Ne rrjet

Pse Rusia nuk ka goditur kurrë mbi bunkerin-presidencial për të eliminuar Zelenskin?

Gjatë pushtimit të Irakut, pallatet e ish-presidentit Saddam Hussein ishin një objektiv kryesor i SHBA-ve. Në Ukrainë, zyra presidenciale e Volodimir Zelenskit nuk ka qenë kurrë në shënjestër të raketave ruse në dy vitet e luftës. Pse po frenohet Moska?

Gazeta Si - Volodimir Zelenski ishte i qartë pas vdekjes së Aleksei Navalnit. “Vladimir Putin vret kë të dojë”, tha presidenti ukrainas. “Pavarësisht nëse është një lider opozitar apo dikush që është kundër tij”.

Por Zelenski ende mund ta quajë veten me fat në njëfarë kuptimi, pas 734 ditësh luftë. Nëse rusët do të kishin përdorur fushatat e ushtrisë amerikane në Irak si një plan për pushtimin e tyre, zyra e Zelenskit në rrugën “Bankova” në qendër të Kievit, do të ishte zhdukur shumë kohë më parë. Mund të ishte shkatërruar nga një raketë lundrimi ruse “Kalibr” ose një bombë e lëshuar mbi bunker.

Shtabi i gjeneralëve më të lartë ukrainas, mund të kishte qenë gjithashtu objektivi i parë i komandës së lartë në Moskë.

Edhe pse Kievi është shënjestruar rregullisht nga dronët iranianë “Shahed” dhe raketat e lundrimit, zyra e qeverisë nuk është shkatërruar.

Volodimir Zelenski me bshkëpunëtorët e tij në pallatin presidencial në Kiev

“Bankova 11”, zyra presidenciale e bardhë në qarkun qeveritar të quajtur "Trekëndëshi", ende qëndron në këmbë. Si dhe ministri të tjera të rëndësishme dhe pallati Mariinsky, i cili përdoret për raste zyrtare.

Zelenski përdor gjithashtu një bunker në zyrën e tij, ku fshihet kur sirena e sulmit ajror bie gjatë një bombardimi rus.

“Një kompleks i Luftës së Ftohtë që dukej si një tunel i madh metroje, por që është shndërruar në një zyrë”, kështu e përshkruan bunkerin-presidencial gazetari amerikan, Simon Shuster, i cili ndoqi Zelenskin për një vit për librin e tij “The Showman”.

Por ky kompleks gjithashtu nuk është goditur kurrë nga një KAB-1500, një bombë ruse e drejtuar me lazer me një forcë të madhe shpërthyese që depërton deri në 20 metra nën tokë për të shkatërruar bunkerët e thellë prej betoni.

Rusia filloi përdorimin e kësaj bombë në vitin 2023 dhe forcat ajrore ukrainase thonë se nuk janë në gjendje ta ndalojnë atë.

"Bankova 11", zyra presidenciale ukrainase në qendër të Kievit

Bombardimi në shkallë të gjerë

Lehtësia me të cilën Zelenski mund të operojë nga ndërtesa presidenciale, ka qenë befasuese në Perëndim për dy vjet.

Veçanërisht për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat bombarduan dhjetëra pallate dhe bunkerë në Bagdad të regjimit të Sadam Huseinit për ditë të tëra gjatë pushtimit të Irakut në vitin 2003 me një operacion masiv “tronditje dhe frikë”.

Shërbimi amerikan i inteligjencës ushtarake, Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA), e cila monitoron nga afër veprimet ushtarake të rusëve, sheh nga njëra anë se si ushtria ruse po bombardon objektivat civile ukrainase me forcë brutale.

Pjesë të mëdha të qyteteve si Mariupol u rrafshuan me tokën. Në të njëjtën kohë, Zelenski ende gëzon një shkallë të lartë lirie të lëvizjes në zyrën e tij presidenciale dhe bunker.

"Ajo që mund të luajë një rol në vendimin për të mos shkatërruar zyrën e Zelenskit, është se rusët e dinë saktësisht se çfarë shohin tek ai tani", - thotë gjeneral-majori holandez, Pieter Cobelens, ish-drejtor i Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake Holandeze, MIVD.

Ky shërbim spiun gjithashtu vëzhgon me vëmendje veprimet ushtarake të rusëve dhe strategjinë e tyre. “Nëse Zelenski eliminohet, thjesht nuk dihet se kush do ta zëvendësojë dhe si do të sillet në luftë”.

Arsenali ushtarak rus

Në ditët e para të pushtimit, ekipet ruse të vrasjes u përpoqën të depërtonin në qendrën qeveritare në kërkim të Zelenskit.

Në një intervistë për “Time”, presidenti dhe shoqëruesi i tij përshkruan luftimet në ato dy ditët e para pranë zyrës presidenciale.

Ekzistonte gjithashtu frika se zyra dhe bunkeri i Zelenskit do të ishin në shënjestër të arsenalit të gjerë rus të raketave të lundrimit të teknologjisë së lartë.

"Ai sulm ajror po vjen", - tha këshilltari i Zelenskit, Mychaylo Podoljak. "Ata do të na godasin këtu dhe gjithçka do të kthehet në rrënoja”.

Moska më vonë pranoi haptazi se po frenohej. "Ushtria ruse deri më tani ka vendosur të përmbahet nga një gjë e tillë", - tha një zëdhënës i ushtrisë për sulmet ajrore në zyrën e Zelenskit dhe ndërtesat kryesore.

"Kjo është një luftë e çuditshme", - tha kolonel Dmitri Trenin, ish-drejtor i qendrës së mendimit “Carnegie Moscow” për “New York Times” pas tre muajsh luftime.

“Rusia me sa duket i ka vendosur vetes kufij mjaft të rreptë, por kjo nuk shpjegohet në asnjë mënyrë. Kjo ngre shumë pyetje në mesin e rusëve.”

Më mirë një snajper...

Listat që kryebashkiaku Vitali Klitschko i Kievit jep kur kryeqyteti është sërish në shënjestër nga rusët, shpesh humbasin vendndodhje të rëndësishme ku është vendosur udhëheqja ukrainase.

Për shembull, në tetor 2022, rreth 70 ndërtesa u goditën në një nga sulmet ajrore në shkallë të gjerë. Shumica ishin banesa, shtëpi dhe shkolla.

Atë ditë, një video qarkulloi shpejt se zyra e Zelenskit ishte shkatërruar gjithashtu. Megjithatë, rezultoi se ishte një ndërtesë 2 kilometra larg.

Disa ekspertë të mbrojtjes i shohin operacionet ajrore ruse si provë se Rusia nuk është ende në gjendje të vendosë armë precize aq të koordinuara dhe me vendosmëri sa SHBA-të. Si drejtor i MIVD, Cobelens vizitoi disa nga pallatet e Sadamit gjatë një vizite në Irak në vitin 2006.

Ushtarët holandezë kanë qenë në njërin prej tyre. Cobelens pa që fushata e bombardimeve amerikane nuk kishte qenë e suksesshme kudo.

"Jo të gjitha ato pallate u goditën", - tha ish-shefi i spiunazhit. “Rusët tani mund të organizojnë një operacion të ngjashëm, por suksesi nuk është aspak i garantuar. Mbrojtja ajrore e Ukrainës arrin të rrëzojë shumë dronë dhe raketa. Nëse vërtet duan që Zelenski të vdesë, më mirë punësoni një snajper...”.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë