Ngjarje

Pse po shtyhet Dita e Verës në Tiranë

Erion Veliaj kërkoi mendimin e qytetarëve përmes një sondazhi të hapur në rrjetet sociale për të zhvendosur festimet e Ditës së Verës në Tiranë nga 14 Marsi në 17 mars. Arsyeja e dhënë nga kryebashkiaku i Tiranës lidhej me parashikimin e motit, që nuk premtonte për kohë të mirë në datën tradicionale të kësaj feste. Vetëm një ditë më herët, më 16 mars, opozita ka thirrur një protestë tjetër në kryeqytet.

Sondazhin e hapur më 9 mars e mbylli më 11 mars dhe përmes tij “zyrtarizoi” shtyrjen e festës me tre ditë.

“Në të tre rrjetet @Twitter, @facebook & @instagram mbi 10,000 vetë morën pjesë në votim! Festimet për Ditën e Verës në TR do zhvillohen të dielën më 17 mars. Evitojmë shiun, shijojmë mbi 50 evente familjare”, shkruan Veliaj.

https://twitter.com/erionveliaj/status/1105043596602982400

Pa vënë në dyshim vërtetësinë e pjesëmarrjes dhe të rezultatit të prodhuar, vetë gjesti i Erion Veliajt për të marrë mendimin e qytetarëve për të zhvendosur festimet e një feste kombëtare ngre disa pikëpyetje.

Shumëkush pyet veten se përse nevojitej ky "mendim qytetar" për një çështje që nuk u cenon xhepat dhe nuk u pyetën fjala bie për vendime të marra nga bashkia, që ndikojnë drejtpërdrejtë në ekonominë dhe përditshmërinë e qytetarëve.

Një prej këtyre temave delikate është rritja e çmimit të ujit. Kur u vendos rritja e tij me 40 për qind, Erion Veliaj nuk hapi një sondazh të ngjashëm në rrjetet sociale. Ai nuk hapi sondazhe për parkingjet me pagesë, as për ngushtimin e rrugëve e hapjen e korsive të biçikletave. Qytetarët s’u pyetën e nuk pyeten për lejet e ndërtimit apo për Teatrin. Këto, që nuk i "sheh" kryebashkiaku i ditës në Tiranë, duket se i ka parë në një panoramë më të gjerë ish-kryebashkiaku i natës, Briken Fejzullahi.

https://www.facebook.com/briken.f/posts/10217913544541043

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani i kujton kryebashkiakut se bëhet fjalë për një festë kombëtare, që as mund të tjetërsohet dhe as të shtyhet.

“Është vendosur me ligj festa dhe pushimi dhe jo me Twitter, as me FB e as me Instagram. Ligji nuk ia ka lënë të drejtën as të shtyjë e as të vendosë data të reja Kryetarit të Bashkisë! Populizmi është thjesht akt i pështirë paligjshmërie! Le pastaj, kur bën sikur po pyet popullin!!! Kur ia zë sheshet e dritën e diellit me kulla nuk ndihet!!”, shkruan ai.

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=626670091110768&id=100013033472627

E gjithë nisma e kryetarit të Bashkisë bie ndesh gjithashtu edhe me një raport konkret të Institutit të Studimeve Politike, publikuar së fundmi. ISP gjen një bilanc pozitiv dëgjesash publike, por në shumicën e rasteve këto dëgjesa kanë qenë fasadë dhe thellësisht partiake.

“Natyra e këtyre dëgjesave është më shumë në funksion të agjendës politike të partisë që drejton bashkinë, sesa në funksion të standardeve ligjore për qeverisjen vendore. Folës kryesorë janë figura partiake, slogani është i njëjtë me partinë dhe pjesëmarrësit janë kryesisht rrjete të organizimit brenda-partiak”, thotë ISP.

Ndërkohë që, në Elbasan, kryeqendrën e kësaj feste, askujt nuk i ka shkuar në mendje që të vendosë shtyrjen e festimeve mbi tekat e motit.

Vetë festa e Ditës së Verës si festë kombëtare është një produkt me ngjyrime të forta politike. Në ditët e para të marsit 2004, Fatos Nano ishte përballë protestave më masive që kishte parë që nga koha që socialistët kishin ardhur në pushtet. Më 7 mars, një javë para festës tradicionale që deri në atë kohë ishte festë ekskluzive e Elbasanit, mijëra vetë protestuan me parrullën “Nano Ik”.

Për të zbehur protestën, hequr vëmendjen dhe zbutur zemërimin e protestuesve, së bashku me Edi Ramën, Fatos Nano e shpall festë kombëtare. Më 14 mars, mijëra vetë dolën sërish në bulevardin qendror, rrugët, sheshet dhe zonën e Liqenit Artificial të Tiranës, por askush për të protestuar, por për të festuar.

A u arrit objektivi i nismës së Nanos? Në një masë të madhe mund të thuhet që po. Sali Berisha doli hapur kundër prishjes së traditës së Ditës së Verës, e cila duhet të mbetej si festë e Elbasanit. Kur erdhi në pushtet ai nuk e hoqi nga kalendari i festave zyrtare, por ka shmangur festimet në kryeqytet, duke udhëtuar gjithmonë më 14 mars drejt Elbasanit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë