Futboll

Pse Salah do t’i mungojë Botërorit

Pas një sezoni të shkëlqyer, ku theu disa rekorde, Mohamed Salah pritej të shkëlqente në Botëror me egjiptin e tij, por nuk ishte e thënë.

Sulmuesi i Faraonëve mungoi në ndeshjen debutuese për shkak të dëmtimit të pësuar në finalen e Ligës së Kampionëve në atë duel me Sergio Ramos dhe në ndeshjen e dytë i mungoi qartësia dhe shpërthimet që e kemi parë zakonisht me Liverpulin e Jurgen Klopp këtë sezon.

Me zero pikë të grumbulluara, Egjipti i eleminuar do të përballet këtë të hënë në ndeshjen e fundit ndaj Arabisë Saudite, gjithashtu e eleminuar, para se të dy skuadrat të fluturojnë për në shtëpi dhe më shumë se gjithë të tjerët, do të jetë pikërisht Salah ai që do t’i mungojë këtij botërori dhe ja disa nga arsyet:

Kupa e Botës humbet një prej lojtarëve më të jashtëzakonshëm të këtyre ditëve

Mohamed Salah stërvitet me skuadrën në Volgograd Arena para ndeshjes me Arabinë Saudite

Kur Salah u dëmtua në atë duel me Sergio Ramos në finalen e Ligës së Kampionëve në muajin maj dhe u detyrua që të largohet i përlotur nga fusha, shpresat e Liverpulit për ta fituar “Kupën me dy veshë” u shuan.

Në Egjipt, tifozët kryqëzuan gishtat dhe prisnin me padurim analizat mjekësore për të parë nëse sulmuesi do të ishte në Rusi apo jo, duke e dituar rëndësinë që ai ka për skuadrën dhe me të drejtë.

Në tetë golat që Egjipti shënoi në fazën e kualifikimeve, Mohamed Salah la gjurmë në shtatë prej tyre, duke shënuar vetë pesë dhe duke dhënë asiste në dy të tjerë, që dërguan “Faraonët” për herë të parë në finalet e një Botërori që prej vitit 1990.

Pa të në fushë, sulmi i egjiptianëve katandisej me një rrezikshmëri poshtë modestes dhe humbja 1-0 me Uruguajin e provoi këtë. Në ndeshjen e dytë ndaj Rusisë, Salah ishte në fushë, por qartësisht jashtë formës së tij më të mirë dhe u bë protagonist vetëm me një 11-metërsh të shënuar në minutat e fundit në atë humbje 3-1.

“Pjesën më të madhe të fazës përgatitore Salah e ka zhvilluar më vete. Nuk ishte në gjendje optimale për t’u trajnuar me ne. Është e vështirë të parashikosh se si do të luanim nëse ai nuk do të ishte dëmtuar, por të gjithë janë në dijeni të talentit dhe gjërave që ai mund të bëjë në fushë në ditët e tij të mira”, deklaronte para nisjes së Botërorit, trajneri i Egjiptit, Hector Cuper.

Më pak fansa në rrjetet sociale

Për egjiptianët ai është një hero, ndërsa në mbarë botën janë me miliona e miliona adhurues të tij. Në Kajro portreti i tij është gdhendur në një murale gjigante, një shkollë mban emrin e tij dhe përgjatë gjithë karrierës miliona euro ka hedhur si bamirësi për shkollat e spitalet. Egjiptianët e duan, aq sa në zgjedhjet e fundit presidenciale disa do të shkruanin emrin e tij në fletën e votimit, megjithëse ai s’ishte kandidat.

Kapitulli i fundit në betejën për Topin e Artë

Botërori ishte skena e madhe e fundit për egjiptianin për të treguar se e meritonte Topin e Artë këtë sezon. Me të drejtë përfshihej si pretendent mes Messit dhe Ronaldos. Por, me eleminimin nga Kupa e Botës kuotimi i tij bie ndjeshëm.

Në garë mbetet Ronaldo dhe Messi, ndjeshëm të kuotuar mbi të tjerët. Megjithatë, deri më tani ky botëror ka treguar se portugezi ka rritur kreditet e veta falë paraqitjes në dy ndeshjet e para, ku ka shënuar 4 gola dhe i ka dhënë Portugalisë po aq pikë. Messi nga ana tjetër jo vetëm që nuk ka gjetur ende rrugën e rrjetës, por në ndeshjen hapëse humbi një penallti ndaj Islandës dhe përballë Kroacisë, në atë humbje 3-0 ishte krejtësisht në hije.

Mundësia e fundit për të hyrë në historinë e futbollit egjiptian

Salah shpresonte që ta dërgonte Kombëtaren e tij për herë të parë në fazën përtej grupeve, por kjo nuk ndodhi. Megjithatë ka një objektiv që mund ta realizojë, nëse gjendja fizike e lejon.

Egjipti, megjithëse është skuadra më e suksesshme në Afrikë, duke fituar 7 Kupa të Kombeve Afrikane, tre nga të cilat pas 2006, nuk ka fituar kurrë një ndeshje në finalet e Kupës së Botës. Këtë mund ta realizojë ndaj Arabisë Saudite me ndihmën e Salah.

Salah bëri bashkë tifozët

Është ndër lojtarët e paktë në qarkullim për të cilin vlerësimi më i keq i tifozëve, edhe kundërshtarë, është admirimi. Në Egjipt ka bërë bashkë tifozët e skuadrave rivale, që në kampionatin vendas njihen për urrejtjen dhe përplasjet e dhunshme, që shpesh pasohen me viktima.

Pikërisht prej Salah u transmetua për herë të parë në ambientet e një xhamie një ndeshje futbolli. Ishte një organizim i përbashkët i Shoqërisë Abdullah Quilliam dhe Tifozët Mbështesin Bamirësinë, duke bërë bashkë dy komunitete të ndryshme në Britani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë