Opinion

Pse po ngrihet forca speciale me Komando? Kush po e shkatërron policinë?

Nga Anila Hoxha - Ideja dhe premtimi për të ngritur një njësi superspeciale që do të arrestojë të fortët e rrugëve dhe lagjeve më gëzoi tej mase. Mendova "hajt për hajër". Por thashë me vete po bëj nja dy kërkime. Fillimisht në Google del ligji shqiptar për forcat speciale, RENEA dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat ekzistojnë, por që një pjesë e tyre janë katandisur prej vitesh nga një shfytëzim i tillë, që nga ngritja e makinetave vite më parë, e deri tek ngritja në krah e çadrave të plazhit.

FNSH boll po shfytëzohet për ç’të mundet, sikurse edhe forcat e rendit që shikojnë nga qielli se mos ndonjëri ndërron pllakat e banjës pa leje, apo vendos çadër pa leje; të shpresojmë se një ditë me këto fushata policore për të cilat asnjë drejtues nuk reagon do ta thërrasim policinë t'na hekurosë rrobat . Rroftë policia që duam!

Po le të merremi me repartin "RENEA" dhe kompetencat që ligji ja ka dhënë dhe që jo më kot konsiderohet si struktura më elitare për kapjen e të fortëve. Forcat speciale që ekzistojnë prej vitesh ligji na thotë se kryejnë këto detyra:

  1. kryejnë operacione të shkallës së lartë të vështirësisë për arrestimin e individëve dhe grupeve kriminale
    2.kryejnë operacione për shoqërimin e personave shumë të rrezikshëm.
    3.kryejnë operacione për shpëtimin e pengjeve…e të tjera.

Pa as më të voglin dyshim jam pro kapjes së të fortëve të çdolloji, përsa kohë ata shkelin ligjin. Pra, jam pro edhe për superspecialet. Por përse kjo strukturë, kur policia ka forca speciale dhe reparte elitare; kemi agjentë krimesh, drejtori të hetimit të krimeve të rënda, grupe operacionale speciale, agjentë të infiltruar? A është kryer ndonjë studim i mirëfilltë që të analizojë shkaqet, apo të lerë të nënkuptohet se këto reparte kanë dështuar? A ka një propozim të tillë në letër nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë? Në varësi te cilit departament do të jetë kjo njësi superspeciale ? Sa është numri i tyre? Çfarë aftësish ndryshe kanë nga "RENEA" dhe nga "FNSH" dhe çdo polic që bën pjesë në organizatën e policisë?

Ajo që dihet jozyrtarisht është se pak ditë më parë gati 40 ish-ushtarakë u trajnuan dhe u certifikuan nga RENEA si të aftë për të arrestuar të fortët e lagjeve. Ata kanë kaluar tashmë në pritje të "urdhrit " në Policinë e Shtetit. Por a nuk duhet që të kujtojmë se vite më parë u morën ushtarë dhe u stërvitën për të qenë pjesë e RENEA-s, por që u dështua me sukses? Ku janë strategët e policisë, pse heshtin? Pse nuk tregojnë që kjo formulë nuk eci? A nuk duhet të mbahet parasysh se qysh në përgatitjen fillestare të një ushtaraku dhe një polici ka disa ndryshime:

  1. Komando përgatitet për të vrarë
  2. Polici përgatitet për të parandaluar
  3. Komando nuk është trupë që komunikon me qytetarin. Polici ndërvepron me qytetarin
  4. Komando stërvitet me automatik
  5. Polici armë të tijën ka pistoletën
    …dhe shumë të tjera.

Suksese specialëve të rinj! Uroj që ndonjërit prej jush mos t’i ndodhë që të numërojë monedhat në bankë për të plotësuar këstin e kredisë përpara se të niset në ndonjë operacion të rrezikshëm. Uroj që kur të mbushni moshën 55 vjeç mos të dale ndonjë akt nënligjor se ju duhet të dilni në pension të parakohshëm, siç po propozohet për policët aktualë. Por mbi të gjitha, ruani jetën! EKSPERIMENTET do vazhdojnë që NGA dita e parë që vishni uniformën e policit. QOFSHIN PA DËME!!!

*Marrë nga llogaria në Facebook e autores


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë