Analize

Pse na duhet një hekurudhë që lidh Shqipërinë me Kosovën dhe Serbinë

"Kjo është një nismë serioze në rajon, pasi kanalizon miliarda euro drejt Shqipërisë dhe minon balancat tregtare dhe gjeopolitike rajonale të vendeve si Greqia, Italia, Kroacia, Sllovenia, Malta, etj. Pra, janë pikërisht këto vende që nuk kanë interes të kenë një port të madh në Shqipëri"

Shqipëria ka potencial të madh që të shndërrohet në një nyje strategjike për qarkullimin e mallrave jo vetëm në rajon, por edhe në gjithë Europën Qendrore. Por, ky potencial nuk mund të çlirohet dhe pengesat janë mungesa e infrastrukturës kritike, mes të cilave ajo portuale dhe ajo hekurudhore.

Një studim i Qendrës Shqiptare për Studime Strategjike vë theksin te rëndësia e lidhjes hekurudhore Shqipëri-Kosovë-Serbi.

“Sipas studimit të tranzitit të mallrave që vijnë nga Suezi dhe Gjibraltari përmes Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë ka një ulje të shpenzimeve dhe kohës deri në 30 për qind në raport me portet e Europës Qendrore”, thotë Qendra.

Qendra vlerëson se lidhjet hekurudhore me Maqedoninë dhe Malin e Zi janë të promovuara nga njerëz pa vizion në rastin më të mirë, ose me synimin për të izoluar Shqipërinë dhe Kosovën në rastin më të keq.

“Të cilat de-fakto janë jashtë korridoreve hekurudhore europiane. Me lidhjen hekurudhore nga Mali i Zi Shqipëria de-facto ka nje izolim hekurudhor, pasi hekurudha nga Mali i Zi nuk ploteson kërkesat për "freight", pasi kalon në lartësinë 1100m, ka mbi 100 ura të dobëta që s'mbajnë ngarkesa të mëdha aksiale dhe mbi 100 tunele te amortizuar”, thuhet në studimin e Qendrës së Studimeve Strategjike.

Kushti tjetër për të çliruar të gjithë potencialin është edhe krijimi i një porti që mund të përpunojë deri në 2 milionë kontejnierë në vit, ose 10 herë më shumë se sasia e planifikuar për portin e ri tregtar të Durrësit në Porto Romano.

“Mbi 500,000 kontejnerë TEU mund të transportohen në brendësi përmes hekurudhave dhe autostradave, me një fitim prej dhjetëra miliona eurosh. Plus disa milione tonë minerale në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi. Për të rritur vlerën e shërbimeve Porto Romano duhet të shoqërohet me dy porte të thata në Tiranë dhe Prishtinë. Sidomos “Porti i Thatë i Prishtinës” mund të bëhet nyja kyçe e ekonomisë së Kosovës, ku mund të punësohen direkt 15 mijë vetë dhe indirekt 25 mijë të tjerë”, vlerëson studimi i Qendrës.

Studimi thekson se nëse bëhet edhe rafineria e Porto Romanos, porti mund të përpunojë 15 mijë fuçi naftë në ditë, si dhe gazin e lëngshëm natyror që vjen nga SHBA. Qendra e Studimeve Strategjike thotë se në bashkëpunim me disa firma inxhinierike ka identifikuar pesë rrugë për lidhjen hekurudhore me Kosovën dhe Serbinë, duke nxjerrë edhe kostot përkatëse.

5 lidhjet e mundshme hekurudhore me Kosovën

Rruga më e shkurtër për të lidhur hekurudhat ekzistuese është 90 kilometra. Segmente të reja në këtë rrugë janë Shkodër- Qafë Morinë, prej 70 kilometrash me kosto 300 milionë euro. Më pas në territorin e Kosovës Qafë Morinë-Gakovë, 20 kilometra me kosto 50 milionë euro. Segmentet që duhen përditësuar në këtë variant janë linjat hekurudhore Gjakovë-Prishtinë-Merdarëm 110 kilometra me kosto 200 milionë euro dhe në territorin e Serbisë Merdare – Nish, me gjatësi 75 kilometra dhe kosto 150 mln euro.

Në këtë variant, studimi thotë se hekurudha e re do të ishte rruga më e shkurtër për transportin e mallrave nga Mesdheu drejt Europës Qendrore, duke konkurruar me rrugën aktuale, që janë nga Porti i Selanikut në Greqi dhe ai i Rijekës në Kroaci.

Por, një projekt i tillë bie ndesh me interesat e vendeve të tjera, që nga Italia, Greqia, Kroacia dhe Sllovenia.

“Kjo është një nismë serioze në rajon, pasi kanalizon miliarda euro drejt Shqipërisë dhe minon balancat tregtare dhe gjeopolitike rajonale të vendeve si Greqia, Italia, Kroacia, Sllovenia, Malta, etj. Pra, janë pikërisht këto vende që nuk kanë interes të kenë një port të madh në Shqipëri. Madhësia e portit është shumë kritike për të gjithë përfitimin e rrjetit hekurudhor dhe autostradës shqiptare, por edhe të gjithë ekonomise shqiptare”, vlerëson studimi i Qendrës Shqiptare për Studime Strategjike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë