Analize

Pse Trump nuk u akuzua për komplot me rusët?

Publikimi i raportit të plotë mbi lidhjet e presidentit Donald Trump me Rusinë duket se nuk i ka bindur kundërshtarët për pafajësinë e shefit të Shtëpisë së Bardhe.

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, William Barr, publikoi të enjten raportin e shumëpritur të prokurorit special Robert Mueller për hetimin e tij mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Demokratët kanë premtuar të vazhdojnë të hetojnë Trumpin nën akuzat se ai pengoi drejtësinë, edhe pas publikimi të këtij raporti. Senatorët demokratë i kanë kërkuar Muellerit të dëshmojë publikisht përpara kongresit për hetimin që ai ka bërë.

Ekipi ligjor i presidentit Trump ka thënë Mueller e liroi kreun e Shtëpisë së Bardhë nga të gjitha akuzat. Por, edhe pse raporti thotë se presidenti nuk bashkëpunoi me rusët, ai nuk arriti në një përfundim mbi akuzat për pengimin e drejtësisë.

Ai gjithashtu zbulon disa raste kur zoti Trump u përpoq të pengonte vetë hetimin, duke përfshirë edhe përpjekjen për të shkarkuar zotin Mueller.

Dokumenti i redaktuar me 448 faqe është rezultat i një hetimi 22-mujor nga Mueller, i cili u emërua për të hetuar ndërhyrjen e supozuar ruse në zgjedhjet e vitit 2016 dhe marrëveshjet e mundshme me Trump.

Mueller thotë se ai nuk zbuloi një komplot kriminal midis ekipit së zotit Trump dhe Rusisë, por nuk arriti të konfirmonte konkretisht nëse Trump u përpoq të pengonte hetimin.

Robert Mueller

"Edhe pse ky raport nuk arrin në përfundimin se presidenti ka kryer krim, ai as nuk e përjashton këtë mundësi", thotë Muller. “Ndërsa hetimi identifikoi lidhje të shumta, ndërmjet individëve që kishin lidhje me qeverinë ruse, dhe individëve të lidhur me fushatën e Trump, dëshmitë nuk ishin të mjaftueshme për të mbështetur akuzat penale. Ndër të tjera, provat nuk ishin të mjaftueshme për të ngarkuar me fajt ndonjë zyrtar të fushatës, si një agjent të qeverisë ruse. Për më tepër, nuk kishte prova të mjaftueshme për të akuzuarit, anëtarë të stafit të Trump, se kishin komplotuar me përfaqësuesit e qeverisë ruse, për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016.

Hetimi përcaktoi se disa individë të lidhur me Trump, gënjyen para meje dhe në Kongres, për ndërveprimet e tyre me individët e lidhur me Rusinë dhe çështjet e lidhura me to. Prokuroria akuzoi disa prej tyre për këto gënjeshtra, si shkelje të statutit federal të deklaratave të rreme”shton Mueller duke shpjeguar edhe pse vendosi të mos e akuzonte presidentin.

“Përveç pikëpamjes kushtetuese, ne menduam se një akuzë kriminale federale kundër një presidenti në detyrë, do të ishte një barrë e madhe mbi kapacitetin e presidentit për të qeverisur”, thotë raporti.

Lidhur me çështjen nëse takimi midis Donald Trump Jr, Jared Kushner, Pol Manafort dhe një avokati rus, përbënte një komplot, ekipi i Myler shkruan se: Për aq fakte sa kemi në dispozicion, qeveria nuk ka gjasa të jetë në gjendje të provojë përtej dyshimit të arsyeshëm se pjesëmarrësit e takimit të 9 qershorit të vitit 2016 ishin në dijeni se sjellja e tyre ishte e paligjshme”.

Raporti ka zbuluar po ashtu reagimin e parë të Donald Trump pas lajmin për nisjen e hetimeve. Ai mësohet se i kishte thënë prokurorit të përgjithshëm Jeff Sessions se ai kishte marrë fund.

Presidenti Donald Trump

"O Zot," tha presidenti. "Kjo është e tmerrshme. Ky është fundi i Presidencës sime”.

Presidenti raportohet se i dhe ushtroi presion Prokurorit të Përgjithshëm, Xhef Sessions, për vendimin e tij për t’u larguar nga hetimi, duke i thënë: “Si mund ta lejoje që të ndodhte kjo Xhef?”.

Trump u përpoq ta bindte të “distancohej” nga hetimi i prokurorit special.
“Presidenti Trump, reagoi negativisht ndaj emërimit të prokurorit special. Ai u tha këshilltarëve se ky ishte fundi i presidencës së tij, dhe i kërkoi Prokurori i Përgjithshëm Xheferson Seshën, të distancohej nga hetimi mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje, të ndryshonte prokurorin special dhe të mbyllte hetimin mbi këtë çështje, për të parandaluar zbulimin e dëshmive, duke përfshirë kontaktet publike dhe private me dëshmitarët”, thekson raporti.

Në qershorin të vitit 2017, Trump i tha këshilltarit të tij Don Mekgan, që të nxisë kryprokurorin ta largonte Muellerin nga detyra e prokurorit special:

“Megjithatë, Mekgan nuk e bëri këtë, duke vendosur më mirë të jepte dorëheqjen. Atë mbrëmje të shtunë, ai thirri edhe Steve Benonin, dhe i tha atyre se donte të jepte dorëheqjen. Mekgan, kujton se pasi foli me avokatin e tij dhe duke pasur parasysh natyrën e kërkesës së Presidentit, vendosi të mos e ndajë këtë histori me stafin tjetër të Shtëpisë së Bardhë.”

Ekipi i Mylerit, tregon se si Trump i`u përgjigj pyetjeve me shkrim mbi “tema të caktuara lidhur me Rusinë”, por nuk ra dakord të përgjigjej mbi pyetjet lidhur me pengimin e drejtësisë, apo ngjarjeve gjatë tranzicionit mes dy presidencave.

“Tek e fundit, edhe pse besonim se kishim autoritetin dhe justifikimin ligjor për të marrë një urdhër të Gjykatës së Lartë, me synim marrjen e dëshmisë së presidentit mbi këtë çështje, nuk zgjodhëm ta bënim këtë. E morëm këtë vendim, për shkak të vonesës thelbësore që një hap i tillë kishte të ngjarë të prodhonte në një fazë të vonë të hetimit tonë. Ne gjithashtu vlerësuam, se në bazë të dëshmive të rëndësishme që kishim marrë nga veprimet e presidentit dhe deklaratat e tij publike dhe private, kishim dëshmi të mjaftueshme për të kuptuar ngjarje te rëndësishme dhe për të bërë vlerësime të caktuara pa dëshminë e Presidentit”, thekson raporti.

Duke e përmbledhur hetimin e tij, në lidhje me faktin nëse fushata e Trumpit bashkëpunoi me Rusinë, Myler shkruan se: “Në tërësi, hetimi krijoi lidhje të shumta midis zyrtarëve të fushatës së Trump dhe individëve të lidhur me qeverinë ruse. Këto lidhje përfshinin edhe gatishmërinë e Moskës për të ndihmuar Trump gjatë fushatës. Në disa raste, stafi i presidenti ishte e gatshëm të pranonte ndihmën, ndërsa në raste të tjera, zyrtarët e fushatës refuzuan. Në fund të fundit, hetimi nuk vërtetoi se fushata e Trump ishte e koordinuar ose e komplotuar me qeverinë ruse, në aktivitetet e ndërhyrjes në zgjedhje” përfundon raporti.

Në reagimin e tyre të parë, demokratët kanë sulmuar gjithashtu Prokurorin e Përgjithshëm Amerikan, Ëilliam Barr, duke e akuzuar atë për "mashtrimin".
Sipas një sërë ekspertësh, strategjia e demokratëve është të dëmtojnë sa më shumë imazhin e presidentit gjatë zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat kanë të ngjarë të jetë edhe më të trazuara se ato të vitit 2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë