Politike

Basha s’ka mbyllur ende koordinatorët, por Mediu shpall 36 kandidatët e PR për Tiranën

Partia Demokratike nuk ka përfunduar ende procesin e zgjedhjes së koordinatorëve nëpër qarqe, por Partia Republikane duket se është 10 hapa para.

Kur PD-ja nuk ka zgjedhur ende koordinatorët e aq më shumë të mbyllë hesapet me aleatët,  kryerepublikani Fatmir Mediu ka shpallur në aktivin e Tiranës kandidatët kësaj force politike për zgjedhjet e 25 prillit.

Përmes një aktiviteti me rastin e 30-vjetorit të krijimit, Partia Republikane prezantoi 36 kandidatët për deputetët në Qarkun e Tiranës.

Mediu tha se PR dëshiron të dalë si koalicion me PD-në porse kjo e fundit duhet të bazohet mbi vlerat dhe respektin që duhet të ketë ndaj kësaj force politike. Jo pak, por Mediu ka prezantuar po aq kandidatë sa është edhe numri i deputetëve që prodhon qarku i Tiranës në këto zgjedhje.      

"Ne duam të fitojmë me Partinë Demokratike dhe i takon Partisë Demokratike që të paracaktojë dhe të tregojë se cilat janë rrugët e fitores, dhe e vetmja rrugë është rruga e ndershmërisë, për të pranuar se kush je dhe për të pranuar se me kë punon, për të ndërtuar një koalicion vlerash. E vetmja mënyrë për të ndërtuar një koalicion vlerash, elektorale dhe politike, është kur respekton dhe vlerëson peshën e çdo partie politike, dhe në mënyrë të padiskutueshme, kur arrin dhe gjykon sëbashku, kush janë kandidatët që përfaqësojnë këto vlera, për t`a çuar jo thjesht opozitën përpara, por shoqërinë përpara, në mënyrë që në Parlament nesër, të jenë zëri i qytetarëve dhe i mundësisë për një realitet ndryshe, për të ndërtuar shtetin dhe jo vetëm thjesht të jenë në Parlament për t`i shërbyer pushtetit. Po kërkojmë reciprocitet, respekt, vlerësim të njerëzve të Partisë Republikane, të historisë së Partisë Republikane, të peshës së Partisë Republikane dhe njëkohësisht të ideve të Partisë Republikane, sepse besojmë tek këto ide dhe këto vlera. Kjo është trupa elektorale e Partisë Republikane. Këta do të jenë kandidatët, ju do të jeni kandidatët, në çdo qendër votimi, për të punuar të gjithë së bashku", tha Mediu. Sipas tij, është e nevojshme që e djathta të bashkohet fillimisht për të garantuar zgjedhje të lira.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë