Shendet

Pse stresi mund të shkaktojë fryrje barku dhe si ta kapërceni këtë gjendje

Nga Gazeta ‘Si’- Kur je në një moment emocionalisht të vështirë dhe ndihesh në kufijtë e tu, të ndihesh keq edhe fizikisht është gjëja e fundit që të duhet- por shumë shpesh këto dy gjendje shkojnë bashkë.

Edhe pse mund të duket e rastësishme, stresi mund të shoqërohet me fryrje të barkut (dhe probleme të tjera të tretjes), edhe kur dieta jote nuk ka ndryshuar fare, thonë ekspertët.

Me fjalë të tjera: kur po kalon një ditë të keqe, është krejt e mundshme që përveç gjendjes emocionale të fillosh të ndjesh edhe shqetësime në stomak.

Kjo lidhje ka edhe një emër: boshti zorrë–tru.

“Zorra jonë është si një ‘tru i dytë’ dhe ndikohet shumë nga sistemi nervor”, shpjegon dietologia Rebecca Ditkoff.

Sistemi tretës pasqyron gjendjen emocionale sepse këto dy sisteme janë të lidhura ngushtë.

Kur je në stres, trupi hyn në gjendjen “lufto ose ik”. Në këtë moment lirohen hormone stresi si kortizoli dhe adrenalina, dhe trupi i jep përparësi mbijetesës, jo tretjes së ushqimit. Si rezultat, gjaku largohet nga sistemi tretës dhe shkon drejt muskujve, duke ngadalësuar funksionin e stomakut dhe zorrëve.

Kur tretja ngadalësohet, ushqimi qëndron më gjatë në sistem dhe nuk shpërbëhet siç duhet. Kjo bën që të krijohet më shumë gaz dhe si pasojë shfaqet fryrja e barkut.

Tek disa persona, stresi mund të shkaktojë edhe efektin e kundërt: dhimbje barku dhe diarre, siç ndodh shpesh te personat me zorrë të irrituar.

Në këtë gjendje, edhe mënyra si ha ka rëndësi.

Kur je i stresuar, njerëzit priren të hanë shpejt, të gëlltisin më shumë ajër dhe të mos përtypin mjaftueshëm- gjë që e përkeqëson fryrjen.

Në anën tjetër ekziston gjendja qetësohu dhe tret, ku trupi është i relaksuar, hormonet e stresit janë të ulëta dhe sistemi tretës funksionon normalisht.

Në këtë gjendje ushqimi tretet më lehtë dhe trupi e përthith më mirë.

Ekspertët theksojnë se nuk është mirë të anashkalohet ushqimi kur je i stresuar, por mënyra si ha mund të ndihmojë shumë.

Disa këshilla praktike:

  • Merr frymë thellë për të ulur stresin para se të hash
  • Ha në një ambient të qetë, pa nxitim dhe pa telefon/kompjuter
  • Mos ha “në ecje” ose duke punuar njëkohësisht
  • Zgjidh ushqime më të lehta për tretje (si supa apo ushqime të ngrohta)
  • Shmang pijet e gazuara dhe ushqimet që rrisin gazrat
  • Përtyp ushqimin ngadalë dhe mirë

Stresi nuk ndikon vetëm në mendje- ai ka një efekt të drejtpërdrejtë edhe në trup, sidomos në sistemin tretës, dhe fryrja e barkut është një nga shenjat më të zakonshme të kësaj lidhjeje mendje- trup./

Burimi: Self.com


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë