Art dhe Kulture

Pse Teatri nuk ka të njëjtin fat si Piramida?

Zemërata dhe dhimbja në fjalët e aktorit Naun Shundi, pasi Teatrit Kombëtar iu hoqën shkronjat nga fasada, natën e së enjtes, tingëllonte si profecitë e Kasandrës. “Mos guxoni të vini dorë mbi ndërtesën që është ndërtesë e shenjtë për shumë breza! Do t’ju mallkojnë nëqoftëse tentoni ta prishni!”, shkruante aktori, i cili i është ngjitur skenës së atij teatri, që kur u diplomua në mes të viteve ’80. Veshët të cilëve iu drejtua, qeverisë që ka vendosur ta shembë për të ndërtuar një godinë të re, mund të mos i besojnë fjalët e tij dhe të të gjithë atyre që për mëse katërqind net mblidhen në mbrojtje të teatrit, por ashtu si në mitologjinë greke mosbesimi nuk i bënte më pak të vërteta profecitë e Kasandrës.

“Çdo dorë e ngritur mbi ndërtesën e Teatrit Kombëtar është një dorë gjakatare, e pashpirt, e pabesë dhe e pangopur”, vijonte Shundi, i cili numëron në karrierën e tij mbi 60 role skenike, ndërsa sillte ndërmend një shprehje të regjimit të shkuar, “Mbi gërmadhat e Shqipërisë së vjetër, do të ndërtojmë Shqipërinë e re.” Ata që pretenduan “Shqipërinë e re” do të ishin lumturuar me këtë “Shqipëri të re” që po gëzojmë sot”.

Aktori Naun Shundi

Në po të njëjtën ditë, një tjetër godinë e cila dikur rrezikoi fatin e teatrit, e ndërtuar në vitet e fundit të regjimit komunist, do të merrte dritën jeshile për rijetëzim. Kështu, kryeministri Rama, kryetari i bashkisë Erion Veliaj dhe kreu i Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Michael Granoff, prezantuan në qendrën COD të kryeministrisë projektin përfundimtar të shndërrimit të Piramidës, ideuar nga arkitekti holandez Winy Mass. Piramida, e cila u përurua në vitin 1988 si muze për ish-udhëheqësin Enver Hoxha, tre vite pas vdekjes së tij, do të lihej në gjendje gjysmë të rrënuar për thuajse tridhjetë vjet, pas ndërrimit të regjimeve. Edhe pse u ripropozua si qendër konferencash, sallë koncertesh, ekspozitash e panairesh, nuk gjeti kurrë një funksion të dytë të qëndrueshëm, ndërsa fasada e strukturës u vandalizua shpesh, me grafiti apo me thyerje xhamash. E megjithatë, mbeti për shumë të rinj një atraksion, për ngjitjet deri në majë të saj apo për kënaqësinë e rrëshqitjes në sipërfaqen e saj prej mermeri.

Në vitin 2010, qeveria Berisha do të merrte vendimin për ta shembur simbolin e diktaturës, duke e cilësuar edhe si “mauzoleu i Enver Hoxhës”. Në rrënojat e strukturës, e cila kur u ndërtua u tha se ishte më e kushtueshmja e bërë në vend, do të ndërtohej një tempull demokracie, sipas Berishës. Aty qeveria e asaj kohe do të niste punën për të ndërtuar kompleksin parlamentar, që do u vinte shqiptarëve si dhuratë për 100 vjetorin e pavarësisë më 2012-n. U hartua për këtë një projektligj, që u  miratua vetëm nga mazhoranca, ndërsa opozita e kundërshtoi fort.

Ashtu e kundërshtuan edhe një grupim arkitektësh, intelektualësh dhe qytetarësh, ndërsa publicisti Ardian Klosi nisi një peticion kundër shembjes së Piramidës, duke mbledhur 6 mijë firma. Ligji për shembjen e Piramidës, përfundoi në Gjykatën Kushtetuese dy herë, por ajo që u duk se e ndali vrullin e qeverisë Berisha, ishte mungesa e fondeve. Fillimisht u tha se qeveria shqiptare do të merrte një grant prej 100 milionë eurosh nga Arabia Saudite për të filluar punimet e kompleksit parlamentar.

Pasi të majtët erdhën në pushtet, Piramida u shpall monument kulture i kategorisë të dytë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, më 2015-n.  Tre vjet më vonë erdhi edhe projekti që do ta  shpëtonte përgjithnjë godinën , duke e kthyer tanimë në një qendër teknologjie dhe inovacioni. Sipas kryebashkiakut Veliaj do të tkeheht në një hapësirë për të rinjtë, që duan të angazhohen në art, kulturë dhe teknologji krijuese. Me pak fjalë, një përvojë e re arsimore, aty ku kryqëzohet teknologjia dhe dizajni, i njohur ndryshe edhe si modeli TUMO. I vënë në praktikë fillimisht në Armeni e më pas në Paris, ky vit e sjell në Tiranë, si një mënyrë për të revolucionarizuar mënyrën e të menduarit të fëmijëve shqiptarë.

Projekti i ri i Piramidës

Një vit pas prezantimit të parë të projektit, u bë e ditur nga qeveria dhe bashkia se punimet do të nisin në qershor dhe brenda 12 muajve do të ketë përfunduar realizimi i projektit. Në faqet e saj të jashtme, Piramida do të pajiset edhe me shkallë për ngjitje, ndërsa do t’i shtohen pjesët prej xhami, për të lejuar dritën natyrale të hyjë brenda. I gjithë ky projekt prezantohet dhe nis punën për realizim, në kohën kur fati i godinës së Teatrit

Kombëtar është shkruar për t’u shembur. Edhe pse projektligji i miratuar në Parlament, qershorin e kaluar, u kundërshtua jo vetëm nga protestuesit që thërrisnin “Mbro Teatrin!”, por edhe nga presidenti Meta, dy herë radhazi, kryeministri Rama është shprehur , një muaj më parë, se do ta ndërtojë teatrin e ri “me se s’bën”.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, prej shkurtit të 2018-s, nuk i ka ndalur tubimet e përnatshme në oborrin e teatrit; e megjithatë gërmat nga fasada e tij u hoqën gjatë orëve të natës, ndoshta për të shmangur ndonjë përplasje të mundshme me protestuesit. “Fasada e Teatrit Kombëtar u zgjua e dhunuar, e zhveshur nga shkronjat identifikuese të saj”, shkruante në një postim Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ndërsa i kërkuan Ministrisë së Kulturës  të mbajë urgjentisht dhe publikisht qëndrim për sa ka ndodhur dhe të kujdeset që shkronjat të rivendosen aty ku ishin. “Në rast se kjo nuk do të ndodhë, Aleanca do të ndërmarrë një aksion privat për riprodhimin e rivendosjen e shkronjave, dhe do ta denoncojë aktin e paprecedentë në Prokurori”, ka bërë të ditur grupimi, ndërsa u kanë bërë thirrje qytetarëve t’u bashkohen në qëndresën e tyre. Ditën e shtunë ata i janë drejtuar Prokurorisë

Ky veprim,  për kryerjen e  të cilit deri tani nuk ka marrë publikisht  përgjegjësi as bashkia e as Ministria e Kulturës, është denoncuar edhe nga Partia Demokratike. “Rama urdhëron çmontimin pa zhurmë, fshehurazi, të  Teatrit  Kombëtar ndërkohë që rilind Piramidën e Diktatorit”, shkruante ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi në Facebook, duke e cilësuar si vjedhje të pronës publike, trashëgimisë kulturore dhe  historisë së  qytetit. Le ta provojë! Teatrin Kombëtar do ta mbrojmë me çdo mjet e me çdo kosto!” 

Me protestat e vazhdueshme të opozitës, e cila kërkon qeveri tranzitore dhe largimin e kryeministrit Rama, teatri duket një kauzë që mund të përqafohet sërish nga ajo, kur vetëm pak kohë më parë kreu u PD-së Basha pati një takim me grupimin e rreshtuar në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.

Për kryeministrin Rama, godina jo vetëm që s’ka ndonjë vlerë historike e kulturore, por as do të ishte i denjë për një teatër province e jo më kombëtar. Por Piramida, synon ta kthejë Tiranën në më atraktive si godina me shkallë e Nju Njorkut, sipas shefit të qeverisë, por edhe ta bëjë kryeqytetin shqiptar një pikë referimi jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

Ndërsa teatri nuk është identifikues për qytetin, pasi u ndërtua sipas tij si një “dopolavoro” nga italianët në vitin 1938, Piramida e projektuar nga e bija e Enver Hoxhës, së bashku me të shoqin e saj Klement Kolaneci dhe arkitektët Pirro Vaso dhe Vladimir Bregu, sipas Ramës “është  një ndërtesë ikonike e një periudhe të posaçme për vendin, që mbetej aty si një shprehje torturuese e pamundësisë, për t’i ikur asaj që ajo përfaqësonte në kohën e kaluar dhe për t’i  dhënë asaj një jetë të re.”

Ky projekt i dha fund edhe dilemës 30 vjeçare mbi godinën, e cila nga 2020 pritet  të ketë një funksion konkret.  Teatri Kombëtar i ndërtuar nga arkitekti italian Giulio Berté, i nisi punimet më 1938 –n dhe u përurua një vit më vonë.   Me tetëdhjetë vite jetë dhe histori, dëshmitar i ndërrimit dhe përmbysjes së disa regjimeve, për një kohë pa edhe gjyqet e para të komunistëve në pushtet kundër “armiqve të popullit” , ku u morën vendimet mbi jetët e 17 njerëzve, disa prej tyre të dënuar me pushkatim, sipas kësaj qeverie nuk ka asnjë vlerë kulturore e historike. Një përfundim të tillë e nxorën më herët edhe specialistët e IMK-së, që më 2014-n e rivlerësuan, duke e cilësuar si objekt që nuk mbart ndonjë vlerë të veçantë. Prej vitit 1945 mbi të janë ngjitur gjenerata të tëra aktorësh.

Gërmat e hequra nga fasada e Teatrit Kombëtar

Edhe pse godina të tjera të periudhës italiane, si Banka e Shqipërisë dhe hotel “Dajti”, kanë statusin e monumenteve të kulturës dhe kanë parë dritën e restaurimit, duket se Teatri Kombëtar do të shkojë drejt shembjes. Ose mund të ndodhë diçka e ngjashme si me qeverinë Berisha, që edhe pse e miratoi ligjin, nuk shkoi deri tek shembja e Piramidës. Berisha sot e kësaj dite nuk ka ndërruar mendim për Piramidën, e cila duhet shembur. Por është kundër shembjes së TK-së. As Rama nuk ka ndërruar mendim për Piramidën, por duket se as për Teatrin, ku thuhet se edhe kur ishte ministër Kulture, kishte pasur ide për ta shembur e për të ndërtuar mbi të një të ri.  

Dikur Artan Lame, i rreshtuar kundër shembjes së Piramidës dhe mbrojtës i trashëgimisë kulturore, do të thoshte  se çështja e Piramidës po e ndan opinionin shqiptar në  të  marrë  dhe të mençur dhe “kjo ndarje ka treguar se te mençurit qenkan më shumë  se të  marrët në  këtë vend”. Një aktiviste e çështjes për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, Elona Caslli, shkruante pas heqjes së gërmave, “Vallë a do të mundeni të hiqni gërmat e një qëndrese?!” Në atë shesh, sipas Casllit, ka një bashkësi gërmash, që quhet “Alfabet i Qëndresës”.

Naun Shundi, në zemëratën e tij për aktin e përdhosjes së asaj godine që për aktorët ka shenjtërinë e një tempulli, thoshte se edhe pse iu hoqën shkronjat, Teatrit Kombëtar nuk mund t’i heqin dot emrin. “Ai është  aty, me  famën dhe lavdinë  që  nuk mund t’ia rrëzojnë  disa gërma të  shkulura pabesisht, natën.”  Mes objekteve që mbajnë sot trashëgiminë kulturore dhe historike të Tiranës,  ku bëjnë pjesë Piramida dhe Teatri Kombëtar, edhe pse me funksione dhe qëllime të ndryshme, mbetet vetëm që teatrit t’i urohet fati i Piramidës!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë