Ne rrjet

Pse rikthimi befasues i David Cameron ka ndarë në dysh Partinë Konservatore

Me një emërim të papritur të hënën, Cameron, i cili shërbeu si kryeministër i Britanisë së Madhe midis viteve 2010-2016, u bë sekretar për punët e jashtme në qeverinë konservatore të Rishi Sunak.

Ishte zhvillimi më i madh në riformatimin e Sunak i cili shkarkoi jo vetëm krahun e djathtë Suella Braverman nga detyra e sekretares për Punët e Brendshme por emëroi shumë nga aleatët e tij më të afërt në postet kryesore.

Cameron, i cili dha dorëheqjen pasi humbi referendumin për Brexit në 2016, bëhet diplomati më i lartë i Mbretërisë së Bashkuar.

Atij i është dhënë një vend në Dhomën e Lordëve me qëllim që ta lejojë atë të ushtrojë detyrën e sapomarrë

Drejtimi i zyrës së jashtme për Cameron është një mundësi për të rindërtuar reputacionin e tij të dëmtuar pasi humbi  referendumin për Brexit dhe u përball me kritika therëse për punën e tij lobuese pas-qeveritare.

Por vendimi i Sunak për ta rikthyer atë ka provokuar mosmarrëveshje të mprehta në një Parti Konservatore, e cila, deri më tash është e destinuar për humbje elektorale.

Mendimi i ndarë

POLITICO foli me më shumë se gjysmën e deputetëve dhe ministra konservatorë që mirëpritën kthimin e Cameron. Shumica, por jo të gjithë, ishin nga krahu i majtë dhe qendror i konservatorëve. Disave iu dha anonimiteti për të folur lirshëm për situatën e partisë në pushtet.

"Urrah!" tha një ish-ministër. Një deputet konservator i zgjedhur në vitin 2019 tha se "kjo në fakt mund të rezultojë një lëvizje mjeshtërore" nga Sunak dhe paralajmëroi "një kthim në terrenin e arsyeshëm".

Një tjetër deputet konservator i vitit 2019 tha: "Më ka munguar kalibri i tij në qeveri ... kundërshtuesit harrojnë se ai solli shumë prej nesh në Partinë Konservatore në vitet tona më të hershme”

Si lider konservator, Cameron ndihmoi që partia e tij të ringrihej.

Ai modernizoi imazhin e saj, diversifikoi pjesëmarrjen e përfaqësuesve të saj parlamentar dhe negocioi një koalicion dikur të pabesueshëm me Liberal Demokratët e qendrës së majtë në 2010 për t'i dhënë fund viteve të sundimit laburist.

Ai gjithashtu parapriu një luftë për referendumin skocez në vitin 2014, dhe më pas mori një fitore të konsiderueshme zgjedhore në 2015.

Richard Graham, deputet për Gloucester tha se emërimi i Cameron ishte vendim  i fortë për shkak të "përvojës dhe temperamentit të tij".

Një ish-ministër i kabinetit i bëri jehonë emërimit, duke thënë se do të përconte tek publiku mendimin se konservatorët janë seriozë për qeverisjen dhe fitoren.

Ndërkohë, deputetët konservatorë në vendet e Anglisë jugore shpresojnë se kthimi i Cameron do të ndikojë në zgjedhjet e ardhshme.

Në shumë prej këtyre vendeve, partia përballet me një sfidë të fortë për të majtën nga Lib Dems.

Polemika në gjyq

Por emërimi i tij ka shqetësuar disa deputetë në të djathtë të partisë – të cilët dyshojnë për një zhvendosje majtas në qeverinë e Sunak.

Një deputet konservator i cili është aleat me Braverman tha se ata ishin të shqetësuar për drejtimin

Disa në Ëestminster argumentojnë se polemika mbi aktivitetet e tij që nga largimi i detyrës mund ta bëjë Sunak të pendohet që e ktheu atë në vijën e parë.

Ish-kryeministri ishte në qendër të skandalit Greensill, një nga debatet më të mëdha të lobimit në historitë e fundit politike britanike.

Një komision parlamentar zbuloi në vitin 2021 se Cameron kishte treguar një "mungesë të konsiderueshme gjykimi" në lobimin e qeverisë britanike në emër të firmës financiare Greensill Capital, e cila e punësoi atë si këshilltar me pagesë përpara se ajo të dështonte mes pyetjeve mbi mënyrën se si drejtohej.

Hetimi i Zyrës së Mashtrimit të Rënda ndaj firmës është në vijim.

Deputetët konservatorë, të cilët janë sanksionuar nga Pekini për kritikat e tyre ndaj mënyrës së si drejtat e njeriut respektohen aty, janë gjithashtu të shqetësuar rreth asaj se çfarë do të thotë emërimi i Cameron për qasjen e Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kinës.

Si kryeministër, Cameron paralajmëroi një "epokë të artë" në marrëdhëniet me Pekinin - dhe madje priti presidentin Xi Jinping për një vizitë shtetërore.

Pas largimit nga detyra, Cameron u bë nënkryetar i një fondi investimi MB-Kinë. POLITICO raportoi më parë se deri në shtator ai kishte udhëtuar në Sri Lanka për të investuar në një port të ndërtuar nga Kina në Colombo.

Ish-udhëheqësi i konservatorëve Iain Duncan Smith tha: “Ata prej nesh që janë të sanksionuar nga Kina dhe përballen me sulme në internet ditë pas dite janë të habitur me këtë emërim. Kjo tregon se Sunak synon të bëjë biznes me Kinën me çdo kusht”

Reagimi ndërkombëtar

Emërimi i Cameron në krye të diplomacisë britanike është vënë re  edhe jashtë vendit, përfshirë Evropën ku disa liderë u morën me të drejtpërdrejt si kryeministër.

Mark Rutte, kryeministri holandez që mori detyrën në të njëjtin vit me Cameron, e mirëpriti atë përsëri në politikën e vijës së parë me një postim në X.

Disa ministra të jashtëm të BE-së u bashkuan, ndërsa diplomatët e BE-së u përpoqën të hënën të kuptonin se çfarë do të thotë për Mbretërinë e Bashkuar në marrëdhëniet me BE-në.

Ka pak dyshim se Cameron mund të ndihmojë Sunak në skenën ndërkombëtare.

Por pyetja që po bëjnë konservatorët është nëse e kaluara e tij do t'u bëjë atyre më shumë dëm sesa dobi.

Burimi: Politico/ Përshtati në shqip: Gazeta 'Si'


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë