Politike

Pse PD dhe PR janë një e “keqe” e domosdoshme për njëra tjetrën

Për Agron Dukën ka vend ajo shprehja “e treta e vërteta”. Pas tre ultimatumesh lëshuar Lulzim Bashës qysh prej muajit nëntor të vitit të kaluar, kryetari i PAA-së, Agron Duka ka siguruar një vend të sigurt në listat e PD-së, në qarkun e Durrësit.

Duka nuk i ka besuar më listës së katër viteve më parë për të qenë tek ajo e mesmja e “sigurt” (që e la jashtë Kuvendit) duke u renditur kësaj here në treshen e parë të qarkut Durrës.

Duka do të përfaqësohet me kandidatët e PAA-së në çdo qark, por nën ombrellën e PD-së.

PD-ja ka ofruar siguri të plotë për një vend në Kuvendin e ardhshëm vetëm për emrin e tij. Pezull ka mbetur çështja me aleatët e tjerë, ndërsa negociatat më të vështira shihen me kryerepublikanin Fatmir Mediu i cili mësohet se ka kërkuar tre vende të sigurta në listat e PD-së.

Mediu kërkon gjithashtu edhe një marrëveshje të shkruar paraprake se në cilin renditje në lista duhet të jenë emrat kandidate te sigurt.

Pikërisht sot (e mërkurë), ditën që ai zhvilloi një takim të gjatë me Lulzim Bashën, Mediu pati disa zhvillime brenda partisë, por edhe jashtë saj.

Që më mëngjes, ai prezantoi 36 kandidatët për qarkun e Tiranës duke kërkuar fillim e mbarim fjalës së tij reciprocitet dhe vlerësim nga ana e PD-së, e duke i vendosur përballë trupën e vet elektorale. Jo vetëm. Mediu e ka bërë te qartë se ndryshe nga partitë e tjera aleate, ai ka një peshë më të madhe.

Mediu tha shumëçka në daljet e tij të mëpasshme gjatë ditës duke folur gjithandej për mediat, diku duke thënë se është i hapur të bisedojë për bashkëpunim edhe me Astrit Patozin dhe Jozefina Topallin e diku duke thënë se në disa qarqe të caktuara ai mund të bashkëpunoje me LSI-në. Gjithnjë, sipas tij, në funksion të fitores të së djathtës.

Por përpos të gjithë thirrjeve për të “maksimalizuar votën”, Fatmir Mediu, një njeri i regjur në politikë dhe në drejtimin e PR-së qysh prej vitit 1997,  i kishte mesazhet e qarta për Lulzim Bashën nga i cili prej kohësh, ai ka kërkuar konkretizim të marrëveshjes, përcaktimin e një strategjie të përbashkët, organizimin në bazë si një grup i vetëm e mbi të gjitha PD-ja tu japë “hakun” që u takon.

Mediu pretendon se pesha që ai ka tek e djathta eshte më tepër nga sa mund t’i premtojë Basha në të vërtetë.

Suksesin më të madh elektoral, Partia Republikane e pati gjatë zgjedhjeve të 2005 ku një skemë taktike e PD-së i mundësoi asaj 12 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, (5 nga të cilët ishin të PR).

Me kalimin e viteve, kjo peshë elektorale ra ashtu si edhe  bashkëpunimi mes dy partive, që është luhatur jo pak në kohe

Vendimi i Lulzim Bashës nuk është i lehtë.  Ai ka filluar të zgjidhë ekuacionin (edhe pse me vonesë) duke nisur me një aleat me profil të majtë, Agron Duka, me të cilin Mediu, por edhe Duka paralajmëronin se mund të dilnin në koalicion me njeri tjetrin.

Duka e bëri zgjedhjen e tij, mori edhe atë që kërkonte. Fatmir Mediu tani po luan me karta të reja, jo se është i mundshëm largimi i tij nga koalicioni i PD-së, porse me ngushtimin e afatit të negociatave dhe sigurimin e asaj që ai kërkon, Mediu ka hedhur në tavoline të gjitha kartat.

Në këtë rast as Mediut nuk i takon të kërkojë më shumë nga sa i takon, (sepse një përfaqësim parlamentar të sigurt mund ta ketë vetëm në koalicion me PD-në), por as edhe Basha nuk mund të humbasë një aleat të hershëm, me profil të djathte, si Fatmir Mediu.

Përçarja e të djathtës anekënd në zgjedhjet e ardhshme, Lulzim Bashës nuk ia jep asfare këtë luks, pavarësisht dëshirës që ai mund të ketë...  /      N.P


Copyright © Gazeta “Si”



Lajme të lidhura


Më Shumë