Mendim

Pse Obama nuk i publikoi pamjet e vrasjes së Osama bin Laden

Nga “Washington Post”- Kur njoftoi vdekjen e liderit të Shtetit Islamik Abu Bakr al-Bagdadi të dielën, Presidenti Donald Trump e përshkroi ngjarjen me detaje, duke thënë se pamjet e operacionit ishin të ngjashme me “filmat aksion” dhe duke rrëfyer se Bagdadi kishte vdekur i frikësuar “duke qarë e duke bërtitur”.

Tani, rezulton se publiku mund të duhet të shikojë një pjesë të këtyre të filmimeve, pasi Trump tha të hënën se Shtëpia e Bardhë mund të bënte publike pamjet e operacionit që çuan në vdekjen e liderit të ISIS-it.

“Ne mund presim pjesë të caktuara të filmimeve dhe t’i publikojmë”, u tha Trump gazetarëve ndërsa u nis nga Uashingtoni për në Chikago.

Po ashtu në një konferencë shtypi të hënën, Kryetari i Shefave të Përgjithshëm të Shtabit Mark A. Milley tha se fotot dhe imazhet e operacionit në Veri të Sirisë po kalonin një proces deklasifikimi.

Ende nuk është e qartë se cila pjesë e operacionit ushtarak do të bëhet publike, por publikimi i tyre do të shënonte një ndryshim tjetër kyç mes presidentit Trump dhe ish-presidentit Barack Obama, për shkak të mënyrës se si ky i fundit e trajtoi operacionin e vitit 2011 që çoi në vdekjen e Osama bin Laden, themeluesit të grupit ekstremist al-Kaeda.

Obama refuzoi të lëshonte imazhe të trupit të Bin Ladenit, duke përmendur shqetësimet e sigurisë kombëtare. Asnjë filmim video nga operacioni nuk është publikuar ndonjëherë nga qeveria e amerikane.

Ende nuk është e qarte se çfarë pamjesh filmike ekzistojnë nga operacioni që çoi në vdekjen e Bin Ladenit. “CBS News” raportoi në vitin 2011 se 25 kamera të vendosura në helmetat e marinsave amerikanë që morën pjesë në këtë operacion kishin regjistruar tërë bastisjen e Bin Ladenit, përfshirë edhe vdekjen e udhëheqësit të al-Kaedës.

Më të paqarta ishin fotot e trupit të Bin Ladenit. Më 4 maj, dy ditë pas operacionit ku u vra lideri ekstremist, Obama njoftoi se megjithëse Shtetet e Bashkuara kishin fotografi të trupit të Bin Ladenit, ai nuk do t’i bënte publike, pasi paraqitnin “rrezik për sigurinë kombëtare”.

“Është e rëndësishme për ne të sigurohemi që fotot e një ekstremisti që u qëllua në kokë nuk do të qarkullojnë në publik dhe të shërbejnë si nxitje për dhunë ose si një mjet propagandistik,” tha Obama në një intervistë televizive. “Kush jemi ne? Ne nuk i përdorim këto gjëra si trofe”.

Zyrtarët u thanë gazetarëve që trupi i Bin Ladenit u varros në përputhje me traditën islamike. Pamjet e trupit iu treguan anëtarëve të Kongresit, të cilët u thanë gazetarëve se panë një kufomë të shpërfytyruar.

Përpjekjet për të detyruar me ligj publikimin e imazheve kanë dështuar. Në maj të vitit 2013, një gjykatë federale e apelit vendosi që lëshimi i imazheve të liderit të al-Kaedës mund të shkaktojë “dëm jashtëzakonisht të madh” për amerikanët. Madje dyshohet se çdo fotografi e trupit mund të jetë shkatërruar qëllimisht.

Mungesa e provave fotografike të vdekjes së Bin Ladenit çoi në rritjen e teorive konspirative dhe dyshimeve për shkak të një sërë mospërputhjesh të deklaratave të Shtëpisë së Bardhë mbi operacionin. Në internet filluan të qarkullonin imazhet e rreme të trupit të Bin Ladenit.

Nëse administrata Trump vendos të publikojë pamjet e operacionit që çuan në vdekjen e Bagdadit, kjo mund të ndihmojë në shuarjen e spekulimeve të ngjashme. Kjo do t’i lejojë Trump të rrisë më tej fitoren e tij të politikës së jashtme.
Por ekspertët që analizuan operacionin për vrasjen e Bin Ladenit ngrenë alarmin se publikimi i filmimeve të vdekjes së Bagdadit do të çonte në rritjen e ekstremizmit dhe urrejtjes, duke cënuar madje edhe sigurinë kombëtare të SHBA-së.

 

Më Shumë