Ngjarje

Pse lodrat e fëmijëve me kimikate të dëmshme arrijnë deri në treg

Rreth 13 mijë lodra u asgjësuan pak ditë më parë dhe Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregut mori këtë vendim për shkak të përmbajtjes toksike që këto produkte kishin.
Drejtori i Inspektorati të Mbikëqyrjes se Produkteve jo Ushqimore Julian Llupo, në një intervistë për Gazetën “Si” shpjegon se kontrolli i produkteve (në këtë rast lodrat) bëhet nëpërmjet metodologjisë së riskut, e cila përcaktohet në bazë të disa faktorëve, si vendi i origjinës, historiku i produkteve pas inspektimeve dhe përbërësit kimikë që ka produkti. Llupo thotë se këto inspektime janë kryer për një kohë të gjatë, por kryesisht në periudhat e pushimeve dhe të festave.
Eksperti shpjegon që kontrolli kryhet nga linjat importuese deri tek tregtarët me shumicë dhe tregu i lodrave është i gjerë, pasi janë një kategori që përdoren gjerësisht në tregjet kryesore. Në media u bë me dije se nga testimet laboratorike produktet e 34 importuesve në vendin tonë rezultonin të ishin me substanca kimike të dëmshme.

Drejtori i Inspektoritit të Mbikëqyrjes së Produkteve jo Uhqimore, Julian Llupo

Por si arrijnë këto lodra deri në treg?
Eksperti Llupo tregon se inspektimi i lodrave nis që në doganë, duke bërë një kontroll formal, duke u parë marka e lodrave dhe deklarata e konfomitetit, një deklaratë e lëshuar nga prodhuesi që tregon çdo element kimik që është përdorur tek lodra. Për sa i përket arritjes në treg, eksperti shprehet se doganat punojnë me një metodologji risku.
“Është e pamundur që doganat në kohën e sotme kur klima e biznesit është shumë e rëndësishme, të mendohet që t'i ndalojnë në doganë dhe të bëhet kontrolli i çdo produkti. Është e pamundur që kjo të bëhet dhe nuk bëhet askund. Filozofia e kontrollit në dogana është që duhet të kesh informacion për atë që ndalon. Në treg është mundësia që të bëhen kontrolle në kohë më të gjatë dhe në procedura më të thelluara, në doganë një aksion i tillë do të sillte një penalizim të shumë bizneseve. Aktualisht kemi ekspertizë të huaj për këtë çështje nga vende që e kanë kaluar këtë proces. Ky është një proces që do kohën e vet të konfigurimit të tregjeve, të njohjes së legjislacionit nga ana e importuesve për të përshtatur produktin e tyre me kërkesën ligjore,” shprehet ai.

Foto ilustruese

Ndër të tjera ai shprehet se procesi i kontrollit nuk është aq i thjeshtë sepse ngado që prodhohet, tregtarët i ndryshojnë të dhënat e paketimit, për të humbur gjurmën.
Lodrat e fundit u asgjësuan për shkak të përbërësve kimikë që ato mbartin. Analizat sipas Llupos, janë kryer në laboratorë të akredituar, të cilët ne nuk i kemi në vendin tonë pasi nuk kemi një linjë prodhimi të këtyre produkteve dhe një laborator i tillë do të ishte i kushtueshëm.
“Tek lodrat u gjendën lëndë kimike të dëmshme si “Ftalate” një element kryesor tek lodrat dhe që përdoret sepse u jep formë lodrave. Ky është element shumë i dëmshëm nëse kalon direktivën e peshës standarde të produktit që është përcaktuar 0.01%. Nga analizat që kemi bërë rezulton se 30% deri në 60% të peshës së produkteve të asgjësuara, ka qenë i përbërë nga ky kimikat. Ky është element organik dhe nga studimet që janë bërë, kur është në përqindje shumë të lartë, mund të godasë sistemin riprodhues të fëmijëve. Ka një element tjetër që është i shfaqur tek “slimet” që përdorin shumë fëmijët (produkt në formë llastiku apo xhelatine të butë), i cili quhet “Buron” duhet të jetë po në nivele, pra 0.01%, por që është parë në nivelet 20 deri në 50%,” shprehet ai.
Janë kompanitë private ato që kanë kryer asgjësimin e lodrave, për të cilat ka një vendim përkatës dhe pjesëmarrës në këtë proces janë edhe Inspektorati i Mjedisit dhe Policia Bashkiake Vendore.
Ne në vendin tonë kemi rreth 40 subjekte importuese dhe lodrat na vijnë nga vende të ndryshme por dominante mbetet Kina. Llupo thekson që ka edhe importues seriozë, por ajo çka është tepër e rëndësishme, është ndryshimi i idesë së prindërve që duhet të blejnë produkte në dyqane serioze dhe jo kryesisht nëpër tregje të pakontrolluara dhe me çmime modeste.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë