Keshilla

Pse nuk po thirreni për intervista pune? Gabimet që duhet të shmangni

Sigurisht, ju ndiheni të hutuar dhe të frustruar.

Me Dorëheqjen e Madhe që është në proces dhe me vendet e reja të punës që kanë arritur një nivel rekord, ju mund të keni filluar kërkimin tuaj të punës duke menduar se do të ishte diҫka shumë e thjeshtë.

Tani, ju jeni duke pyetur veten pse nuk po thirreni për më shumë intervista pune, edhe pse jeni mjaft të kualifikuar për pozicionet për të cilat keni aplikuar. Por, përpara se të supozoni se ju mungon fati, këtu janë tre gabime në CV-në tuaj që mund të jenë shkaktarët e kësaj situate.

CV-ja juaj fokusohet në rezultatet e gabuara

Nuk është faji juaj. Shumica e këshillave për CV-në ju nxisin që të jeni të orientuar drejt rezultateve në atë që shkruani në CV. Por, pikat e orientuara drejt rezultateve janë të kota nëse fokusohen në rezultatet e gabuara. CV-ja juaj mund të ketë shumë numra dhe arritje që ju bëjnë krenarë.

Por, nëse këto pika nuk janë të nevojshme për punën, menaxherët e punësimit dhe rekrutuesit mund të lexojnë CV-në tuaj dhe të mendojnë se jeni i mrekullueshëm, por ata nuk do ta dinë se pse duhet t’ju intervistojnë për vendin e ri të punës që kërkojnë të plotësojnë.

Sigurohuni që pikat që përfshini në CV të jenë relevante dhe të orientuara drejt rezultateve. Nëse nuk jeni të sigurt nëse keni përfshirë rezultatet e gabuara në CV-në tuaj, merrni pak kohë për të lexuar përshkrimin e punës për një nga pozicionet ku po aplikoni. Më pas, lexoni CV-në tuaj për të parë nëse ajo flet për nevojat specifike që lidhen me atë pozicion pune.

Nëse jo, atëherë do të dini se ҫfarë duhet të ndryshoni për të fituar më shumë intervista pune.

Nuk po tregoni historinë e plotë

Disa shenja që mund të jeni duke bërë këtë gabim janë: ju nuk përfshini disa gjëra në CV-në tuaj, sepse ato ishin arritje të të gjithë ekipit dhe nuk dëshironi të dukeni sikur po merrni të gjithë meritën për punën që është bërë; nuk përfshini disa aftësi të caktuara sepse ato nuk ishin pjesë e titullit tuaj zyrtar të punës; ose nuk përmendni arritje të caktuara sepse ato kanë ndodhur vetëm pak herë.

Megjithëse ju mund të keni qëllime të mira duke mos i përfshirë këto gjëra në CV-në juaj, fakti që po nënvlerësoni veten dhe nuk po tregoni historinë e plotë i bën rekrutuesit dhe menaxherët e punësimit që të supozojnë se ju nuk keni përvojën e nevojshme për pozicionin që dëshironi.

Analizoni CV-në tuaj dhe, për çdo pikë që keni përfshirë, pyesni veten: “Cila është historia pas kësaj arritjeje?” Nëse historia e kësaj arritjeje është më bindëse sesa vetë arritja, atëherë bëjeni atë pjesë të CV-së tuaj duke shtuar detaje përkatëse, në mënyrë që të demonstroni ekspertizën tuaj.

CV-ja është plot me shpërqendrime

Jo, nuk bëhet fjalë për formatin e CV-së tuaj. Sigurisht, formati i gabuar mund të jetë shpërqendrues, por ka një element tjetër për të cilin nuk është folur mjaftueshëm dhe që mund të heqë vëmendjen nga ekspertiza juaj. Shumica e punëkërkuesve nuk e vënë re këtë gabim, sepse, kur jeni duke punuar vazhdimisht me CV-në tuaj, mund ta keni të vështirë për ta kapur atë.

Por, shpërqendrimi është zhargoni.
Zhargoni, për sa i përket CV-së tuaj, është çdo fjalë, arritje ose rezultat që do të ishte i vështirë për t’u kuptuar nga të tjerët jashtë kompanisë ose industrisë suaj.

Zhargoni është një shpërqendrim sepse, edhe nëse CV-ja juaj duket shumë e mirë, ajo do t’i bëjë rekrutuesit dhe menaxherët e punësimit që të mendojnë se do të ishte më mirë që ju të qëndroni aty ku jeni – edhe kur e dini se keni përvojën e nevojshme për të bërë punën në pozicionin e ri.

Për të evidentuar dhe eleminuar zhargonin, merrni disa përshkrime pune për pozicionin tuaj ideal dhe studioni gjuhën që përdoret për të përshkruar përgjegjësitë dhe kualifikimet që kërkohen për këtë pozicion. Më pas, lexoni CV-në tuaj për të parë nëse edhe ju e përshkruani përvojën tuaj në të njëjtën mënyrë. Hiqni çdo term që nuk përputhet me pozicionin për të cilin po aplikoni.

Nëse ndiheni fajtor për ndonjë nga këto gabime të CV-së, atëherë ky është një lajm i mirë! Kjo do të thotë se ka ende gjëra që mund të bëni për të përmirësuar procesin tuaj të kërkimit të një vendi pune. Nëse jeni të gatshëm t’i zgjidhni këto tre gabime në CV-në tuaj, do të jeni në një formë shumë më të mirë për t’u thirrur në më shumë intervista pune për pozicionet që do të dëshironi.

Burimi: Forbes/ Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë