të lartë të futbollit europian në rang klubesh, në fazën e grupeve të Champions League. Prestigjiozja franceze “L’Equipe” ka zbuluar hetimin e kërkuar nga UEFA për ndeshjen PSG-Crvena Zvezda, 6-1, pasi një drejtues i klubit serb ka luajtur shuma të çmendura për fitoren me 5 gola diferencë të francezëve.

Mund të jetë thjesht një koincidencë, por mund të jetë edhe një trukim i pastër për të fituar miliona euro. E sigurt është se fitorja 6-1 e PSG-së ndaj Crvena Zvezdës në ndeshjen e 3 tetorit në Champions është nën hetim. Kjo ndeshje është vënë në shënjestrën e UEFA-s dhe të autoriteteve të drejtësisë franceze, që kanë hapur një hetim për “mashtrim të rëndë dhe korrupsion sportiv”. Dyshimet janë fokusuar te një drejtues i klubit serb, për të cilin ka informacion se ka vënë nga 3 deri në 5 milionë euro bast për humbjen e thellë të Crvena Zvezdës, saktësisht për një humbje me më shumë se 5 gola të saj. Dyshohet se të përfshirë në këtë histori janë edhe drejtues të tjerë të klubit ballkanas.

Titulli i artikullit të "L'Equipe" për ndeshjen PSG-Crvena Zvezda

Sinjalizimi që kishte mbërritur në strukturat drejtuese të UEFA-s para ndeshjes, është vlerësuar serioz dhe menjëherë janë vënë në dijeni autoritetet franceze. Prokuroria ka urdhëruar një hetim për të ndaluar drejtuesin nga Beogradi të dyshuar për mashtrim. Sipas informatorit, i cili ka dashur të mbetet anonim, drejtuesi i klubit serb ka dashur të takohet edhe me presidentin e PSG-së, Naser Al Khelaifi, por takimi me këtë të fundit nuk u bë. Klubi parizien është distancuar nga ngjarja, duke mbrojtur vlerat sportive të ekipit.

Kavani shënon në portën e skuadrës serbe

Agjentët e drejtësisë franceze e kanë monitoruar ndeshje dhe dhe sapo ajo përfundoi me fitoren 6-1 të PSG-së, kanë tentuar ta ndalojnë drejtuesin e Crvena Zvezdës të fitonte miliona euro, por kanë mbërritur me vonesë. Presidenti i nderit i klubit serb, Dragan Xhajiç, u shpreh: “Është gjithçka false”. Autoritetet franceze të lojërave online nuk kanë vënë re asnjë anomali në fluksin e basteve. “L’Equipe” shpjegon se mund të bëhet fjalë edhe për një tentativë për të destabilizuar apo ndëshkuar skuadrën serbe të Crvena Zvezdës (Yllit të kuq).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë