Politike

Raporti për Bashkitë: Pak transparencë, shumë propagandë

Pesë bashkitë e Qarkut të Tiranës nuk zbatojnë plotësisht kuadrin ligjor sa i takon detyrimeve dhe përgjegjësive lidhur me llogaridhënien e konsultimet publike dhe as ato për transparencën. Instituti i Studimeve Politike ka publikuar raportin vëzhgues të aktivitetit të Bashkive të Tiranës, Vorës, Kamzës, Kavajës dhe të Rrogozhinës.

“Të gjitha bashkitë janë deficite në zbatimin e ligjit dhe një tregues tjetër simbolik i diferencës midis parimeve të larta ligjore dhe nivelit kritik të zbatimit të tyre në Shqipëri. Pesë Bashkitë nuk kanë faqe interneti me elementët e nëvojshëm që kërkohen nga legjislacioni, me mundësi ndërveprimi dhe me informacion në kohë e me cilësi në funksion të qytetarëve, të konsultimit publik, transparencës dhe vendimmarrjes përmes qytetarëve”, thuhet në gjetjet e bëra publike nga ISP.

Raporti vëren se bashkitë janë përqendruar fort tek rrjetet sociale. “Si formë më atraktive dhe më e shpejtë, por edhe më e njëanshme komunikimi. Adresimi përmes internetit është më i lehtë, por nuk shkon tek të gjitha grupet e qytetarëve në bashki dhe se nuk mund të zëvendësojë format tradicionale të komunikimit dhe të informimit, të përcaktuara edhe nga legjislacioni dhe vetë rregulloret e bashkive”, thuhet aty.

Për Bashkinë e Tiranës është regjistruar një bilanc pozitiv dëgjesash publike, por në shumicën e rasteve këto dëgjesa nuk janë vënë në dispozicion të mirëqeverisjes vendore.

“Natyra e këtyre dëgjesave është më shumë në funksion të agjendës politike të partisë që drejton bashkinë, sesa në funksion të standardeve ligjore për qeverisjen vendore. Folës kryesorë janë figura partiake, slogani është i njëjtë me partinë dhe pjesëmarrësit janë kryesisht rrjete të organizimit brenda-partiak”, vërhet në raport.

Nga monitorimi i pesë bashkive, Bashkia e Vorës rezulton e vetmja, ku në aktivitetet e bashkisë nuk ka deklarime dhe as pjesëmarrje me natyrë politike, ku dominon lajmi “i bashkisë për bashkinë” mbi çdo lajm politik dhe ku raporti midis bashkisë e qytetarëve ka nivel më të lartë besimi. Bashkia Kamëz dhe Bashkia Vorë botojnë gazeta lokale periodike, të cilat tentojnë të zëvendësojnë mungesën e medieve të tjera lokale, por që në tërësi janë në funksion të informimit të njëanshëm nga bashkia për qytetarët dhe jo të qytetarëve për bashkinë.

Komunikimi virtual në rrjetet sociale i bashkive shoqërohet me tendencën e kontrollit të komenteve dhe censurimit të mendimit kritik nga qytetarët, nga përpjekja për të nxjerrë në pah cilësi pozitive individuale të kryetarit të bashkisë dhe se janë të pakta rastet e ndërveprimit, – komenteve qytetare dhe përgjigjeve sqaruese nga ana e bashkisë.

ISP këshillon që Bashkitë t’u japin prioritet promovimit të kapaciteteve dhe potencialeve të tyre humane, historike, kulturore, shoqërore, duke zëvendësuar praktikën e investimit personal te imazhi i kryetarëve të zgjedhur periodikë, tek investimi tek institucioni i bashkisë dhe rrjeti i komuniteteve lokale në bashki.

“Bilanci i monitorimit nxjerr në pah nevojën emergjente që bashkitë: kryetarët, njësitë administrative dhe këshillat bashkiakë të reflektojnë për të vendosur në agjendë prioritare zbatimin rigoroz dhe cilësor të ligjit mbi konsultimin publik dhe mbi vetëqeverisjen vendore në kapitujt për transparencën, pjesëmarrjen, konsultimin dhe llogaridhënien”, thuhet në raport.

Sugjerohet gjithashtu që Këshillat Bashkiakë duhet të rrisin ndjeshëm performancën e tyre, për të luajtur rolin kushtetues e ligjor të “parlamentit lokal”, kontrollues të bashkisë dhe përfaqësues të qytetarëve. “Raportet shpeshherë kritike midis Këshillave dhe Kryetarit të Bashkisë nuk mund të jenë alibi për të mos përmbushur detyrimin ligjor për konsultime dhe pjesëmarrje qytetare në vendimmarrje nga vetë këshillat dhe këshilltarët”, thuhet aty.

Theksohet gjithashtu se bashkitë duhet të krijojnë mekanizma efikasë informimi dhe ndërveprimi me qytetarët, brenda kuadrit ligjor dhe brenda praktikave e standardeve më të mira qeverisëse, për të përmbushur detyrimin ligjor por edhe për të qenë shembull për bashkitë e tjera në nivel kombëtar. Bashkitë dhe këshillat bashkiakë duhet të mundësojnë buxhete specifike lidhur me konsultimet publike dhe llogaridhënien, të kenë kalendar publik mbi masat dhe aktivitetet në këtë drejtim, të kenë një sistem të dyanshëm informimi me grupet qytetare dhe organizatat e shoqërisë civile e medien lokale. Bashkitë duhet të krijojnë produkte të matshme që provojnë nivelin e transparencës dhe llogaridhënies (vlerësime periodike për stafet drejtuese në bashki dhe në njësi, informacion publik për përdorimin e buxhetit dhe projektet afatgjata e afatshkurtra, nivelin e marrjes së opinioneve nga grupet e interesit dhe reflektimin e tyre, nivelin e perceptimit qytetar ndaj problematikave më të rëndësishme lokale, etj).

Për një qeverisje më të mirë, ISP këshillon një koordinim më të mirë mes pushtetit lokal dhe atij qendror. “Bashkitë dhe organi tjetër përfaqësues, deputetët e Kuvendit, duhet të kenë një sistem komunikimi të përhershëm dhe konstruktiv, pavarësisht përkatësive të partive politike, për të trajtuar në rrugë ligjore dhe me efikasitet problematikat e konstatuara në periudhën e implementimit të reformës së re territoriale, sidomos lidhur me kompetencat e pushtetit vendor, buxhetin, përfaqësimin më të mirë të qytetarëve dhe mbrojtjen e interesave të vetë banorëve të njësive bashkiake”, thotë raporti.

Detyrimet ligjore dhe standardet e reja të legjislacionit mbi konsultimin publik dhe qeverisjen vendore, janë objekt monitorimi i Institutit të Studimeve Politike për rastet e pesë bashkive të qarkut Tiranë. Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e Lëviz Albania (LA) po kryen hulumtime në nivele të ndryshme të aktivitetit të këshillave bashkiakë dhe të bashkive të qarkut Tiranë (Tiranë, Kavajë, Kamëz, Vorë e Rrogozhinë). Projekti “Bashkitë e qarkut Tiranë: transparenca, qeverisja qytetare dhe llogaridhënia” kanë në fokus edhe matjen e treguesve të pjesëmarrjes qytetare, llogaridhënies, transparencës dhe të konsultimit publik në pesë bashkitë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë