Ne rrjet

Pse Italia është tani aleatja më e vyer e Trump në Europë

Giusepe Konte nuk ka bërë as edhe një ditë fushatë gjatë zgjedhjeve italiane, por kjo nuk e ndaloi Presidentin amerikan, Donald Trump, ta përgëzonte për "fitoren e tij të jashtëzakonshme".  Ndryshe nga udhëheqësit e tjerë europianë, si kancelarja gjermane Angela Merkel apo kryeministri holandez, Mark Rutte, Konte anashkaloi dallimet politike me Trump dhe e përdori vizitën e tij në Shtëpinë e Bardhë për t’u pozicionuar si aleati më i madh i SHBA-së në Europë. Kryeministri italian falenderoi Trump për qëndrimin  e ngrohtë ndaj Romës dhe e shpalli Italinë si "bashkëbiseduesin e ri dhe të privilegjuar" të Uashingtonit. Konte dhe Trump diskutuan gjithashtu mbi deficitin e SHBA-së me Italinë, i cili raportohet të jetë gati 35 miliardë dollarë. Por pavarësisht nga qëndrimi i ashpër që ka mbajtur ndaj aleatëve të tjerë europianë, Trump tha gjatë konferencës për shty, se ishe i sigurt se ky problem i SHBA-së me aleatët e tij italianë, do të rregullohej së shpejti."

https://www.youtube.com/watch?v=iAdDonE6Cmc

Përse SHBA-së i duhet një aleate si Italia?

Gjatë vizitës së kryeministrin italian, Trump ua bëri të qartë aleatëve të tij europianë se Italia do të ishte tanimë partneri më i vyer i administratës së tij. Trump është i vetëdijshëm se populistët e Italisë janë miqtë e tij të vetëm në Europë dhe mund të tundohet për ta shfrytëzuar rolin e Italisë në skenën europiane, për të sfiduar Berlinin dhe Parisin. Në fund të fundit, Italia është një anëtare themeluese e BE-së dhe ekonomia e tretë më e madhe në Eurozonë, gjë që e bën atë ndër aktorët kryesorë të unionit europian, së bashku me Gjermaninë dhe Francën. Ndërkohë, Roma gjen tek Trump një model të ri qeverisjeje dhe po ndjek pothuajse të gjithë hapat e tij. Qeveria e re italiane synon të shqyrtojë të gjitha marrëveshjet e tregtisë së lirë midis Europës dhe vendeve të tjera që rrezikojnë produktet europiane dhe ka marrë masa të ashpra për të vënë nën kontroll emigracionin e paligjshëm.

Në vitin 2016, zgjedhja e Trump u përshëndet nga populistët e Italisë si "era e re e ndryshimit" që mund të rifuqizonte kontinentin europian. Udhëheqësi i Lega Nord, Matteo Salvini, e sheh Trumpin dhe Presidentin rus, Vladimir Putin, si aleatët më të mirë për një të ardhme "triumfuese" kundër frontit Paris-Berlin. Nëse Trump dëshiron të forcë të tretë përveç Gjermanisë dhe Francës, ai ka gjetur njeriun e duhur. Konte mund të jetë i gatshëm të shfrytëzojë "miqësinë" e tij me Trumpin, për të ushtruar presion mbi partnerët e rreptë europianë, që nuk duan të ndryshojnë mekanizmin e ndryshkur të BE-së. Edhe nëse takimi në Uashington rezulton të jetë thjesht një teater i qeverisë populiste italiane, qëllimet e përbashkëta dhe lavdërimet reciproke, do të irritojnë më tej Gjermaninë dhe Francën dhe do të zgjerojnë hendekun midis aleatëve europianë.

 Presidenti Donald Trump dhe Giuseppe Conte

Çfarë vendimesh morën Konte dhe Trump?

Trump hapi konferencën e shtypit me Kryeministrin Konte duke uruar koalicionin  qeverisës, Lega Nord dhe Pesë Yjet, për fitoren zgjedhore dhe duke shprehur miratimin e tij për politikat që Roma ka ndërmarrë kohët e fundit kundër emigrantëve.

"Dua ta filloj duke ju përgëzuar edhe një herë për fitoren e jashtëzakonshme në Itali - tha Trump - E gjithë bota i kishte sytë nga qytetarët italianë.  Ju përgëzoj në emër të Shteteve të Bashkuara. Me zgjedhjen tuaj, kombi italian ka riafirmuar traditat e mëdha të sovranitetit, ligjit dhe llogaridhënies, që e kanë origjinën nga Roma e lashtë".

Trump përqafoi edhe pikëpamjet e qeverisë italiane për emigracionin,  duke konfirmuar edhe njëherë mbështetjen për ministrin e Brendshëm Matteo Salvini,  i cili perceptohet si politikani më i fuqishëm në Itali.

"Ashtu si Shtetet e Bashkuara, edhe Italia po përballet me një krizë të madhe si pasojë e emigracionit të paligjshëm- tha Trump- Kryeministri italian qëndron krah nesh sot për shkak të emigracionit të paligjshëm. Italia u lodh prej tij, ashtu si edhe SHBA-ja. "

 Presidenti Donald Trump dhe Kryeministri italian Gussepe Conte

Konte nuk kundërshtoi asnjë nga komentet e Trump, përkundrazi përdori çdo pyetje që iu bë gjatë konferencës për të lavdëruar Presidentin amerikan. Edhe përpara takimit të së hënës ishte e qartë se Donald Trump dhe kolegu i tij populist kishin shumë gjëra të përbashkëta. Kryeministri italian i la pa fjalë shumë nga gazetarët kur deklaroi se Italia ishte "e hapur për dialog me Rusinë". Megjithatë si ai ashtu dhe Trump përjashtuan heqjen e sanksioneve ekonomike ndaj Moskës, për shkak të aneksimit të Krimesë.  Gjatë konferencës për shtyp, kreu i qeverisë italiane tha gjithashtu se do të organizonte një konferencë ndërkombëtare për stabilizimin e Libisë, pika kryesore nga ku nisën qindra mijëra emigrantë nga Afrika duke u përpjekur të arrijnë Europën. Italia duket se po konkurron me Francën fqinje për stabilizimin e Libinë, e cila është goditur prej vitesh nga dhuna dhe lufta. Konte deklaroi se mbajtja e konferencës në Romë, e mbështetur nga SHBA-ja, do ta ndihmojë Italinë të vendoset si bashkëbiseduesi kryesor për grupet separatiste që luftojnë në Libi. Nga ana tjetër, Trump e përdori konferencën e tij për shtyp me Konte për të kërcënuar Kongresin amerikan të miratonte ndërtimin e murit kufitar me Meksikën.

Nga ana tjetër Konte theksoi se ishte i përgatitur për të negociuar me partnerët e tij europianë çështjen e shpenzimeve të NATO-s.

"Bashkimi Evropian ka përfituar nga Shtetet e Bashkuara", u shpreh Presidenti Trump

"Unë do të jem përçuesi më i madh i këtij mesazhi dhe do të përpiqem t'i bëj të tjerët të kuptojnë pozitën në të cilën ndodhet SHBA-ja", iu përgjigj Kryeministri italian.

Burimet: "CNN". "Politico", "La Republicca"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë