Analize

Pse Trump e ktheu mbrapsht kandidaten për ambasadore në Shqipëri?

Edhe pse Ambasadori i ri Amerikan në Kosovë është emëruar prej gati dy muajsh, “karrigia” e Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë është bosh që nga qershori i vitit të kaluar dhe me sa duket do të vazhdojë të qëndrojë e tillë.

Së fundmi, presidenti amerikan Donald Trump ka tërhequr nga nominimi zyrtaren e lartë që pritej të konfirmohej si ambasadore e Uashingtonin në vendin tone, për lidhje me spiunë rusë e britanikë.

Kathleen Ann Kavalec, zyrtare e lartë e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe mbështetëse e ish-presidentit Obama nuk është më e emëruara e Shtëpisë së Bardhë për Shqipërinë, për shkak të së “shkuarës së errët”. Ajo dyshohet se ka bashkëpunuar me FBI-ne dhe një sërë spiunësh duke zbuluar informacione të rëndësishme për Administratën Trump.

Sipas një zyrtari të Administratës Trump, ajo akuzohet se ka komunikuar me ish-spiunin britanik Christopher Steele, i cili hartoi dhe publikoi një sërë dosjesh false për presidentin Donald Trump me qëllim që ky i fundit të humbiste garën. Mediat amerikane bëjnë të ditur po ashtu se ajo kishte informuar një zyrtar të lartë të FBI-së, para dhe pas zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës mbi vendime të fshehta të Administratës Trump.

“Ajo është emëruar përmes procesit të karrierës, por Presidenti tërhoqi nominimin e saj,” tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë. Emri i saj është në pritje në Senat dhe asnjëherë nuk është konfirmuar në këtë post”.

Kathleen Ann Kavalec

Zyrtarja e lartë në kohën e zv/ ndihmës sekretares së Shtetit Victoria Nuland u zbulua se kishte takuar personalisht dhe ishte në komunikim me Steele edhe pas zgjedhjeve presidenciale.
Gjithçka duket se u zbulua pas publikimit të një sërë emailesh, në të cilat Kavalec duket se po punonte në mënyrë të fshehtë për të dëmtuar presidentin Trump. Ajo ishte përkrahëse e ish presidentit Obama dhe kandidates demokrate Hillary Clinton, duke dhënë një donacion të vogël prej 250 dollarësh në 2012 në Fondin e Fitores së Obama dhe një tjetër prej 250 dollarë për Clinton në 2016.


Kavalec dhe kolegu i saj Jonathan Uiner, ish ndihmës i ish-Sekretarit të Shtetit John Kerry, i siguroi kampit “Obama-Klinton” informacionin që kishin mbledhur nga Steele në Bruce Ohr, një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë i cili u përdor si një kanal komunikimi nga FBI-ja pas largimit të Steele.

Përfshirja e saj në hetimin e FBI-së ndaj Administratës Trump u zbulua nga kongresmeni amerikan Mark Meadows në një program televiziv në Fox News. Meadows i tha gazetarit të njohur Sean Hannity se ka “lojtarë” të fuqishëm madje edhe ambasadorë që ishin përfshirë në hetimet e FBI-së.

"Është e frikshme që Administrata Obama, e cila ka lidhje të forta me Hillary Clinton vazhdojnë të minojnë Administratën Trump dhe vazhdon të punojnë fshehurazi kundër agjendës së tij", tha ai të martën.

Emailet e zonjës Kavalec, zbulojnë se ajo dhe Ohr kanë qenë në kontakt me Steele duke i dhënë detaje mbi hartimin e dosjes anti-Trump.

Kathleen Ann Kavalec

Më 21 nëntor të vitit 2016, Kavalec dhe Ohr shkëmbejnë email të shumta, mes të cilave përmendet edhe emri i Serge Millian, një ish-biznesmeni rus që duket se informonte FBI-në për “lidhjet” e Trump me Moskën.

Sipas ish-këshilltarit të presidentit Trump, George Papadopoulos, Millian,u bë një burim më i madh i Steele për hartimin e kësaj dosjeje.

Në një nga emailet, Ohr e falënderonte Kavalec që ishte takuar më të për t’i kaluar Steele disa informacione, të cilët më pas duket se i kalonin FBI-së.

"Kathy faleminderit që keni gjetur kohë për t'u takuar me mua", shkruante Ohr. "Unë vërtet shpresoj të mund të dalim diku nga këto të dhëna."

Emri i Kavalec u zbulua pasi Komisioni i Hetimit në Kongresin Amerikan filloi hetimet ndaj investigimit të FBI-së në Rusi. Fillimisht konfirmimi për ambasadorin e Shqipërisë u bllokua nga Komiteti i Punëve të Jashtme të Senatit, në pritje të hetimeve për takimet e saj me Steele dhe Ohr.

Për një sërë mediesh amerikane, propozimi i saj për Shqipërinë nuk dukej aksidentale, duke pasur parasysh financimin e Departamentit të Shtetit të Obamës për aktivitetet e Fondacionit të Shoqërisë së Hapur, të George Sorors në vendin tonë. “Shqipëria është zakonisht një vend për të cilin Departamenti i Shtetit emëron një diplomat karriere dhe jo një kukull që shërben vetëm për të marrë dekorata e falënderime. Pra, zgjedhja e Kavalec pothuajse me siguri erdhi nga brenda Administratës Trump dhe iu prezantua më pas Mike Pompeos”, shkruan “SaraCarter.com”

Kush mund ta zëvëndësojë Lu?

Pas largimit të Donald Lu, së bashku me Kavalec, një ndër emrat më të përfolur për tu caktuar si Ambasador i ri i amerikan në Tiranë ishte prokurori i shquar John Leonardo.

Në vend që të kalojë ditën në një fushë golfi apo të mallkojë politikanët para televizorit, 71 vjeçari është duke u endur nëpër në zyrat shqiptare, së bashku me një ekip juristësh nga Bashkimi Evropian. Leonardo është i vetmi amerikan mes tetë këshilltarëve ndërkombëtarë që kanë ndërmarrë një përpjekje të pashembullt për të çliruar vendin tonë nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar.

“Është hera e parë që provojmë diçka të tillë- tha Leonardo- Shqiptarët presin shumë nga ne. Ndërkohë, gjyqtarët dhe prokurorët kanë frikë mos humbasin vendet e tyre të punës”.

Leonardo shërbeu 19 vjet si gjykatës i Gjykatës së Lartë në qarkun Pima dhe më pas në vitin 2012 u emërua Prokuror i Arizonës, duke punuar si prokuror i lartë federal i shtetit amerikan për pothuajse pesë vjet. Me ndryshimin e presidentëve vitin e kaluar, ai e la punën për tu fokusuar tek e ardhmja e një vendi të vogël, shumë larg shtëpisë.

Disa muaj më parë, Leonado ka dhënë një intervistë shumë interesante për “Tucson.com”, duke theksuar jo vetëm problemet më të mëdha me të cilat përballet Shqipëria, por edhe mbështetjen amerikane për këtë proces.

Është e jashtëzakonshme të shohësh se shqiptarët presin kaq shumë nga Amerika. Sapo kam filluar punë, kam nuhatur se avokatët e vettingut dhe komuniteti ligjor kanë më shumë besim tek unë, sesa europianët perëndimorë” deklaronte ai. “Shqipëria nuk ka korrupsion të shfrenuar vetëm në drejtësi, por edhe në shumë fusha: Policia, gjyqtarët, prokurorët. I gjithë Ballkani në përgjithësi vuan nga ky problem. Pothuajse të gjitha vendet që ndodheshin pas Perdes së Hekurt në shekullin e 20-të, duket se kanë këtë problem.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë